Futet në rendin e ditës së Kuvendit të Malit të Zi

Projektligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Mirat Detare ka hyrë në rendin e ditës së Kuvendit të Malit të Zi.
Në seancën e mbajtur më 8 korrik 2026, për futjen në rend dite të këtij projektligji kanë votuar 48 deputetë.
Hyrja në rend dite të Kuvendit të Malit të Zi e Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Mirat Detare është përshëndetur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Ai e ka cilësuar Ligjin në fuqi për të Mirat Detare, të miratuar në vitin 1992, “një ligj famëkeq, i cili prej më shumë se tri dekadash ka diskriminuar Komunën e Ulqinit në veçanti, por edhe të gjitha komunat bregdetare në përgjithësi”.
Nimanbegu shpreson se iniciativa e përbashkët dhe unike e kryetarëve të komunave bregdetare, deputetëve dhe Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi do të sjellë ndryshimet e shumëpritura ligjore.
“Kemi nevojë për një ligj që do t’u mundësojë komunave zhvillim përmes menaxhimit të bregdetit brenda territorit të tyre. Menaxhimi i të Mirave Detare duhet t’u kthehet komunave, sepse ato i njohin më së miri nevojat e ekonomisë dhe të qytetarëve të tyre, kurse NP ‘Të Mirat Detare’ duhet të shndërrohet në agjenci”, ka theksuar ai në një postim në rrjetin social Facebook.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka thënë se përfundimisht duhet të dilet nga ky model tejet i centralizuar, për shkak të të cilit në këtë komunë dështon realizimi edhe i projekteve të filluara.
“Ky është vetëm hapi i parë”, ka porositur Nimanbegu, duke falënderuar deputetin Ilir Çapuni për përfaqësimin dinjitoz dhe duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve “që kësaj radhe ta kthejnë kokën drejt komunave bregdetare dhe të heqin padrejtësinë shumëvjeçare nga ligji i miratuar që në vitin 1992”.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, ka bërë të ditur se teksti i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Mirat Detare mbështetet njëzëri nga të gjitha komunat bregdetare.
“Falënderoj të gjithë kolegët që e mbështetën këtë propozim. Shpresoj që përmes tij të hapim një debat serioz dhe të gjejmë mënyrën për t’i dhënë fund këtij diskriminimi që zgjat tashmë 34 vjet”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Çapuni ka bërë një përllogaritje të thjeshtë se sa ka humbur Komuna e Ulqinit për shkak të Ligjit për të Mirat Detare dhe menaxhimit të bregdetit të saj nga NP “Të Mirat Detare”.
Sipas tij, nëse për çdo metër katror nga 33 milionë metra katrore të komunës së Ulqinit që menaxhohen nga NP “Të Mirat Detare”, Komuna e Ulqinit do të përfitonte vetëm 0.10 euro, në buxhetin e saj do të arkëtoheshin 3.3 milionë euro në vit, apo gjithsej 112 milionë euro për 34 vite. Këto para, sipas deputetit Çapuni, do të mjaftonin për ndërtimin e marinës në Lima (55 milionë euro), Mendreq (15 milionë euro), portin e peshkimit në Plazhin e Madh (30 milionë euro), urën mbi Bunë (15 milionë euro) etj.
“Pra, të gjitha këto objekte infrastrukturore Ulqini do të kishte mundur t’i ndërtonte vetë, po të mos ishte regjimi i të mirave detare”, ka përfunduar ai.
Ligji për të mirat detare, në bazë të të cilit është themeluar NP “Të Mirat Detare”, është konsideruar diskriminues ndaj komunave bregdetare, posaçërisht ndaj komunës së Ulqinit. Ky ligj ka qenë në qendër të kritikave të komunave bregdetare, të cilat i ka zhveshur nga kompetencat e menaxhimit të bregdetit të tyre, rrjedhimisht edhe nga një pjesë e madhe e të ardhurave.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat