Shkolla fillore “Marshall Tito”, shkolla më e madhe fillore në Ulqin, shënoi të martën (26 maj 2026) Ditën e Shkollës, me një aktivitet të pasur kulturor-artistik, të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Programi mblodhi prindër, arsimtarë, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë të shumtë, duke dëshmuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që kjo shkollë ka në jetën arsimore dhe kulturore të qytetit.
Nxënësit prezantuan pika të ndryshme artistike, duke shfaqur talentin dhe përkushtimin e tyre, ndërsa mësimdhënësit u vlerësuan për punën dhe angazhimin në përgatitjen e aktivitetit.
Në hapje të manifestimit, të pranishmit i përshëndeti drejtoresha e shkollës, Ferida Hajdinaga, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes shkollës, nxënësve dhe prindërve në arritjen e sukseseve të vazhdueshme.
“Dita e shkollës nuk është vetëm një datë në kalendar. Është një moment kur ndalemi dhe shikojmë rrugën që kemi kaluar së bashku, dijen që kemi ndarë dhe gjurmët që kemi lënë te njëri-tjetri. Shkolla është shumë më tepër se klasa, libra dhe nota. Ajo është vendi ku fëmijët mësojnë të besojnë në veten e tyre, të zgjasin dorën drejt mikut dhe të ngrihen pas dështimeve”, tha Hajdinaga.
Ajo falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin e tyre, prindërit për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe donatorët që mbështesin zhvillimin e arsimit, duke theksuar se investimi në arsim është investimi më i çmuar për të ardhmen e shoqërisë.
Një pjesë të veçantë të fjalimit të saj, ajo ua kushtoi nxënësve të klasave të nënta.
“Të dashur maturantë, para jush shtrihen rrugë dhe sfida të reja. Merrni me vete dijen që keni fituar, por mbi të gjitha merrni njerëzillëkun, sepse njeriu nuk mbahet mend vetëm për sukseset, por edhe për gjurmët e mirësisë që lë pas”, u shpreh ajo.
Në emër të Komunës së Ulqinit, të pranishmit i përshëndeti kryetari Genci Nimanbegu, i cili përgëzoi shkollën për rezultatet e arritura ndër vite dhe për statusin që ka fituar në sistemin arsimor.
“Edhe pse kjo shkollë këtë vit shënon 58-vjetorin e saj, gjatë viteve është ndërtuar si një institucion elitar i arsimit në Mal të Zi dhe ky status është plotësisht i merituar”, tha Nimanbegu.
Ai theksoi se Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të investojë në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe procesin mësimor.
“Qëllimi ynë është të krijojmë kushte sa më të mira për të rinjtë. Kemi planifikuar investime të reja në infrastrukturën shkollore, ndërsa deri në fillim të vitit të ardhshëm do të realizohen punime për rregullimin e hyrjes së shkollës. Këto investime janë detyrimi ynë ndaj brezave të rinj”, deklaroi ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit shprehu gjithashtu shqetësimin për rënien demografike dhe zvogëlimin e numrit të nxënësve, duke bërë thirrje për një angazhim më të madh të të gjithë faktorëve shoqërorë.
“Në të ardhmen duhet të lidhemi edhe më fort me njëri-tjetrin si komunitet. Të rinjtë tanë janë e ardhmja e Ulqinit dhe e gjithë shoqërisë sonë”, tha Nimanbegu.
Në kuadër të manifestimit u ndanë edhe mirënjohje për nxënësit e dalluar që kanë arritur rezultate të shkëlqyera gjatë vitit shkollor në mësime dhe aktivitete të ndryshme. Për nxënëse të gjeneratës u shpall Llorena Jacoviq.
Manifestimi përfundoi duke lënë mbresa të bukura te të pranishmit dhe duke dëshmuar edhe një herë frymën krijuese, edukative dhe bashkëpunuese që kultivohet në këtë institucion arsimor.
D. Teliqi
