Dëshmi dhe promovim i pasurisë nënujore

“Besoj se është një eskpozitë interesante, e paparë deri më tash jo vetëm në qytetin tonë, por mund të them lirisht edhe në Malin e Zi. Unë i ndjeki mjaft ekspozitat, sidomos të fotografive, dhe nuk kam dëgjuar që ka bërë dikush deri më sot ekspozitë me fotografi nënujore në Mal të Zi”, ka thënë autori

Fotografi i pasionuar pas natyrës dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore, Gazmend Çitaku ka hapur të hënën mbrëma (27 prill 2026) ekspozitën fotografike me titull “Bota nënujore e Valdanosit”, një ekspozitë e cilësuar si e veçantë për temën që trajton.
Duke folur për idenë dhe fotografitë e paraqitura në këtë ekspozitë, vetë autori ka thënë se ajo është e para e këtij lloji në Malin e Zi.
“Besoj se është një eskpozitë interesante, e paparë deri më tash jo vetëm në qytetin tonë, por mund të them lirisht edhe në Malin e Zi. Unë i ndjeki mjaft ekspozitat, sidomos të fotografive, dhe nuk kam dëgjuar që ka bërë dikush deri më sot ekspozitë me fotografi nënujore në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Çitaku ka treguar se fotografitë e ekspozuara janë realizuar gjatë katër viteve të fundit, në fillim me një aparat fotografik primitiv.
“Në fillim kam bërë fotografi më primitive, pastaj kam shikuar me literaturë që t’i gjej emrat e këtyre peshqve. Pastaj e kam parë që peshqit shoqërohen me shoqi-shoqin dhe jam munduar që t’i zë në një kuadër dy-tri lloj peshqish”, ka thënë ai, duke shtuar se ekspozita është kurorëzim i kësaj pune të tij.
Krahas ekspozitës është bërë edhe përurimi i broshurës “Bota nënujore e Valdanosit”.
Për ekspozitën dhe broshurën ka folur Sami Flamuri, i cili ka thënë se Çitaku ka bërë një punë që s’e ka bërë askush.
“Edhe pse jemi pranë detit, sikurse Kraja që është afër liqenit dhe s’ka ujë, edhe ne jemi afër detit dhe nuk merremi me çështjet nënujore të bregdetit tonë, aq të pasur, aq të larmishëm. Në këtë broshurë dhe në këtë ekspozitë ju do të shihni disa ndër 50 llojet e peshqve që janë në Gjirin e Valdanosit”, ka theksuar ai.
Flamuri ka thënë se në ekspozitë dhe në broshurë lexuesi ka mundësi t’i gjejë ato peshqit e bukur të botës nënujore të Ulqinit, siç është bukurina, që Hajro Ulqinaku i ka përjetësuar në “Glosar”-in e vet.
Ai ka thënë më tej se te broshura i ka bërë përshtypje fakti se Ulqini përveç ullishtës mijëravjeçare ka edhe ullishtën nënujore, e cila ndikon në pastrimin e ujit duke krijuar kushte të favorshme për peshqit në Gjirin e Valdanosit.
Hapja e ekspozitës dhe botimi i broshurës janë realizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Organizata Turistike e Ulqinit.
Drejtori i OTU-së, Qazim Hoxhiq ka treguar se ky institucion vitin e kaluar për të parën herë ka shpallur një konkurs që mbështet projektet në fushën e trashëgimisë kulturore, nga të ardhurat që mblidhen nga taksa e banimit.
Ai ka thënë se i vjen mirë që OTU mbështet këto lloj projektesh, si ky apo edhe të tjerë që ndikojnë në promovimin e trashëgimisë së Ulqinit.
Ekspozita fotografike dhe broshura janë dëshmi e pasurisë nënujore që ofron bregdeti i Ulqinit si dhe përbën një përpjekje për dokumentimin dhe promovimin e saj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat