Një iniciativë (propozim) për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, që parashikon futjen e listave të hapura zgjedhore, është njoftuar ditë më parë nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS).
Sipas njoftimit për media të kësaj partie, ky model do t’u mundësonte votuesve që, përveç votës për listën zgjedhore, të japin edhe mbështetje preferenciale për kandidatët brenda saj, duke mundësuar deri në 10 vota preferenciale për kandidatët për deputetë dhe deri në 5 për këshilltarë në zgjedhjet lokale.
Lidhur me qëndrimet ndaj kësaj nisme, biseduam me disa përfaqësues të partive politike.
Simon Ivezaj nga Partia Demokratike e Socialistëve, për gazetën tonë thotë se ky është një hap në drejtim të demokratizimit më të madh të sistemit zgjedhor.
“Në këtë mënyrë, qytetarëve u jepet mundësia që të mos vendosin vetëm për subjektet politike, por edhe për individët konkretë që do t’i përfaqësojnë, duke rritur kështu përgjegjësinë e përfaqësuesve të zgjedhur ndaj votuesve”, shprehet Ivezaj.
Megjithatë, shton ai, është e rëndësishme të theksohet se reforma zgjedhore nuk duhet të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme politike, por i një dialogu të gjerë dhe marrëveshjeve mes të gjithë aktorëve relevantë.
“Si të pushtetit, ashtu edhe të opozitës, si dhe të komunitetit profesionist dhe shoqërisë civile. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zgjidhje që do të ketë legjitimitet të plotë dhe do të kontribuojë në rritjen e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet e sistemit”, thotë Ivezaj.
Ndërkohë, Fadil Kajoshaj nga Unioni Nacional Shqiptar thotë se propozimi për futjen e listave të hapura zgjedhore është një hap i rëndësishëm në drejtim të avancimit të standardeve demokratike dhe rritjes së transparencës në procesin zgjedhor në Mal të Zi.
“Në krahasim me sistemin aktual të listave të mbyllura, ku renditja e kandidatëve përcaktohet kryesisht nga strukturat partiake, modeli i listave të hapura u jep qytetarëve më shumë fuqi direkte për të ndikuar se cilët individë do t’i përfaqësojnë. Kjo e forcon lidhjen mes votuesit dhe përfaqësuesit, duke rritur përgjegjshmërinë dhe legjitimitetin e të zgjedhurve”, shprehet Kajoshaj.
Ai thotë se sa u përket pakicave, përfshirë shqiptarët në Malin e Zi, “ky model mund të ketë efekt veçanërisht pozitiv”.
“Kandidatët që gëzojnë mbështetje reale në terren, edhe nëse nuk janë të renditur lart në listat partiake, do të kenë mundësi reale të fitojnë mandate përmes votës preferenciale. Kjo rrit gjasat për përfaqësim më autentik dhe më të drejtë të interesave të qytetarëve”, thotë Kajoshaj.
Ai më tej shton se në aspektin praktik, “është e vërtetë që strukturat partiake dhe mënyra aktuale e organizimit të fushatave kanë ndikim të fortë në procesin zgjedhor”.
“Megjithatë, listat e hapura nuk e përjashtojnë rolin e partive, por e balancojnë atë me vullnetin e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Me kalimin e kohës, ky model mund të nxisë edhe brenda partive kulturë më demokratike, duke promovuar kandidatë më cilësorë. Jam i bindur se listat e hapura do të jenë reformë pozitive dhe demokratike, e cila jo vetëm që rrit përfshirjen qytetare, por edhe kontribuon në ndërtimin e një sistemi politik më përfaqësues, më transparent dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, përfshirë edhe pakicat”, thotë Kajoshaj.
Ndërkohë, Samir Axhoviq nga Socialdemokratët ndien keqardhje që ky propozim vjen shumë vonë, pas pothuajse tri dekadash parlamentarizëm në Mal të Zi.
“Si përfaqësues i një partie që angazhohet për lista të hapura, ky propozim më ka gëzuar sinqerisht. Mendoj se modeli i deritanishëm u ka mundësuar personave të ndryshëm, me kontribut modest ose fare të vogël në proceset politike, të arrijnë pozita të larta duke u fshehur pas emrit të partisë që i ka deleguar, apo thjesht falë fatit, duke shfrytëzuar rrethana të favorshme për të siguruar pozicione”, shprehet Axhoviq.
Ai më tej shpreh besimin se me futjen e listave të hapura do të nxirreshin në pah individë që vërtet janë të aftë të merren me politikë.
“Në fund të fundit, kjo do të tregonte se sa i vlerëson realisht populli politikanët e caktuar. Kjo gjithashtu do të eliminonte disa anomali që kemi pasur rast t’i shohim edhe në nivel lokal, si për shembull, kur në zgjedhjet e fundit kandidati i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ishte bartës i listës dhe fitoi besimin e votuesve, por më pas, papritur dhe pas një periudhe të caktuar kohe, u tërhoq nga ajo pozitë dhe ia la një kolegu partiak. Mendoj se në këtë mënyrë votuesit, në njëfarë mënyre, janë zhgënjyer. Me futjen e listave të hapura, besoj se kjo do të ndryshonte”, shprehet Axhoviq.
Për këtë nismë, gazeta “Koha javore” ka kontaktuar edhe me përfaqësues të Alternativës Shqiptare për një koment, por nuk ka marrë përgjigje deri në hyrjen e gazetës në shtyp.
Ndërkaq, analisti dhe aktivisti qytetar Xhevdet Pepiq i tha “Kohës javore” se ai i ka mbështetur listat e hapura që nga viti 1992, duke thënë se në shoqërinë malazeze, si një shoqëri e vogël, sistemi më i mirë do të ishte ai i listave të hapura.
“Që të dish se kë zgjedh dhe kush të zgjedh. Por mendoj se PDS-ja ka vonuar pak me këtë nismë, sepse praktikisht kurrë nuk ka qenë për këtë. E gjithë kjo histori rreth ligjit zgjedhor për mua duket si një shfaqje krejtësisht për dukje, sepse pa lista të hapura zgjedhore nuk mund të shkojmë më tej”, shprehet ai.
Pepiq më tej thekson se natyrisht se as listat e hapura në vetvete nuk janë shpëtim, “sepse ka aty edhe probleme të mëdha, por nëse Mali i Zi do që të fillojë të ngjasojë në një shoqëri qytetare dhe demokratike, atëherë na duhen listat e hapura”.
Ai mendon se ky veprim i PDS-së i ngjason më shumë si një tërheqje për ruajtjen e elektoratit në prag të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2027.
“Kur flet me të gjithë përfaqësuesit politikë në Mal të Zi, ata të gjithë janë a priori për lista të hapura, por praktikisht askush nuk do që të fillojë me këtë realizim. Pse? Sepse është dëshmuar se për krerët partiakë ky sistem, që shefi të zgjedhë deputetët, është shumë më fitimprurës për vetë liderët”, shprehet Pepiq.
Ndërkaq, nga zyra e Presidentit Jakov Millatoviq kanë deklaruar se “është mirë që PDS-ja propozon sot atë kundër së cilës ka qenë për vite me radhë. Është mirë që përfundimisht kanë arritur tek ideja se qytetarët duhet të zgjedhin njerëzit me emër dhe mbiemër e jo të votojnë për emrin e partisë dhe të shefit të tyre”.
T. Ujkaj
