Koha javore: Z. Gjokaj, sezoni veror tashmë ka filluar. Çfarë u ofron Malësia vizitorëve këtë verë dhe cilat pika turistike synon të promovojë më së shumti Organizata Turistike që ju drejtoni?
A. Gjokaj: Këtë verë Malësia vjen me një ofertë turistike edhe më të pasur, duke kombinuar bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetet në natyrë. Fokusi ynë është promovimi i lumit Cem, liqenit të Shkodrës, zonave malore si Greça, Korita dhe Trieshi, shtigjeve për ecje e çiklizëm, si dhe gastronomisë tradicionale dhe agroturizmit. Përmes platformës turistike dhe rrjeteve sociale u ofrojmë vizitorëve informacion të lehtë dhe të aksesueshëm për të gjitha atraksionet e Malësisë.
Koha javore: Më herët keni paralajmëruar krijimin e disa hapësirave publike (plazheve) për pushim dhe rekreacion përgjatë lumit Cem. Çfarë ofrojnë këto hapësira dhe sa është interesimi i qytetarëve dhe vizitorëve?
A. Gjokaj: Këto hapësira janë krijuar për t’u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve mundësi për pushim, rekreacion dhe qëndrim në një mjedis të rregulluar pranë lumit Cem. Ato janë pajisur me çadra, shezllone dhe kënde lojërash për fëmijë.
Deri tani kemi rregulluar plazhin në Milesh, ndërsa në ditët në vijim do të rregullohet edhe plazhi i mirënjohur në Tërgajë. Interesimi ka qenë shumë i madh, sidomos gjatë fundjavëve.
Synimi ynë është që këto zona të pasurohen vazhdimisht me përmbajtje të reja dhe të ofrojnë standarde gjithnjë e më të larta.
Megjithatë, një sfidë që po hasim është mungesa e kujdesit të mjaftueshëm ndaj pajisjeve publike nga një pjesë e qytetarëve. Dëmtimi i tyre e vështirëson mirëmbajtjen e rregullt, prandaj apelojmë që të gjithë të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre hapësirave pasi ato janë në shërbim të të gjithë komunitetit.
Koha javore: Lumi Cem është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të Malësisë. Sa është valorizuar deri më tani potenciali i tij turistik dhe cilat janë projektet që po ndërmerren për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone?
A. Gjokaj: Vitet e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm në rregullimin e qasjeve, krijimin e zonave rekreative dhe promovimin e tij si destinacion për turizëm natyror.
Vitin e kaluar filluam manifestimin “Ditët e Cemit”, përmes të cilit prezantuam mundësitë që ofron ky lumë për zhvillimin e turizmit. Edhe këtë vit manifestimi do të vazhdojë, duke nisur me “Ditën e Kajakut” dhe më pas me aktivitete të ndryshme javore, të cilat synojnë që Cemi të mos njihet vetëm si destinacion për pushues (plazh), por edhe si një qendër e aktiviteteve sportive, rekreative dhe turistike gjatë gjithë verës.
Paralelisht, në bashkëpunim me Drejtorinë për Menaxhimin e Monumentit Natyror “Lumi Cem”, po punojmë në projekte që lidhen me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike.
Koha javore: Përveç Cemit, cilat janë aktivitetet dhe iniciativat kryesore që Organizata Turistike e Tuzit ka planifikuar këtë verë për promovimin e Malësisë si destinacion turistik?
A. Gjokaj: Kalendari ynë veror përfshin organizimin dhe mbështetjen e manifestimeve kulturore, sportive dhe tradicionale, promovimin e shtigjeve malore, tureve me biçikletë dhe ecjeve në natyrë, si dhe bashkëpunimin me punonjës të sferës së turizmit në komunën tonë.
Një rëndësi të veçantë i kushtojmë promovimit digjital përmes platformës “I Love Tuzi”, hartës interaktive dhe rrjeteve sociale, me qëllim që Malësia të jetë më e dukshme në tregun rajonal dhe ndërkombëtar.
Koha javore: Për fund, si e vlerësoni zhvillimin e turizmit në Malësi vitet e fundit dhe cilat janë prioritetet për ta bërë zonën më tërheqëse?
A. Gjokaj: Turizmi në Malësi ka shënuar përparim të dukshëm gjatë viteve të fundit. Është rritur numri i vizitorëve, janë shtuar kapacitetet akomoduese dhe është përmirësuar ndjeshëm promovimi i destinacionit. Megjithatë, ende ka hapësirë të madhe për zhvillim.
Prioritetet tona janë investimi në infrastrukturën turistike, mbrojtja e pasurive natyrore, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, krijimi i produkteve të reja turistike dhe bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat. Objektivi ynë është që Malësia të njihet si një destinacion autentik, ku natyra, kultura dhe mikpritja ndërthuren për t’u ofruar vizitorëve një përvojë të veçantë.
Njëkohësisht, shpresojmë që edhe vendasit dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë ta shohin turizmin si një mundësi serioze investimi. Investimet në akomodim, bujtina, fshatra turistike dhe atraksione të reja turistike do të kontribuonin jo vetëm në zhvillimin ekonomik të komunës sonë, por edhe në krijimin e një oferte më të plotë dhe më konkurruese për vizitorët.
Bisedoi: Toni Ujkaj
