Guci – Në Komunën e Gucisë, mbështetja për zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë është duke vazhduar përmes projektit “Gora”, në kuadër të të cilit është realizuar me sukses shpërndarja e makinerive të vogla bujqësore përfituesve nga treve e kësaj komune.
Aktiviteti në fjalë i Zyrës së Bujqësisë së Komunës së Gucisë përbën një tjetër hap konkret në fuqizimin e kapaciteteve të fermave lokale dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rural. Përmes kësaj mbështetjeje, fermerëve u krijohen mundësi më të mira për të rritur efikasitetin e punës dhe për të përmirësuar prodhimin bujqësor.
Projekti “Gora” vazhdon të jetë një ndër programet më të rëndësishme në mbështetje të komunitetit rural, duke kontribuuar në fuqizimin ekonomik të familjeve bujqësore dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të komunës së Gucisë.
Nga Zyra e Bujqësisë së Komunës së Gucisë është bërë e ditur se mbështetja nuk përfundon me këtë fazë. Dy prodhues të tjerë bujqësorë do të përfitojnë së shpejti nga projekti “Gora”: njëri do të pajiset me makineri të vogla bujqësore, ndërsa tjetrit do t’i sigurohet një mëshqerrë riprodhuese, si pjesë e masave për zhvillimin dhe zgjerimin e prodhimit blegtoral.
Institucionet komunale theksojnë se investimet në bujqësi mbeten një ndër prioritetet kryesore, me synimin që fermerëve t’u ofrohet mbështetje e vazhdueshme dhe të krijohen kushte sa më të mira për zhvillimin e ekonomive familjare dhe të sektorit bujqësor në përgjithësi, thuhet në komunikatën për opinion publik dhe media.
Sh. Hasangjekaj
