Ikonë e rapsodisë shqiptare – magjistar i lahutës

Jonuz Delaj e mbarti lahutën si pjesë të qenies së vet, duke kënduar këngë epike të mësuara gojarisht, pa shkrim e pa stenografi, vetëm me kujtesën, zërin dhe forcën shpirtërore. Për të lahuta nuk ishte vetëm instrument, por dëshmi e identitetit dhe e historisë shqiptare

Lajmi i trishtë u përhap si vetëtima në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë, se të enjten, më 16 prill 2026, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare lahutari i njohur i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj, një prej figurave më të rralla dhe autentike të folklorit shqiptar – ikonë e rapsodisë shqiptare.
I lindur më 24 prill të vitit 1950 në Nikç të Kelmendit, në Malësinë e Madhe, ai mbi gjashtë dekada të jetës së vet ia kushtoi lahutës dhe këngës epike shqiptare, duke u kthyer në një simbol të gjatë të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore.
Që në moshën 6-vjeçare ai nisi me lahutën, një instrument që e trashëgoi nga babai dhe gjyshi, duke u rritur mes traditave të forta malësore. Gjithë jetën i këndoi historisë së Malësisë, figurave të saj heroike dhe ngjarjeve që formësuan identitetin shqiptar.
I ndikuar dhe frymëzuar nga Gjergj Fishta dhe kryevepra e tij Lahuta e Malësisë, Jonuz Delaj arriti të ruajë dhe përcjellë me përkushtim të rrallë ciklin e Kreshnikëve, duke fituar vlerësimin si mjeshtër i rrallë i këtij instrumenti dhe duke u cilësuar nga shumëkush si “profesor” i lahutës.
Jonuz Delaj, gjatë jetës së vet të bujshme dhe të vrullshme, krijoi dhe interpretoi qindra këngë epike, duke u dhënë zë figurave historike si Oso Kuka, Isa Boletini, Ali Pashë Gucia, Prek Cali dhe shumë të tjerëve, duke i dhënë zë historisë dhe krenarisë së Malësisë.
Pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm në rapsodinë shqiptare me lahutë, Jonuz Delaj jetoi me vështirësi ekonomike, duke punuar edhe si saldator në vitet e fundit të jetës, ndërsa pensioni i tij mbetej minimal. Një realitet i dhimbshëm për një artist që për dekada përfaqësoi me dinjitet kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit, duke e çuar lahutën shqiptare përtej kufijve, duke marrë pjesë në festivale kombëtare e ndërkombëtare, nga Ohri në Venecia, duke çuar zërin e lahutës shqiptare në skena të ndryshme të botës.
Jonuz Delaj ishte gjithashtu një nga zërat e hershëm që kontribuoi për përfshirjen e lahutës në UNESCO, një arritje që u konkretizua në dhjetor të vitit 2025.
Ikja e tij në amshim, lë një boshllëk të madh në kulturën shqiptare dhe ngre sërish pyetjen për fatin e trashëgimisë sonë folklorike.
Lahutari i denjë dhe i paepur, Jonuz Delaj, la pas një amanet të thjeshtë, por të fuqishëm – të ruajmë gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar.
Me ndarjen e Jonuz Delajt nga jeta, Shqipëria humbi një prej zërave të saj më autentikë, një ikonë të rapsodisë shqiptare dhe lahutarin që i këndoi historisë deri në frymën e fundit.
Me kalimin në amshim të Jonuz Delajt, kultura shqiptare humbi jo vetëm një lahutar, por një epokë të gjallë të kujtesës sonë historike. I ardhur nga Malësia e Madhe, ai u njoh si “magjistari i lahutës” dhe shpesh u cilësua si një nga bartësit e fundit autentikë të Eposit të Kreshnikëve. Ai u largua nga jeta, por zëri i tij mbetet i gdhendur në tingullin e lahutës, në epikën shqiptare dhe në kujtesën tonë kolektive.
Jonuz Delaj e mbarti lahutën si pjesë të qenies së vet, duke kënduar këngë epike të mësuara gojarisht, pa shkrim e pa stenografi, vetëm me kujtesën, zërin dhe forcën shpirtërore. Për të lahuta nuk ishte vetëm instrument, por dëshmi e identitetit dhe e historisë shqiptare.
Malësia e Madhe dhe jo vetëm, nuk humbi vetëm një artist, por një kujtesë të gjallë të historisë dhe identitetit tonë. Përmes lahutës së tij, ai mbajti gjallë dashurinë për vendin, traditën dhe vlerat tona.
Jonuz Delaj do të kujtohet jo vetëm për artin që la pas, por edhe për përkushtimin, thjeshtësinë dhe shpirtin e tij fisnik që e karakterizonte.
Pushofsh në paqe, lahutar i paharruar, Jonuz Delaj!

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat