Ulqin – Ministrja e Turizmit e Malit të Zi, Simonida Kordiq, zhvilloi të hënën (25 maj 2026) një vizitë zyrtare në Ulqin, ku u takua me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, si dhe me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit turistik.
Në fokus të takimit ishin rezultatet e deritanishme të sezonit turistik, investimet në infrastrukturën turistike, projektet për zgjatjen e sezonit gjatë gjithë vitit dhe organizimi i festivalit ndërkombëtar “EXIT”, i cili këtë verë do të mbahet në Ulqin.
Në takim morën pjesë edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Turizmit, Vuk Zhizhiq, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare, Mlladen Mikijel, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, si dhe drejtori i Ndërmarrjes Hotelierike “Riviera e Ulqinit”, Armend Milla.
Në deklaratën për media, ministrja Kordiq theksoi se Ulqini vazhdon të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Mal të Zi dhe se interesimi i turistëve ndërkombëtarë për këtë qytet po rritet nga viti në vit.
“Ulqini është një nga zonat turistike më të bukura dhe më të vlefshme në Mal të Zi. Vetë fakti që numri i turistëve është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit tregon qartë se ky qytet po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mysafirëve ndërkombëtarë. Edhe në këtë periudhë para sezonit, Ulqini tashmë po regjistron një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rezultatet janë dukshëm më të mira edhe në raport me vitin referues 2019. Kjo është dëshmi se Ulqini po e forcon pozicionin e tij në hartën turistike të rajonit dhe më gjerë”, deklaroi Kordiq.
Ajo shtoi se institucionet shtetërore do të vazhdojnë investimet në zhvillimin e përmbajtjeve të reja turistike, me qëllim që qyteti të mos mbetet vetëm një destinacion sezonal veror.
“Ajo që është me rëndësi për ne është që të vazhdojmë ta zhvillojmë Ulqinin si një destinacion që funksionon gjatë gjithë vitit. Po investojmë në degë të ndryshme të turizmit dhe në aktivitete që do të mundësojnë që sezoni 365 ditë të bëhet realitet dhe jo vetëm një synim në letër. Ulqini ka potencial të jashtëzakonshëm natyror, kulturor dhe historik dhe ne duam që këto vlera të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë”, u shpreh ministrja e Turizmit.
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe organizimi i festivalit të njohur ndërkombëtar “EXIT”, i cili pritet të mbahet në fillim të korrikut në Ulqin. Sipas ministres së Turizmit, ky festival do të ketë ndikim të madh në promovimin ndërkombëtar të qytetit.
“Festivali ‘EXIT’ është një brend ndërkombëtar që sjell mijëra vizitorë dhe artistë të njohur botërorë. Turizmi përmes festivaleve është një nga sektorët ku Ministria e Turizmit investon përmes programeve mbështetëse. Përveç manifestimeve lokale që ne i mbështesim rregullisht, organizimi i ‘EXIT’-it në Ulqin do të ndikojë fuqishëm në profilizimin e qytetit si një destinacion jo vetëm bregdetar, por edhe kulturor dhe artistik. Ulqini po bëhet një qytet ku zhvillohen ngjarje të mëdha kulturore dhe festivale ndërkombëtare, gjë që ndikon drejtpërdrejt në diversifikimin e ofertës turistike”, deklaroi Kordiq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, falënderoi Ministrinë e Turizmit për bashkëpunimin dhe mbështetjen konkrete në realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetin.
Ai veçoi ndërtimin e Qendrës për turizëm dhe kulturë në Ranë, si një nga projektet më të rëndësishme për promovimin dhe zhvillimin e jetës kulturore dhe turistike në Ulqin.
“Kjo vizitë ishte një mundësi shumë e mirë që ta falënderojmë Ministrinë e Turizmit për mbështetjen konkrete dhe bashkëfinancimin e ndërtimit të Qendrës për turizëm dhe kulturë në Ranë. Projekti tashmë po merr formën përfundimtare ndërtimore dhe përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm për qytetin tonë. Këto janë projekte konkrete që po realizohen me mjete të Ministrisë dhe të Komunës, me synim promovimin e Ulqinit dhe zgjatjen e sezonit turistik”, tha Nimanbegu.
Ai konfirmoi zyrtarisht se festivali “EXIT” do të mbahet në Ulqin në fillim të korrikut dhe theksoi rëndësinë që ky organizim ka për promovimin ndërkombëtar të qytetit dhe të Plazhit të Madh.
“Ne e konsiderojmë organizimin e ‘EXIT’-it si një mundësi jashtëzakonisht të favorshme për promovimin e vlerave të Ulqinit dhe të Plazhit të Madh. Organizatorët kanë premtuar se festivali do të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe me respekt për natyrën, kulturën dhe identitetin e qytetit tonë. Besojmë se kjo ngjarje do të tërheqë turistë jo vetëm nga rajoni, por edhe nga shumë vende të Evropës”, deklaroi ai.
Pas takimit në Komunën e Ulqinit, ministrja Kordiq vizitoi “Rivierën e Ulqinit”, ku u prit nga drejtori Armend Milla. Gjatë vizitës u prezantuan investimet e realizuara, kapacitetet ekzistuese dhe planet për rinovimin e objekteve turistike në Adën e Bunës.
Drejtori Milla theksoi se bashkëpunimi me institucionet shtetërore është thelbësor për zhvillimin e projekteve të mëdha turistike.
“Ndërmarrja ‘Riviera e Ulqinit’ ka bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet e Qeverisë së Malit të Zi, me Ministrinë e Turizmit, Ndërmarrjen për Menaxhimin e Të Mirave Detare dhe Komunën e Ulqinit. Pa mbështetjen e tyre do të ishte shumë i vështirë realizimi i shumë projekteve. Ministrja pati mundësinë të shohë nga afër kapacitetet ekzistuese, ato të rinovuara, por edhe objektet që kërkojnë investime të reja. Besojmë se deri në vitin 2031 Ada e Bunës do të jetë një destinacion me standard katër yje. Ada e meriton këtë dhe ky mbetet qëllimi ynë kryesor”, deklaroi ai.
Pavarësisht deklaratave optimiste dhe projekteve të paralajmëruara, mbetet për t’u parë se sa prej këtyre premtimeve do të realizohen konkretisht në terren. Ulqini prej vitesh përballet me probleme infrastrukturore, mungesë investimesh të qëndrueshme, menaxhim të dobët të hapësirave publike dhe sezon turistik të përqendruar kryesisht vetëm në muajt e verës. Edhe pse organizimi i festivalit “EXIT” dhe projektet e reja kulturore mund të sjellin promovim të rëndësishëm ndërkombëtar, qytetarët dhe sektori turistik presin rezultate konkrete që do të ndikojnë realisht në përmirësimin e kushteve, shërbimeve dhe zhvillimin afatgjatë të qytetit. Sfida kryesore mbetet nëse Ulqini do të arrijë ta shfrytëzojë këtë moment për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo vetëm për promovim sezonal.
D. Teliqi
