Kërkesë për më shumë mundësi dhe rol aktiv në vendimmarrje

Mesazhi kryesor i analizës ishte i qartë: të rinjtë nuk kërkojnë vetëm të dëgjohen, por të kenë rol real në vendimmarrje dhe në zhvillimin e komunitetit ku jetojnë

Në Ulqin të mërkurën e kaluar (12 gusht 2026) u shënua Dita Ndërkombëtare e Rinisë me një aktivitet përmbyllës të projektit “Të rinjtë liderë – nga ideja te ndikimi”, organizuar nga OJQ “Horizonti i Ri” në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë.
Në fokus të aktivitetit ishte prezantimi i analizës “Pse duhet pyetur të rinjtë? – Analizë mbi pozitën e të rinjve në Ulqin”, një studim që synon të sjellë në vëmendje nevojat, sfidat, perceptimet dhe aspiratat e brezit të ri në komunitetin lokal.
Studimi është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2026 dhe ka përfshirë 200 të rinj të moshës 14 deri në 30 vjeç nga zonat urbane dhe rurale të Ulqinit.
Sipas metodologjisë së prezantuar nga Gabriella Ivanoviq, 73% e të anketuarve ishin vajza dhe 27% djem. Për nga statusi, 39.7% ishin nxënës, 33.3% studentë, 22.8% të punësuar dhe 4.2% të papunësuar.
Përmes një pyetësori të strukturuar, hulumtimi ka synuar që zëri i të rinjve të kthehet në informacion të vlefshëm për institucionet dhe politikëbërësit.
Rezultatet e prezantuara nga Marina Makoviq dhe Harisa Mehmeti tregojnë se arsimi dhe punësimi janë ndër çështjet më të rëndësishme për të rinjtë. Mbi 70% e të anketuarve vlerësojnë se arsimi formal i përgatit vetëm në nivel mesatar për tregun e punës.
Sipas studimit, 92.6% e të rinjve kanë marrë pjesë në aktivitete, punëtori apo trajnime jashtë arsimit formal, ndërsa 83% deklarojnë se këto përvoja u kanë ndihmuar drejtpërdrejt në përfitimin e njohurive dhe aftësive të reja përmes aktiviteteve interaktive, debatit, punës në grup dhe të mësuarit.
Rreth 70.3% e të anketuarve mendojnë se pushteti lokal nuk i përfshinë sa duhet në vendimet që lidhen me jetën dhe të ardhmen e tyre. Megjithatë, kjo mungesë përfshirjeje nuk shoqërohet me mungesë vullneti për angazhim. Përkundrazi, rreth 96% e të rinjve shprehen të gatshëm të marrin pjesë në projekte zhvillimore dhe iniciativa qytetare.
Një nga aspektet më shqetësuese të analizës është prirja për emigrim. Rreth 59% e të anketuarve deklarojnë se ekziston mundësia që në të ardhmen të jetojnë jashtë Ulqinit. Arsyet kryesore lidhen me mundësitë më të mira për arsimim dhe punësim, si dhe me kërkimin e një cilësie më të mirë jetese. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve dëshiron të qëndrojë në vendlindje, por kërkon perspektivë konkrete.
Gjatë aktivitetit, drejtuesi i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, theksoi rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë si një mundësi për të përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta te faktorët vendimmarrës.
Admira Metoviq nga OJQ “Horizonti i Ri” nënvizoi se projekti synon t’i fuqizojë të rinjtë për pjesëmarrje aktive në shoqëri dhe që ata të shndërrohen në katalizatorë të ndryshimeve pozitive.
Përfaqësuesi i Komunës së Ulqinit, Edon Çaushi, deklaroi se rezultatet e studimit do të merren parasysh në përcaktimin e prioriteteve lokale, duke theksuar edhe zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për të Rinjtë.
Ndërsa Alldina Nikoçeviq nga Sekretariati për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore theksoi se të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si shpresë për të ardhmen, por si pjesë aktive e së tashmes.
Marina Kastrati, udhëheqëse e Qendrës për Punë Sociale, vuri në pah shqetësimin për largimin e të rinjve nga vendi dhe u bëri thirrje atyre që të mos e braktisin vendlindjen, duke theksuar se prania dhe kontributi i tyre janë të pazëvendësueshëm.
Mesazhi kryesor i analizës ishte i qartë: të rinjtë nuk kërkojnë vetëm të dëgjohen, por të kenë rol real në vendimmarrje dhe në zhvillimin e komunitetit ku jetojnë.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat