Disa nga fshatrat malore të Malësisë vazhdojnë të vuajnë mungesën e një zgjidhjeje të përhershme për furnizimin me ujë. Edhe sot, ka ende vendbanime që nuk kanë një sistem ujësjellësi, një ndër shërbimet më themelore për jetën.
Për banorët e tyre, kjo mbetet një nga sfidat më të mëdha të jetës së përditshme, duke krijuar njëkohësisht pengesa të vazhdueshme në zhvillimin e bujqësisë, sigurimin e kushteve elementare të jetesës dhe krijimin e kushteve për të vazhduar jetesën në këto zona.
Njëri prej këtyre fshatrave është Poprati, rreth 30 kilometra larg qendrës së komunës së Tuzit. I vendosur në një zonë me bukuri të veçanta natyrore, ky fshat vazhdon të përballet me mungesën e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, një problem që, sipas banorëve, nuk ka marrë ende zgjidhje.
Për të sjellë më afër realitetin me të cilin përballen banorët e këtij fshati, biseduam me dy prej banorëve, të cilët rrëfyen për vështirësitë me të cilat përballen prej vitesh si pasojë e kësaj problematike të kahershme.
Njëri prej të intervistuarve, i cili merret me bujqësi në shkallë familjare, thotë se çdo sezon veror përpiqet të mbjellë kultura të ndryshme bujqësore për nevojat e familjes, por mungesa e ujit bën që mundi dhe investimi i një viti të tërë të rrezikojë të shkojë dëm, gjë që ka ndodhur disa herë.
“Ne këtu pa ujë, është jashtëzakonisht vështirë të funksionojmë. Çdo vit ka përpjekje për të na furnizuar sadopak me ujë të pijshëm, por ajo nuk mjafton dhe çfarë është më e rëndë, ne nuk kemi atë që është më esenciale – ujin për të vaditur, e atë asnjëherë nuk e gëzuam”, shprehet ai.
Për banorët që përballen me mungesën e një zgjidhjeje institucionale, kjo ka bërë që ata të marrin përsipër investime mijëra euro nga buxheti i tyre familjar, për ndërtimin e bunarëve dhe sigurimin e ujit, investime që për familjet e zonave malore paraqesin një shpenzim të konsiderueshëm, ndërsa në shumë vendbanime të tjera ky shërbim ofrohet përmes infrastrukturës publike.
Njëri nga banorët, ditëve të fundit, ka nisur ndërtimin e një bunari në pronën e tij, një investim që, sipas tij, pritet t’i tejkalojë 10 mijë euro.
Siç shprehet ai, ky investim është ndërmarrë me synimin për të siguruar sadopak furnizimin me ujë, në mungesë të një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë problem.
Sipas tij, ndërsa qytetarët në vendbanime të tjera e gëzojnë furnizimin me ujë si pjesë të infrastrukturës publike, banorët këtu detyrohen ta sigurojnë vetë.
Për këtë, dhe shumë nevoja të tjera, që do të kishte ky fshat, thotë ai, ka vetëm premtime, më së shumti në prag të çdo fushate zgjedhore, “por me përfundimin e tyre, çdo gjë mbetet e njëjtë, pa asnjë ndryshim apo investim”.
“Duke ditur që banorët e zonave malore historikisht kanë jetuar me blegtori dhe bujqësi, do të ishte e drejtë që edhe ne të trajtohemi sikurse të gjithë qytetarët e zonave të tjera të Malësisë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, njëri ndër banorët më të vjetër aktualisht të këtij fshati kujton shumë vera përvëluese edhe në këtë zonë, ku, si pasojë e motit të nxehtë dhe mungesës së ujit, u kanë shkuar dëm prodhimet e tyre bujqësore.
“Mbaj mend vera shumë të nxehta, me nga njëqind ditë tropike, nga të cilat kemi pësuar dëme të mëdha në prodhimtarinë tonë. Fatkeqësisht, ne edhe sot vazhdojmë të përballemi me të njëjtin problem, atë të mungesës së ujit për vaditje”, thekson banori.
Më tej, banori i këtij fshati, duke kujtuar kohën e fëmijërisë së tij, kur ishte fare i vogël, ndërsa sot, në një moshë të thyer, shpreh keqardhje dhe zhgënjim që edhe pas kaq shumë dekadash situata vazhdon të mbetet e njëjtë.
“Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. E njëjta situatë siç ka qenë para më shumë se pesëdhjetë vitesh e më shumë. Vërtet se kemi rrugë dhe ndriçim publik pothuajse përgjatë gjithë fshatit, por ato janë të kota kur nuk e ke atë që është më jetike dhe më e domosdoshme për një jetë të thjeshtë, siç është uji”, thotë ai.
“Nuk e di se si mund të flitet për zhvillim, për ndryshime e për mirëqenie, kur edhe sot në shekullin XXI ka banorë që nuk kanë atë që është më jetike për të mbijetuar, pra ujin.
Është koha që ne të gëzojmë të paktën këtë që është e domosdoshme për një jetë normale, sepse nuk po kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme, por vetëm një kusht elementar për të jetuar”, shprehet ai.
Për shumë fshatra, mungesa e një zgjidhjeje të përhershme për sigurimin e ujit vazhdon të mbetet një ndër sfidat më të mëdha prej dekadash.
Rasti i Popratit rikthen në vëmendje një problematikë të kahershme, për të cilën banorët thonë se kanë dëgjuar premtime të shumta ndër vite, por që edhe sot vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Sipas tyre, një zgjidhje e përhershme për sigurimin e ujit përbën një nevojë themelore për të jetuar, për të punuar tokën dhe për të mbajtur gjallë familjen dhe blegtorinë.
T. Ujkaj
