Festivali nis më 17 korrik, me koncertin e Frederik Ndocit

“Skena Verore” vazhdon të mbetet një prej manifestimeve më të rëndësishme artistike të qytetit, duke promovuar krijimtarinë vendore dhe ndërkombëtare dhe duke pasuruar ofertën kulturore e turistike gjatë sezonit veror

Edicioni i sivjetshëm i festivalit tradicional “Skena Verore – Ulqin 2026” do t’i sjellë publikut një kalendar të larmishëm aktivitetesh kulturore dhe artistike, duke e kthyer Qytetin e Vjetër të Ulqinit në qendrën e jetës kulturore gjatë muajve korrik dhe gusht.
Manifestimi organizohet nga Qendra për Kulturë e Ulqinit, ndërsa realizimi i tij mbështetet financiarisht nga Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi. Ky festival konsiderohet prej vitesh një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore gjatë sezonit veror, ku ndërthuren muzika, teatri, letërsia, filmi, ekspozitat dhe aktivitetet për promovimin e librit.
Programi nis më 17 korrik 2026, me koncertin e këngëtarit Frederik Ndoci, ndërsa të njëjtën mbrëmje do të hapet edhe ekspozita e artistes Emina Nimanbegu – Myrteza.
Më 20 korrik, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një mbrëmje me muzikë klasike, ndërsa më 25 korrik skena do t’i lihet humorit me një Stand Up komedi, ku do të performojnë Florjan Binaj, Valina Muçolli dhe Akil Varfi.
Më 29 korrik është paraparë shfaqja e filmit “It All Ends Here”, që do të zhvillohet në ambientin e Pazarit të Suvenireve.
Muaji gusht nis me koncertin e Linda Rukajt, më 2 gusht, ndërsa po atë mbrëmje do të hapet edhe ekspozita e artistes Magbule Xhemajli.
Nga 5 deri më 9 gusht, në kuadër të festivalit do të organizohet edhe Panairi i Librit, një aktivitet që promovon botimet dhe autorët shqiptarë e rajonalë dhe që prej vitesh është pjesë e rëndësishme e programit kulturor veror të Ulqinit.
Programi vazhdon më 11 gusht me koncertin e Tribute Band “Tajna veza”, kushtuar repertorit të grupeve legjendare Bijelo Dugme dhe Indexi.
Më 14 gusht, në skenë do të ngjitet humoristi Branko Krsmanović, ndërsa më 17 gusht do të performojë Grupi “Burn”. Pas tyre, më 21 gusht, do të performojnë këngëtarët Endri dhe Stefi.
Dashamirët e teatrit do të kenë mundësinë të ndjekin më 24 gusht shfaqjen “Iluzione bashkëshortore”, ndërsa më 26 gusht do të organizohet një mbrëmje letrare me pjesëmarrjen e shkrimtares Lea Ypi dhe poetes Rita Petro.
Edicioni i këtij viti do të mbyllet më 27 gusht me koncertin “Don’t Listen to Your Neighbors”, ndërsa po atë mbrëmje do të hapet edhe ekspozita e artistes Tanja Markush.
Organizatorët bëjnë të ditur se të gjitha aktivitetet do të zhvillohen në ambientet e Muzeut të Qytetit – Qyteti i Vjetër (Kalaja), duke u ofruar qytetarëve dhe turistëve një program të pasur kulturor në një nga hapësirat më atraktive të Ulqinit.
“Skena Verore” vazhdon të mbetet një prej manifestimeve më të rëndësishme artistike të qytetit, duke promovuar krijimtarinë vendore dhe ndërkombëtare dhe duke pasuruar ofertën kulturore e turistike gjatë sezonit veror.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat