Kopshti i fëmijëve ”Solidariteti” në Ulqin, të martën mbrëma, më 5 maj 2026 shënoi 95-vjetorin e themelimit.
Me një program të larmishëm fëmijët shfaqen frymën e bashkëjetesës në këtë qytet në periudha të ndryshme kohore. Interpretimi i fëmijëve ishte i përkryer, publiku me duartrokitje të shumta vlerësoi punën, përkushtimin dhe idenë e konceptimit të programit nga jeta reale e Ulqinit.
Bukuritë dhe pasuritë njerëzore e natyrore u shpalosën përmes dialogut, aktrimit, valleve popullore dhe pjesëve ritmike që artistët e ardhshëm interpretuan.
Rolet kryesore i interpretuan Henor Rexha (Hilmija), Shpresa Elezaga (Sanija), Dorotea Spiçanoviq (Zorka), Millosh Bevenja (Nikolla), Sanije Bashiq (Melani), Qazim Mani (Xho) dhe Elgerion Dorti (Ismeti).
Këta artistë të vegjël e ngritën sallën në këmbë. Publiku i shoqëroi me duartrokitje gjatë gjithë interpretimit. Ishin këto duartrokitje të merituara për fëmijët dhe stafin e edukatoreve që i përgatitën këta vogëlushë.
Shënimi i përvjetorëve të kopshteve është ngjarje me rëndësi, sepse aty prezantohet dhe promovohet puna e stafit dhe talenti i fëmijëve. Megjithatë, sapo mbaron festimi dhe i kthehemi punës së përditshme ballafaqohemi me një realitet të hidhur – mungesën e mjediseve të Kopshtit “Solidariteti” për fëmijët parashkollorë.
Dihet se kopshtet janë vend ku fëmijët luajnë, fitojnë pavarësi, vetëbesim, mësojnë të shprehin emocionet, krijojnë rutinë, disiplinë, përgatiten për shkollë etj. Po fëmijët që mbesin pa u përfshirë në këto institucione, ku janë të drejtat e tyre?
U deshën të kalonin 95 vite që në qytetin e Ulqinit të fillojë ndërtimi i një kopshti të ri. Edhe ai me kapacitet tejet të vogël, vetëm për 125 fëmijë.
Po fëmijët tjerë, prapë do t’i lëmë nëpër shtëpi private?! Ashtu siç e filluam para 95 viteve!
Pa shkolla, kopshte kënde për lojë për fëmijët tanë nuk ka zhvillim të mirëfilltë të shoqërisë.
Çelja e dy kopshteve private e zbut pak këtë mangësi, por as ato nuk posedojnë kapacitetin e duhur. Shumë prindër nuk i kanë as mundësitë ekonomike që t’i regjistrojnë fëmijët në këto kopshte.
Politika e Malit të Zi për fëmijët parashkollorë fokusohet në edukimin e hershëm – edukim gjithëpërfshirës, rritjen e cilësisë në kopshte, përmirësimin e kushteve, trajnimin e edukatoreve dhe krijimin e programeve moderne për mësim.
Edukimi parashkollor është bazë për suksesin e mëvonshëm në shkollë, prandaj pa objekte dhe kapacitete hapësinore të bollshme këto synime nuk do të arrihen në Ulqin.
Edhe sa vite të tjera duhet të kalojnë që ne si shoqëri të ndërgjegjësohemi për këtë?
Na mbetet që si shoqëri të reagojmë për të mirën e fëmijëve tanë.
Lumnije Bisha
(Autorja është edukatore në IPP “Solidariteti” – Ulqin)
