Në organizim të Komunës së Ulqinit, përkatësisht Sekretariatit për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit, u mbajt me sukses manifestimi tradicional “Shalqini i Ulqinit 2026”, i cili për dy ditë me radhë (11-12 korrik 2026), mblodhi prodhues vendas, qytetarë, turistë dhe mysafirë nga vendi dhe rajoni në Parkun e Qytetit, në Plazhin e Madh.
Manifestimi u zhvillua në kulmin e sezonit turistik, duke promovuar një nga produktet më të njohura dhe më cilësore të bujqësisë ulqinake – shalqirin e Ulqinit, simbol i verës, i traditës bujqësore dhe i punës së palodhur të prodhuesve vendas.
Në fjalën hyrëse u theksua rëndësia e këtij manifestimi si urë lidhëse ndërmjet bujqësisë dhe turizmit, si dhe angazhimi i vazhdueshëm i Komunës së Ulqinit për mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe zhvillimin e sektorit bujqësor. U nënvizua gjithashtu se tokat pjellore të Anës së Malit, Shtojit dhe zonave tjera bujqësore vazhdojnë të japin produkte cilësore që e përfaqësojnë me dinjitet Ulqinin brenda dhe jashtë vendit.
Manifestimin e shpalli zyrtarisht të hapur nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se ky manifestim nuk është vetëm një festë e shalqirit, por edhe një festë e punës, përkushtimit dhe mundit të bujqve tanë, të cilët me përpjekjet e tyre mbajnë gjallë një traditë të gjatë dhe japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të komunës sonë.
“Turizmi, siç e dimë të gjithë, mbetet shtylla kryesore e ekonomisë së komunës sonë, por bujqësia është pa dyshim sektori ynë i dytë më i rëndësishëm dhe nuk duhet kurrsesi të anashkalohet. Përkundrazi, ajo meriton mbështetje përmes investimeve dhe politikave konkrete zhvillimore. Duke forcuar bujqësinë, ne forcojmë ekonominë vendore, krijojmë vende pune dhe u japim të rinjve më shumë arsye për të qëndruar dhe investuar në vendin e tyre”, ka theksuar ai.
Sipas Sellajt, një pjesë e madhe e banorëve të Anës së Malit merren me kultivimin e shalqirit dhe, falë punës e përkushtimit të tyre, shalqiri i kësaj zone njihet për cilësinë, shijen dhe traditën që përfaqëson.
“Shpresoj që në vitet që vijnë një nga objektivat tona më të rëndësishme të jetë brendimi i shalqirit të Ulqinit si një produkt autentik dhe i njohur jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë. Ky është një potencial i madh për zhvillimin e bujqësisë, ekonomisë dhe promovimin e identitetit të Ulqinit”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Ulqinit.
Të pranishmëve iu drejtua edhe sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, Arta Muçaj, e cila vlerësoi kontributin e prodhuesve dhe bashkëpunëtorëve në organizimin e manifestimit.
Në fjalën e saj ajo ka shprehur kënaqësi të veçantë për organizimin e manifestimit në një ambient kaq të këndshëm, të cilit, siç ka thënë ajo, “hijeshi të veçantë i kanë dhënë ekspozuesit tanë me prodhimet autoktone dhe bio, të kultivuara me shumë kujdes, përkushtim dhe sakrificë”.
Sekretarja Muçaj ka treguar se ky është viti i tretë që organizohet manifestimi “Shalqini i Ulqinit” në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për punën e palodhur të bujqve.
“Por edhe me qëllim promovimin e traditës së kultivimit të shalqirit në Ulqin, si një produkt me cilësi të lartë, i njohur dhe i vlerësuar edhe përtej kufijve të Malit të Zi”, është shprehur ajo, duke falënderuar të gjithë prodhuesit, ekspozuesit, artizanët, Organizatën Turistike të Ulqinit, si dhe bashkëpunëtorët për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në organizimin e këtij manifestimi në nivelin që meriton.
Në emër të Organizatës Turistike të Ulqinit, të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Haxhibrahimi, i cili ka theksuar rëndësinë e këtij manifestimi në pasurimin e ofertës turistike të qytetit.
“Shalqiri i Ulqinit është shumë më tepër se një produkt bujqësor; ai është simbol i verës, i cilësisë dhe i autenticitetit të vendit tonë. Përmes manifestimeve të tilla promovojmë prodhimin vendas, mbështesim bujqit tanë dhe pasurojmë ofertën turistike, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të njohin shijet e vërteta dhe traditat e Ulqinit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë kontribuuar në organizimin e këtij manifestimi, e veçanërisht për prodhuesit tanë të zellshëm, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre ruajnë cilësinë dhe reputacionin e shalqirit të Ulqinit”, ka theksuar ai.
Gjatë dy ditëve të manifestimit, vizitorët patën mundësinë të degustojnë shalqirin e famshëm të Ulqinit dhe specialitete të përgatitura prej tij, të vizitojnë stendat e prodhuesve vendas dhe të artizanëve, si dhe të marrin pjesë në aktivitete të shumta argëtuese dhe edukative të dedikuara për fëmijët dhe të gjithë familjen.
Edhe prodhuesit dhe ekspozuesit vendas kanë shprehur kënaqësinë për organizimin e këtij manifestimi, duke vlerësuar se ai është një mundësi e rëndësishme për promovimin e produkteve të tyre dhe për afrimin e tyre me konsumatorët dhe turistët.
Ata theksuan se shalqiri i Ulqinit vazhdon të jetë një nga produktet më të kërkuara të sezonit veror, falë cilësisë, shijes dhe traditës së kultivimit.
Sipas tyre, organizime të tilla jo vetëm që promovojnë bujqësinë vendase, por krijojnë edhe mundësi të reja për zhvillimin e tregut, forcimin e bashkëpunimit mes prodhuesve dhe rritjen e vlerësimit për produktet autentike të Ulqinit.
Ekspozuesit falënderuan Komunën e Ulqinit, Sekretariatin për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, si dhe Organizatën Turistike të Ulqinit për mbështetjen dhe angazhimin në organizimin e këtij manifestimi, duke shprehur dëshirën që ai të vazhdojë të organizohet çdo vit me pjesëmarrje edhe më të madhe.
Programi artistik u përmbyll me performancën e grupit “Espressivo Band”, i cili krijoi një atmosferë festive dhe argëtuese për të gjithë të pranishmit.
D. Teliqi
