Plavë – Në takimin e përfaqësuesve të Komunës së Plavës, delegacionit të Bankës Botërore në krye me shefin e operacioneve Denis Mesihoviq dhe ekipit projektues në krye me Vlladan Dubleviq, të mbajtur të enjten, më 13 maj 2026, janë konfirmuar hapat e ardhshëm në kuadër të programit SDIP II, lidhur me rivitalizimin dhe mbrojtjen e liqenit të Plavës në përputhje me standardet e Bankës Botërore.
Nëpërmes buxhetit kapital të Ministrisë së Punëve Publike do të shpallet tenderi ndërkombëtar për hartimin e dokumentacionit projektues të fazës së parë të rivitalizimit, i cili do të përfshijë largimin e sedimenteve nga pjesa e liqenit, masat antierozive në pellg dhe stabilizimin e brigjeve të lumit Luça, si dhe analizat e aluvioneve, përmbytjeve, cilësisë së ujit dhe zonave erozive, me çka për herë të parë do të bëhet i mundur fillimi i zgjidhjes afatgjatë të problemit të liqenit të Plavës.
Pas përfundimit të dokumentacionit projektues dhe miratimit nga Banka Botërore, do të jetë e njohur edhe lartësia e mjeteve për zhvillimin e punëve nëpërmjet programit SDIP II, me çka do të mbyllet financimi i plotë i projektit.
Liqeni i Plavës sot nuk është vetëm çështje ekologjike, por çështje e zhvillimit të Plavës, mbrojtjes së hapësirës dhe ardhmërisë së tërë trevës.
“Falënderim i sinqertë Bankës Botërore, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike në mbështetjen e këtij projekti të rëndësishëm”, është shprehur në fjalën e rastit kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Sh. Hasangjekaj
