Tri parti politike shqiptare – Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar kanë zyrtarizuar të shtunën (30 maj 2026) në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit bashkimin e tyre në një subjekt të vetëm politik, Forumi Shqiptar,
Në deklaratën për media të Forumit Shqiptar thuhet se “ky akt i rëndësishëm formalizoi unitetin politik të shqiptarëve në Malin e Zi, me qëllim forcimin e mëtejshëm të përfaqësimit politik, mbrojtjen e interesave kombëtare, ruajtjen dhe përmirësimin e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës, kontributin më të fortë në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të shoqërisë, sundimin e ligjit, integrimin evropian dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve”.
Sipas Forumit Shqiptar, kjo forcë politike përbën sot subjektin më të madh politik në historinë moderne të parlamentarizmit në Malin e Zi.
“Unifikimi është rezultat i një vizioni të përbashkët dhe konfirmim se uniteti politik sjell rezultate konkrete, gjë që konfirmohet nga sukseset e arritura në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët, forcimi i përfaqësimit parlamentar dhe pjesëmarrja më e madhe e shqiptarëve në institucionet e sistemit”, thekson deklarata.
Bashkimi, sipas këtij subjekti politik, është një përgjigje ndaj kërkesave të kahershme të qytetarëve dhe diasporës sonë, e cila për vite me radhë mbështeti fuqimisht idenë e unitetit politik si një parakusht për një afirmim më të fortë të interesave kombëtare dhe një zhvillim më të barabartë të zonave ku jetojnë shqiptarët.
“Forumi Shqiptar do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, zhvillimi, integrimi dhe fuqizimi politik i shqiptarëve në Malin e Zi, i bindur se përmes unitetit mund të arrihen rezultatet më të mëdha dhe mund të ndërtohet një e ardhme edhe më e fortë e komunitetit tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në përputhje me Marrëveshjen e Bashkimit, deri në mbajtjen e Kongresit Themelues, Forumi Shqiptar do të drejtohet nga Nik Gjeloshaj, i cili deri tani ka qenë kryetar i Alternativës Shqiptare, njëherazi zëvendëskryeministër për Politikën Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi.
Partitë që janë bashkuar në Forumin Shqiptar kanë qenë pjesë e koalicionit në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale në komunën e Tuzit, si dhe bashkëqeverisin në këtë komunë.
(Kohapress)
