Me ndikime politike dhe larg meritokracisë

Ali Salaj

Faktori politik shqiptar këto ditë ka nisur sezonin e zgjedhjeve të drejtorëve në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ky proces, si rëndom, mbahet formalisht në kuadër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili jep mendimin për drejtorët, ku në vend që të shërbejë si një mekanizëm mbrojtës për pakicat, në realitet po degjeneron nepotizëm e servilizëm duke e komprometuar në tërësi procesin.
Përzgjedhja e kuadrit drejtues të shkollave parauniversitare u bazua kryesisht në kandidatët partiakë me ndikime politike dhe larg meritokracisë. Në vend që anëtarët e KKSH-së ta kundërshtojnë këtë praktikë, ata ad hoc i mbështetën kandidatët partiakë, duke treguar se ky institucion ka mbetur në rolin e një spektatori, pa bërë përpjekje për t’u faktorizuar si subjekt i pavarur dhe mbipartiak. Përkundrazi, KKSH gjendet në një “gjendje konservimi” duke inkurajuar partitë politike të plasojnë kandidatët e tyre në postin e drejtorëve të shkollave në gjuhën shqipe. Kësisoji ky subjekt nuk orientohet nga profesionalizmi, as nga drejtësia dhe morali, por mbetet i kapur nga politika dhe militantët e tyre.
Kandidatët që konkurruan për këtë post janë puro partiakë dhe nën dominimin e dy koalicioneve politike shqiptare, që janë pjesë e Qeverisë – Aleanca Shqiptare dhe Forumi Shqiptar. Në këtë kuadër, shumica e kandidatëve janë përafërsisht të njëjtë vetëm se kanë kërcyer, si pleshtat, nga njëra parti në tjetrën. Ata që para katër viteve ishin në Lëvizjen Qytetare “URA”, atëherë pjesë e pushtetit ose në PDS, kanë lëvizur drejt partive politike shqiptare që aktualisht gjenden në qeveri. Në këtë rirreshtim anëtarët e KKSH-së mbështetën kandidatët e Aleancës Shqiptare, ku bën pjesë ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, kundrejt kandidatëve të Nik Gjeloshajt, zëvëndëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë duhet të presim edhe pak kohë për të parë se kush do të ketë ndikimin më të madh në vendimin final te Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Malit të Zi. Të dy këta politikanë, që flejnë nën çarçafin e Qeverisë, do të bëjnë çmos që kandidatët (militantët) e tyre të zgjidhen në poste aq të rëndësishme për arsimin në gjuhën shqipe, pasojat e të cilëve do t’i vuajnë shkollat dhe formimi i përgjithshëm i nxënësve.
Sipas sinjaleve të para, ndikimin më të madh në përzgjedhjen e këtij kuadri drejtues do ta ketë Forumi Shqiptar, të cilën gjë e dëshmon edhe zgjedhja drejtor e vëllait të ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, në shkollën fillore “Bashkimi” në Skorraq të Hotit.
Prandaj duket shumë naive përpjekja e KKSH-së të luajë rolin e një partneri imponues kur gjithnjë e më shumë po zhytet në lojërat politike të partive që nuk çojnë askund, përveçse në humbjen e shpresës rinore për një të ardhme më të mirë.
KKSH, për fat të keq, në vazhdimësi bën shkelje të rënda ligjore duke nisur nga procedura e zgjedhjes së anëtarëve të tij, ku nënshkrimet kopjohen pa pikë turpi nga listat zgjedhore të partive politike shqiptare, te kurdisja e Kuvendit të Elektorëve, formimi i komisioneve e deri te Këshilli programor i “Kohës javore”, që janë mbuluar kryesisht me partiakë apo militantë të tyre. Në një subjekt të këtillë mungon mendësia e avancimit kulturor e arsimor, gjë që dëshmohet me mospërfshirjen e personaliteteve dhe ekspertëve të njohur nga shkenca, kultura dhe informimi. Si pasojë e kësaj qasjeje, disa projekte të inicuara dhe të realizuara nga jashtë, siç është rasti i librave të historisë për shkollat në gjuhën shqipe, KKSH i mbylli në sirtarin e vet dhe po hesht kundrejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me të cilët duhet të përmbushet obligimi ligjor i programeve mësimore në gjuhën shqipe. Ky është dhe mbetet paradoksi i një institucioni kryesor të vetadministrimit kulturor, arsimor dhe politik të pakicës shqiptare, ku në vend të shërbimit për interesat kombëtare vepron si një filial politik për interesa të ngushta partiake.

Të fundit

më të lexuarat