Zëvendëskryeministri për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Malit të Zi, njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, ka zhvilluar javën e kaluar (19 maj 2026) një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë së cilës është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Klodiana Spahiu, dhe me anëtarët e grupit parlamentar të miqësisë Mali i Zi – Shqipëri.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi thuhet se gjatë bisedimeve përmbajtësore dhe miqësore janë konfirmuar marrëdhëniet tradicionale të mira dhe intensive ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, besimit reciprok dhe përkushtimit të përbashkët ndaj vlerave evropiane dhe euroatlantike, duke konstatuar se ndërmjet dy vendeve nuk ekzistojnë çështje të hapura.
“Në takimin me ministrin Hoxha, u diskutua për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit brenda aleancës së NATO-s. Theks i veçantë u vu në lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike, duke përfshirë zhvillimin e potencialit turistik në zonën kufitare dhe bashkëpunimin më të ngushtë midis biznesmenëve të të dy vendeve”, thekson deklarata për shtyp e Ministrisë së Punëve të Jashtme së Malit të Zi.
Ndërkaq ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar se kjo vizitë ka një domethënie të veçantë, jo vetëm për frymën shumë të mirë dhe përmbajtësore të marrëdhënieve dhe dialogut politik, por edhe për simbolikën që mbart, pasi zhvillohet në 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, njëkohësisht me 20-vjetorin e rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi.
Ai ka thënë se janë marrë vesh që vëmendja duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te projektet ndërkufitare që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve në të dy anët e kufirit.
“Në këtë kuadër, do të angazhohemi për t’u dhënë shtysë projekteve prioritare si hapja e Pikës së Përbashkët Kufitare Zogaj–Skje, avancimi i projektit të Urës mbi lumin Buna, si dhe hekurudha Podgoricë – Hani i Hotit”, ka deklaruar ai.
Lidhur me këtë, ministri Hoxha ka propozuar që në një moment të përshtatshëm të zhvillohet një takim ndërqeveritar i modelit Qeveri me Qeveri, si një mekanizëm i rëndësishëm për të avancuar projektet konkrete ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes.
Gjatë takimeve me nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, dhe anëtarët e grupit parlamentar të miqësisë Mali i Zi – Shqipëri, është konfirmuar rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar si një nxitje shtesë për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe.
Vizita e ministrit Ervin Ibrahimoviq në Tiranë ka përfunduar me pritjen me rastin e 20-vjetorit të ripërtëritjes së pavarësisë së Malit të Zi, të organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Tiranë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Shqipërisë, trupit diplomatik, komuniteteve fetare, diasporës dhe miqve të Malit të Zi.
Pavarësisht se në deklaratën e ministrit Hoxha thuhet se në takim është folur edhe për pikën kufitare Skje – Zogaj, nuk është bërë e ditur një datë konkrete se kur do të hapet ajo.
(Kohapress)
