Realizmi i ashpër dhe diskursi i antiheroit – instrumente të fuqishme për zbërthimin e traumave të mëdha historike

Pikërisht në dimensionin ekzistencial mund të bëhet i mundur identifikimi i asaj që do ta quaja ‘fenomeni Bukovski’ në romanin “Im atë donte Adolfin”. Me këtë togfjalësh nuk duhet nënkuptuar ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë apo indirekt, por duhet hetuar një grup parimesh estetike dhe narrative që i bashkojnë të dy shkrimtarët, siç janë - reduktimi radikal i diskursit lirik e metafizik, zhveshja e skajshme e gjuhës (madje deri në regjistrin vulgar), vënia në qendër e antiheroit margjinal, insistimi natyralist mbi trupin dhe, mbi të gjitha, trajtimi ironik - grotesk i vdekjes

Qazim Muja

Romani i Mehmet Krajës, “Im atë donte Adolfin”, është një nga veprat më radikale dhe sfiduese në prozën bashkëkohore shqipe. Edhe pse nga pikëpamja tematike mbetet e rrënjosur në Shkodrën e pasluftës dhe në çarjet e thella ideologjike mes stalinizmit e nazizmit, kjo vepër e tejkalon kornizën e thjeshtë kronikane, duke u shndërruar në një studim brutal ontologjik të disfatës, të shpërbërjes morale dhe degradimit të brendshëm të individit të zënë në kurthin e historisë.
Pikërisht në këtë dimension ekzistencial mund të bëhet i mundur identifikimi i asaj që do ta quaja ‘fenomeni Bukovski’ në romanin “Im atë donte Adolfin”. Me këtë togfjalësh nuk duhet nënkuptuar ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë apo indirekt, por duhet hetuar një grup parimesh estetike dhe narrative që i bashkojnë të dy shkrimtarët, siç janë – reduktimi radikal i diskursit lirik e metafizik, zhveshja e skajshme e gjuhës (madje deri në regjistrin vulgar), vënia në qendër e antiheroit margjinal, insistimi natyralist mbi trupin dhe, mbi të gjitha, trajtimi ironik – grotesk i vdekjes. Kraja, ndonëse i rafinuar në traditën e romanit modern shqiptar, në këtë vepër përdor elemente të realizmit të ashpër në pasqyrimin e vesit njerëzor, mjerimit dhe varfërisë, duke u lidhur drejtpërdrejt me poetikën e papërpunuar të autorit amerikan.
Duke u nisur nga ky diskurs i antiheroit që e karakterizon trashëgiminë letrare të Çarls Bukovskit, mund të analizojmë mënyrën se si Kraja i lëvron parimet e ashpërsisë, groteskut dhe margjinalitetit, duke i transformuar ato brenda kontekstit specifik historik ballkanik. Ky proces nuk është rezultat i ndonjë huazimi intertekstual, por është një analogji e pastër strukturore. Ajo lind vetvetiu nga një impuls estetik i përbashkët – nevoja për ta zhveshur realitetin nga dekorimet romantike dhe për ta ekspozuar atë në substancën e tij më brutale. Megjithatë, aty ku shkrimtari amerikan ndalet te fati i individit të vetmuar, Kraja e zgjeron, gjegjësisht e tejkalon këtë të ashtuquajtur matricë bukovskiane duke injektuar brenda romanit traumën kolektive dhe një metafizikë të veçantë të humbjes në përgjithësi, dhe të humbjes kombëtare në veçanti.
Një nga paralelet më të dukshme me këtë poetikë është përdorimi i gjuhës vulgare, ose ‘pagane’, siç preferojnë ta quajnë shpesh studiuesit e letërsisë perëndimore. Diskursi i Krajës karakterizohet nga fjalë të shfrenuara, imazhe të gjalla fiziologjike, skena të ‘prishjes’ fizike dhe një lloj ndyrësie morale që trondit lexuesin tradicional. “Një shmangie e madhe në letërsinë shqipe…” do ta quante këtë diskurs kritiku Basri Çapriqi. Në kapitujt e parë që hapin siparin e romanit, Shkodra nuk paraqitet si qyteti i serenatave, por si një hapësirë klaustrofobike ku vdekja matet ftohtë me arshinë pëlhure. Tregtia e përditshme dhe ritet e varrimit ndërthuren në një skenë makabre, duke krijuar një atmosferë mbytëse.
Në veprat e tij të njohura si “Femrat”, “Posta”, “Faktotum”, “Bukë me sallam”, “Shënimet e një plaku të ndyrë”, “Holivud” apo “Pulp”, Bukovski formësoi tërësisht poetikën e mbetjeve ekzistenciale, duke sjellë në skenë personazhe të dëbuar në periferi, qenie të humbura dhe të gërryera nga alkooli e seksualiteti mekanik. Te Kraja, kjo lëndë e papërpunuar jetësore nuk buron nga dekadenca urbane e rrugëve si ato kaliforniane, por nga mjerimi i tejskajshëm ballkanik. Megjithatë, parimi filozofik mbetet i njëjtë – bota zhvishet nga çdo nocion i sublimitetit ose shenjtërisë, duke u reduktuar në një realitet të thjeshtë, fiziologjik dhe shpeshherë dëshpërues.
Ndryshimi thelbësor dhe vija ndarëse mes dy autorëve qëndron te thellësia e vetëdijes historike. Bukovski funksionon si një individualist i pastër ekzistencialist, i cili refuzon sistemin për shkak të absurditetit të tij universal. Nga ana tjetër, Kraja mbetet një autor thellësisht i ndjeshëm ndaj memories historike dhe traumave që pëson një komunitet i tërë nën thundrën e diktaturave.
Protagonisti i romanit – Babai (Im Atë) – mbart në vetvete pothuajse të gjitha tiparet tipike të antiheroit bukovskian. Ai shfaqet si një figurë kokëfortë, me një ambivalencë të theksuar morale, shpeshherë qesharak dhe i mjerueshëm në tragjedinë e tij personale. Idolatria dhe adhurimi i tij i çuditshëm ndaj figurës së Adolf Hitlerit nuk përfaqëson një bindje të strukturuar apo ideologji të mirëfilltë politike, por është thjesht një reagim plot inat, një sfidë narrative dhe një protestë e brendshme, e dëshpëruar, kundër shtypjes së egër të regjimit të ri komunist që po instalohej. Ai nuk vepron si ideolog, por si një njeri i thyer nga rrethanat, që kërkon mbështetje psikologjike te një simbol i skajshëm i forcës.
Nëse shkrimtari amerikan krijoi figurën e famshme të Henri Çinaskit si një alter-ego që endet pa qëllim nëpër bare të errëta, marrëdhënie kalimtare dhe disfata të njëpasnjëshme, personazhi i Babait (Im Atë) te Kraja merr të njëjtën rrugë ekzistenciale. Ai endet nëpër rrugicat e Shkodrës, nëpër ura të vjetra, hane të zymta, kafene të zhurmshme dhe rrënoja të mbetura nga përmbysjet ideologjike. Në të dyja rastet, në këtë paralele, përballemi me një individ që ka humbur plotësisht kontrollin mbi rrjedhën e historisë së madhe, por që refuzon të dorëzohet, duke ruajtur si armë të vetme kokëfortësinë dhe rebelimin e tij absurd.
Dallimi në këtë pikë mbetet vetëm strukturor – ndërsa Çinaski pozicionohet si një vëzhgues cinik i dështimit të ëndrrës amerikane, personazhi i Krajës është një viktimë e drejtpërdrejtë e kthesave të dhunshme gjeopolitike. Brutaliteti që ai shfaq ndonjëherë në sjellje nuk buron nga ndonjë prirje hedoniste për të shijuar jetën e rrugës, por shërben si një mekanizëm instinktiv vetëmbrojtjeje ndaj një bote armiqësore.
Skena e vrasjes së Dr. Kotanit në ambientet e Kafes së Madhe, e përshkruar me kaq mjeshtëri, ilustron më së miri mënyrën se si Kraja përdor groteskun e zhveshur nga çdo lloj patetizmi apo glorifikimi. Autori refuzon me vetëdije sentimentalizmin apo vajtimin letrar. Vdekja këtu paraqitet e ‘thatë’ – pa përmbajtje, e ftohtë, e papritur dhe pothuajse administrative në thjeshtësinë e saj tmerruese. Reagimet e dëshmitarëve rreth e rrotull janë minimale, thuajse robotike, dhe mekanizmi i jetës së përditshme vazhdon rrjedhën pa u shqetësuar nga humbja e një jete njerëzore.
Ky lloj trajtimi të kujton menjëherë indiferencën e ftohtë të Bukovskit ndaj tragjedive njerëzore. Te të dy autorët, tragjedia humb petkun e saj solemn dhe kthehet në diçka të përditshme, banale dhe të zhveshur nga kuptimi më i lartë. Megjithatë, dallohet një nuancë e rëndësishme: ndërsa shkrimtari amerikan ironizon absurditetin e vetë ekzistencës njerëzore në terma universale, Kraja e drejton tehun e ironisë së tij të zezë ndaj absurditetit të sistemeve ideologjike që kërkojnë të tjetërsojnë njeriun e cilitdo soji.
Personazhi piktoresk i Zefit të marrë e intensifikon dhe e çon në një nivel tjetër këtë regjistër grotesk. Njoftimet e tij halucinante dhe thirrjet e përsëritura për mbërritjen e afërt të një anijeje shpëtimtare nga Anglia ngjasojnë shumë me monologët e dehur deri në delirium të personazheve bukovskiane. Por, në të njëjtën kohë, brenda kontekstit të romanit shqiptar, ato funksionojnë si një alegori e thellë politike. Ato përfaqësojnë shpresën e rreme të një populli të përvuajtur dhe fantazmën e një shpëtimi të jashtëm që nuk do të vijë kurrë.
Gjithashtu, dihet se Bukovski njihet si shkrimtar i trupit dhe i proceseve të tij fiziologjike. Kraja, në këtë vepër, pozicionohet po ashtu si një autor që i kushton vëmendje të madhe sensit fizik – por me dallimin se ai analizon trupin e ndodhur nën presionin e jashtëzakonshëm të terrorit shtetëror. Në faqet e romanit, trupi njerëzor shfaqet vazhdimisht i ekspozuar, i përdhunuar, i kërcënuar nga mekanizmat e dhunës, i mbytur dhe i poshtëruar publikisht. Trupi femëror shndërrohet shpesh në një simbol të prekshëm të dhunës sistematike që ushtron regjimi, ndërsa ai mashkullor mbetet metaforë e një krenarie të plagosur e të gjymtuar rëndë. Estetika bukovskiane te Kraja manifestohet përmes këmbënguljes së tij për të mos e fshehur këtë degradim fizik, por për ta kthyer atë në dëshminë kryesore të dhunës historike mbi individin.
Si përfundim, analiza e romanit “Im atë donte Adolfin” përmes qasjes së ‘fenomenit Bukovski’ dëshmon se realizmi i ashpër (krahas atij magjik) dhe diskursi i antiheroit mund të funksionojnë si instrumente të fuqishme për zbërthimin e traumave të mëdha historike. Duke ndarë të njëjtin impuls estetik me shkrimtarin amerikan – zhveshjen e skajshme të gjuhës, fokusin te fiziologjia e trupit dhe trajtimin grotesk të disfatës – Mehmet Kraja krijon një matricë origjinale narrative ku margjinaliteti ekzistencial gërshetohet me tragjedinë kolektive ballkanike. Ndonëse Bukovski mbetet një individualist i pastër që ironizon absurdin universal të sistemit, Kraja e përdor këtë estetikë të mbetjeve njerëzore për të goditur direkt absurditetin e diktaturave dhe tjetërsimin ideologjik të personit. Në këtë formë, figura e Babait (Im Atë) dhe personazhet e tjerë periferikë në relacionin mes Shkodrës dhe Krajës së pasluftës shndërrohen në dëshmitarë brutalë të një bote ku cinizmi, kokëfortësia dhe rebelimi absurd mbeten mburojat e vetme dhe të fundit të dinjitetit njerëzor përballë dhunës së historisë.

Të fundit

më të lexuarat