
Periudha paskomuniste
Periudha paskomuniste e hodhi Jugosllavinë e atëhershme në të njëjtën vorbull si edhe vendet e tjera në Evropën Lindore. Kaosi politik, rrënimi ekonomik, degradimi i institucioneve dhe rikthimi në skenë i nacionalshovinizmit, nuk ishin produkt i momentit por një rrjedhë e pashmangshme e dekadave të tëra të futjes së problemeve poshtë tapetit.
Mali i Zi, me një popullatë shumicë sllave, por jo aq ideologjikisht të unifikuar si në rastin e Serbisë, u gjet në udhëkryq. Jo vetëm politik, por edhe ekzistencial.
Tentativat e para institucionale për një pavarësi si republikat tjera të Jugosllavisë dështuan që pa u nisur mirë, pasi ishte e qartë se shumica e popullsisë donin një lidhje të ngushtë me Serbinë. Këtë e treguan më së miri edhe rezultatet e zgjedhjeve të vitit 1992, në të cilat dy partitë që garonin me idenë e pavarësisë, Lidhja Liberale dhe Partia Socialdemokrate e Reformistëve, fituan vetëm 12.4, respektivisht 4.3 për qind të votave. Në proceset e mëvonshme zgjedhore këto shifra u zbehën edhe më tej.
Megjithatë, me distancimin e një pjese të partisë në pushtet – Partisë Demokratike të Socialisëtve (DPS) nga politika e Millosheviqit, si dhe me përkeqësimin e vazhdueshëm të pozitës së Serbisë në arenën ndërkombëtare, në çka pati ndikim të madh edhe lufta në Kosovë, në Mal të Zi u vërejt një rritje e disponimit për çështjen e pavarësisë. Ajo ishte e ngadaltë, por e mjaftueshme për të ndjellë partinë në pushtet që të rishikojë politikën e saj kundrejt Serbisë. Lideri i atëhershëm i kësaj partie, Millo Gjukanoviq, duket se e kishte të qartë se me Serbinë, pa marrë parasysh kush ishte në pushtet, një organizim shtetëror në baza të barabarta ishte naivitet. Këtë e dëshmoi qëndrimi i saj ndaj Malit të Zi edhe pas rënies së Millosheviqit, sidomos përmes propagandës mediatike por edhe ndërhyrjes indirekte duke përkrahur partitë unitariste.
Pa pakica s’ka pavarësi
Gjukanoviqi e njihte shumë mirë skenën politike në vend, prandaj e dinte se projekti i Malit të Zi të pavarur nuk kishte asnjë shpresë për realizim nëse nuk përkrahej nga popujt pakicë. Dhe kjo përkrahje duhej të ishte plebishitare, për të amortizuar atë pjesë të popullsisë sllave që edhe pse deklaroheshin malazezë, ishin për një lidhje të ngushtë me Serbinë.
Sigurimi i përkrahjes së partive të pakicave nuk ishte problem, pasi ato edhe më herët ishin të qarta në qëndrimet e tyre për një Mal të Zi të pavarur, në të cilin pozita e tyre do të ishte më e favorshme. Problemi më i madh qëndronte te faktori ndërkombëtar, i cili ishte skeptik në këtë drejtim, pasi nuk donte të rrezikonte mundësinë e një konflikti të ri. U deshën vite të lobimit në arenën politike perëndimore, për çka një meritë të madhe kanë edhe lobuesit shqiptarë, që ky skepticizëm fillimisht të zbutej, e ngadalë të kthehej në përkrahje të hapur. Do të ishte shumë pretencioze të thuhej se shqiptarët ishin vendimtarë në sigurimin e kësaj përkrahjeje, por ndikimi i tyre, sidomos në Uashington, ishte shumë më i madh sesa u dha meritë në periudhën e mëvonshme.
Nuk dua të ndalem në procesin e referendumit, pasi ka shumë për të kritikuar dhe lavdëruar, por rezultati tregoi atë që ishte e qartë. Shqiptarët nuk ishin thjesht pjesëmarrës në referendum; ata ishin përcaktuesit e tij. Në një klimë ku shoqëria malazeze ishte e ndarë pothuajse më dysh, vota e shqiptarëve e anoi peshoren drejt pavarësisë. Ky nuk ishte një veprim oportunist, por një përcaktim strategjik properëndimor. Shqiptarët votuan për një shtet që premtonte barazi, integrim evropian dhe shkëputje nga trashëgimia e rëndë e viteve ‘90. Ata i besuan projektit të një shteti qytetar, duke vendosur fatin e tyre në themelet e Malit të Zi të pavarur.
Fatkeqësisht, jo të gjitha shpresat dolën të ishin reale. Kjo u dëshmua vetëm disa muaj pas referendumit e vetëm dy ditë në prag të zgjedhjeve, në aksionin “Fluturimi i shqiponjës”, i cili si për inat të fatit ngjason shumë me atë të “grushtit të shtetit” në vitin 2016. Në rastin e parë, shumica u liruan pas apelit, disa nga Gjykata e Lartë pasi në proces e kishin kryer dënimin, ndërsa për të tjerët gjykata në Strasburg e detyroi Malin e Zi t’u paguajë dëmshpërblim, pasi ishin keqtrajtuar nga policia. Në rastin e dytë ata u shpallën totalisht të pafajshëm. Kjo tregon qartë se institucionet e sigurisë së vendit po përdornin metoda jokonvencionale për të siguruar avantazh në zgjedhje për partinë në pushtet dhe se për këtë mund të sakrifikohej kushdo, pa marrë parasysh nëse ishin shqiptarë apo serbë.
Paradoksi i paspavarësisë: Mosmirënjohja institucionale
Sot, njëzet vjet pas atij entuziazmi, bilanci mbetet i zymtë. Ndonëse Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s dhe bëri hapa drejt BE-së, shqiptarët shpesh e gjejnë veten në margjinat e këtij suksesi.
Pavarësisht premtimeve, prania e shqiptarëve në organet e administratës qendrore, në gjyqësor dhe në strukturat e sigurisë mbetet në nivele simbolike, shpesh larg proporcioneve reale që u takojnë. Vitet e fundit situata ka avancuar pak, por jo në nivel të kënaqshëm.
Përveç kësaj, aty ku mosmirënjohja institucionale dhemb edhe më shumë është në ekonomi. Zonat e banuara nga shqiptarët, të bekuara me resurse natyrore të jashtëzakonshme, vuajnë nga një paralizë e qëllimshme investimesh.
Ulqini, perla e turizmit malazez, ka parë privatizime të dështuara dhe shkatërrim të hoteleve ikonike, ndërsa investimet madhore kapitale janë orientuar kryesisht drejt qyteteve të tjera bregdetare. Se si një hotel si “Galebi”, ndër më modernët në gjithë ish-Jugosllavinë, i është shitur një kompanie që menaxhon kiosqe dhe importon automjete, mund ta sqarojnë vetëm “ekspertët” e partisë së atëhershme në pushtet, të përkahur edhe nga politikanët lokalë, që shpeshherë kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të vendit të tyre. Të mos përmendim se çfarë planifikonin me Valdanosin?!
Tuzi, Plava, Gucia, Rozhaja e Kraja, treva që me dekada mbeten “xhepa” të harruar, ku mungesa e infrastrukturës rrugore dhe e perspektivës ekonomike prodhuan një hemorragji të pandalshme demografike.
Nevoja për një kontratë të re
Mali i Zi iu detyrohet shqiptarëve jo mirënjohje, por një ndryshim rrënjësor të qasjes politike dhe ekonomike. Por së pari duhet të ndryshojë perceptimi ynë për politikën në përgjithësi. Duhet ta kuptojmë se pavarësisht retorikës, ne nuk kemi aleat natyror politik, as në partitë e ashtuquajtura qytetare, as në të tjerat, dhe se pozicionimi ynë duhet të jetë i orientuar drejt interesave tona, normalisht duke respektuar edhe ato të vendit. Njëzet vjet pas pavarësisë është koha që Podgorica zyrtare të kuptojë se stabiliteti i Malit të Zi nuk mund të ndërtohet mbi harresën e atyre që e bënë shtetin të mundur. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por drejtësi dhe investime.
Festimi i përvjetorëve të pavarësisë do të mbetet një ceremoni e mangët për shqiptarët, përderisa rrugët e tyre mbeten të paasfaltuara, pronat e tyre të tjetërsuara dhe të rinjtë e tyre të detyruar të kërkojnë fatin larg vendlindjes.
