Ulqini bëhet më në fund me transport publik

Ulqin – Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar në seancën e fundit vendimin për themelimin e ndërmarrjes “Transporti Urban”, e cila do të menaxhojë në të ardhmen sistemin e transportit publik.
Ulqini është ndër qytetet e pakta në Malin e Zi, i cili nuk ka transport të organizuar publik. Kjo është konsideruar shpesh si një mangësi për një qytet turistik bregdetar, siç është Ulqini, sidomos gjatë verës kur numri i banorëve të tij shumëfishohet.
Për këtë arsye, administrata aktuale e Komunës së Ulqinit ka theksuar se e ka ndër prioritetet kryesore zgjidhjen e këtij problemi.
“Transporti publik është një nga temat kryesore që prek qytetarët në jetën e përditshme dhe për Sekretariatin për Veprimtari Komunale dhe Banesore është një prioritet i rëndësishëm. Ulqini nuk ka pasur një transport publik të rregullt deri më sot. Qytetarët duan të kenë një transport publik të rregullt dhe të besueshëm gjatë gjithë vitit”, ka deklaruar më herët sekretari i Sekretariatit për Veprimtari Komunale dhe Banesore, Leart Taipi.
Për fillimin e punës së kësaj ndërmarrjeje, Komuna e Ulqinit ka blerë deri tani pesë minibusë.
Themelimi i kësaj ndërmarrjeje dhe fillimi i punës së saj pritet të zgjidhë problemin e mungesës së transportit publik në shumë linja brenda qytetit dhe në zonat rurale të komunës së Ulqinit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat