Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona” nga Ana e Malit – Ulqin u vlerësua me çmimin “Koreografia më e mirë” në edicionin e tretë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, një aktivitet i rëndësishëm kulturor që bashkoi në një skenë të përbashkët 26 grupe dhe ansamble folklorike nga trevat shqiptare.
Në këtë sofër të traditës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, ku u prezantuan vlera të ndryshme të këngës, valles dhe kostumeve popullore, Ansambli “Trojet Tona” pati nderin të hapë siparin e natës së dytë të festivalit, duke sjellë atmosferën dhe pasurinë folklorike të trevës së Anës së Malit.
Festivali u organizua nga Shoqata “AlbAccess Open”, nën drejtimin e kryetares dhe menaxheres së festivalit, Enkeleida Fejzo, ndërsa ideatori, organizatori, drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësi artistik i festivalit ishte Viktor Aliu.
Në paraqitjen e tij artistike, AKV “Trojet Tona” solli një program të pasur me valle tradicionale dhe këngë të trevës së Ulqinit. Publiku pati mundësinë të shijonte interpretimin e valleve karakteristike, ndërsa ndër pikat më të spikatura të programit ishin Kënga e Gjergjefit dhe interpretimi i Valles së Xhemiles, të cilat përcollën bukurinë, emocionin dhe autenticitetin e folklorit shqiptar.
Juria profesionale e Festivalit vlerësoi paraqitjen e ansamblit duke i ndarë çmimin “Koreografia më e mirë”, një vlerësim për punën artistike, përgatitjen dhe mënyrën e interpretimit të materialit folklorik.
Kryetarja e AKV “Trojet Tona”, Amra Demiri, u shpreh se ky çmim është një arritje e rëndësishme për të gjithë ansamblin dhe një vlerësim për përkushtimin e anëtarëve.
“Ky çmim është një kënaqësi dhe një krenari e madhe për të gjithë ne. Përfaqësuam vendin me këngë, valle dhe traditën tonë, duke u përpjekur të sjellim në skenë atë që kemi më të bukur nga trashëgimia jonë kulturore. Pjesëmarrja në një festival ku ishin 26 grupe nga treva të ndryshme shqiptare është një përvojë e veçantë dhe një mundësi për të treguar pasurinë folklorike që mbart treva jonë”, theksoi ajo.
Sipas saj, çmimi “Koreografia më e mirë” është rezultat i punës së përbashkët të valltarëve, këngëtarëve, koreografëve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në jetën e ansamblit.
“Pas çdo daljeje në skenë qëndrojnë shumë orë prova, përkushtim dhe dashuri për folklorin. Ky vlerësim na jep motivim që të vazhdojmë edhe më shumë punën tonë për ruajtjen e traditës dhe për ta përcjellë atë te brezat e rinj”, deklaron kryetarja e këtij ansambli, Amra Demiri.
Edhe anëtarja e ansamblit, Dina Asllani, shprehu emocionet e saj për këtë paraqitje dhe sukses të arritur.
“Ishte një emocion i veçantë të ishim pjesë e këtij festivali dhe të dilnim në skenë për të përfaqësuar Ulqinin. Ne u përpoqëm të japim më të mirën tonë përmes valleve dhe këngëve që kemi sjellë. Kur puna dhe përkushtimi vlerësohen me një çmim të tillë, ndjenja është e papërshkrueshme”, shprehet ajo.
Ajo shtoi se pjesëmarrja në festivale të tilla është një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave mes grupeve folklorike dhe për ruajtjen e lidhjeve kulturore ndërmjet trevave shqiptare.
D. Teliqi
