
Sikurse është e njohur, më 7 qershor 2026 do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. U takon qytetarëve të Kosovës të zgjedhin udhëheqësinë e vet politike, por si profesionist politik vlerësoj se, sot për sot, Kosova nuk ka parti më të mirë politike se Vetëvendosja, në krye me liderin e njohur politik Albin Kurti.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, Albin Kurti është kandidat për kryeministër. Po ashtu, në listën e Vetëvendosjes mund të vërehen një numër i madh i kandidatëve për deputetë të mirëfilltë, intelektualë të lartë, nga të cilët mund të pritet sendërtimi i një politike progresive në Kosovë.
Meqenëse Kosova ka nevojë për reforma thelbësore të sistemit shoqëror-ekonomik, politik-juridik, arsimor-kulturor, si dhe në fushën e shëndetësisë, zbatim kosekuent të pushtetit ligjor, demokratizim dhe evropeizim, integrim në Bashkësinë Evropiane dhe NATO, mendoj se është e preferueshme që më 7 qershor qytetarët në Kosovë, si dhe diaspora e Kosovës, të jenë unikë e të dalin masivisht në votime për të votuar Listën Vetëvendosje, për të mirën e vendit, sepse, ajo me siguri do t‘i sjellë vendit ndryshime pozitive.
Mirëpo, është me rëndësi që votuestit mos të bien nën ndikimin e manipulimeve të partive tjera, mos t‘i humbin votat nëpër parti të ndryshme, por t‘i bashkojnë votat në një vend, në Vetëvëndosje, sepse Kosova në këto zgjedhje gjendet në një udhëkryq politik dhe historik për ardhmërinë e saj. Andaj, nga këto zgjedhje pritet të dalë një qeveri e fortë, reformatore, e qëndrueshme dhe kompetente, me kuadro të moralshëm dhe patriotë. Për këtë arsye në Kosovë dhe diasporë duhet të bëhet një mobilizim i madh i qytetarëve për votën e një politike pozitive- progresive.
Për këtë arsye, është shumë me rëndësi që Vetëvendosja në këto zgjedhje të fitojë rreth 60 për qind të votave parlamentare, në mënyrë që ajo vetë të ketë mundësi për ta formuar qeverinë e re, si dhe për të zgjedhur presidentin e Republikës së Kosovës, pa pasur nevojë për koalicione me parti të tjera politike, të pëziera në korrupsion dhe krim të organizuar, me gardën e vjetër politike të konsumuar, e cila dështoi më se 20 vite në politikën e brendshme dhe të jashtme në rrafshin ndërkombëtar, apo me Listën Serbe (të Vuçiqit).
Prandaj, jam i bindur se qytetarët e Kosovës janë mjaft vigjilentë për ta kuptuar krizën politike të kuadrove të Kosovës, respektivisht të gardës së vjetër politike. Andaj, për ecjen përpara, për përparimin dhe progresin e Kosovës, respektivisht për shpëtimin e vendit është e domosdoshme një politikë funksionale, demokratike, e mbështetur në pushtetin ligjor dhe qeverisjen e mirë. Mu për këtë arsye, shpresoj që në zgjedhjet e 7 qershorit do të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve për Lëvizjen Vetëvendosje.
Respektivisht, vullneti i popullit në këtë udhëkryq politik në Kosovë duhet të shprehet në mënyrë plebishitare, si referendum, sepse ajo do të ishte fitore e madhe historike për popullin dhe shtetin e Kosovës. Andaj, sot ardhmëria e Kosovës është në duar të qytetarëve të saj. Prandaj, të nderuar qytetarë të Kosovës, vetëm përpara!
Urime fitoren triumfale të 7 qershorit – Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me udhëheqësin politik Albin Kurti.
