Një xhiro para përfundimit të kampionatit në Ligën e Dytë Futbollistike të Malit të Zi, “Otrant-Olympic” e ka siguruar kualifikimin në Ligën e Parë, duke u rikthyer vetëm pas një sezoni aty ku e ka vendin – në mesin e ekipeve më të mira në Malin e Zi.
Në xhiron e parafundit (35), e cila është luajtur të mërkurën e kaluar (20 maj 2026), “Otrant-Olympic” ka mposhtur në fushën e vet kundërshtarin e drejtpërdrejtë për titull – KF “Grbalj” me rezultatin 4-2. Ecurinë pozitive gjatë këtij viti, ekipi nga Ulqini e ka vulosur me fitoren ndaj “Kom”-it në fushën kundërshtare, në xhiron e fundit të kampionatit. Me 74 pikë të grumbulluara, shtatë më shumë se “Grbalj”-i i vendit të dytë, “Otrant-Olympic” ka dëshmuar superioritetin në Ligën e Dytë Futbollistike të Malit të Zi.
Festa e filluar në stadium, pas fitores, ka vazhduar deri në orët e vona në Pazarin e Suvenirëve, ku lojtarëve, përfaqësuesve të ekipit dhe atyre të Komunës së Ulqinit, e cila është themelues dhe donator kryesor i këtij klubi, u janë bashkëngjitur edhe tifozët e zjarrtë ulqinakë dhe miq të tjerë. Ata janë argëtuar nën shoqërinë e muzikës nga këngëtarët vendas – Gëzim Salaj, Tahir Vogliqi dhe Jenuz Muharremi me grupin e tij.
I pranishëm në ceremoninë e festimit, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se nuk ka lejuar që politika të përzihet në KF “Otrant-Olympic”.
I kënaqur dhe i emocionuar për arritjen e këtij rezultati historik, ai ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për KF “Otrant-Olympic”.
“Mbështetja e Komunës së Ulqinit për klubin ‘Otrant’ është mbështetje për të gjithë sportin tonë, është mbështetje për rininë tonë. Prandaj të jeni të sigurt që ky klub do të jetë fitues edhe në Ligën e Parë. Unë shpresoj që ky klub do t’i përmbushë të gjitha dëshirat tuaja”, ka thënë ai, duke përgëzuar drejtuesit e KF “Otrant-Olympic”, të gjithë futbollistët dhe trajnerin Milija Savoviq për rezultatin e arritur.
“Otrant-Olympic” ka zhvilluar sivjet një sezon të mirë, ku përveç shpalljes kampion i Ligës së Dytë ka arritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Malit të Zi, ku është mundur nga ekipi i Deçiqit nga Tuzi.
Rikthimi në Ligën e Parë Futbollistike ka shtuar edhe pritjet e tifozërisë dhe adhuruesve të futbollit në Ulqin. Pas aventurës në Ligën e Parë të Malit të Zi, që zgjati vetëm një sezon (2024/2025), tashmë ulqinakët duken më me përvojë dhe shpresojnë të mos i përsërisin gabimet e së kaluarës. Edhe infrastruktura është rregulluar dukshëm, duke bërë të mundur që ndeshjet t’i luajnë në fushën e vet, për dallim prej sezonit 2024/2025, kur për shkak të mos plotësimit të standardeve të stadiumit në Plazhin e Madh, kanë qenë të detyruar që pjesën më të madhe të ndeshjeve si mikpritës t’i luajnë jashtë Ulqinit.
i. k.
