Aktivitet me rëndësi për forcimin e lidhjeve sportive dhe kulturore

Gjatë fundjavës në Durrës u zhvillua me sukses edicioni i 21-të i Kampionatit Mbarëkombëtar të Futbollit për grupmoshën deri në 15 vjeç, ku morën pjesë gjashtë ekipe nga trevat shqiptare.
Kampion i edicionit të sivjetshëm u shpall Durrësi, i cili në finale fitoi ekipin “Arbanasi” nga Zara me rezultatin 2:1. Në ndeshjen për vendin e tretë u përballën “Otranti” nga Ulqini dhe Tetova. Në kohën e rregullt, ndeshja u mbyll me rezultatin 2:2, por me penallti fitoi Tetova.
Vendin e pestë e zuri Peja, e cila fitoi ndaj Bujanocit me rezultatin 5:3.
Lojtari më i mirë i turneut u shpall Matijas Memeti, portieri më i mirë Lluka Zelençiq, golshënuesi më i mirë Leard Salihi, kurse ekipi më fair-play “Otranti” nga Ulqini.
Të rinjtë pjesëmarrës në këtë kampionat treguan talentin dhe shpirtin sportiv, në një atmosferë miqësore, fair-play dhe pasioni për sportin.
Përtej aspektit sportiv, Kampionati Mbarëkombëtar i Futbollit për grupmoshën U15 shihet si një aktivitet me rëndësi edhe për forcimin e lidhjeve ndërkulturore midis të rinjve shqiptarë.
E veçanta e edicionit të këtij viti ishte pjesëmarrja e KF “Arbanasi” nga Zara, ekip që edhe në edicione të mëparshme të këtij kampionati ka marrë pjesë, duke treguar për lidhjet shpirtërore arbërore-shqiptare.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat