
Në shoqërinë tonë të sotme, ku njerëzit po përballen dita-ditës me një zhvillim të gjithanshëm dhe të shpejtë në çdo lëmi të jetës, të krijohet një ndjesi se mos vallë po jetojmë në një kohë që po na ofron gjithçka, por, nga ana tjetër, po na bën të pyesim se çfarë po ndodh me vlerat tona njerëzore. Ajo që sot e kemi, në një periudhë jo të largët kohore ndoshta as nuk do ta kishim imagjinuar: një pafundësi mundësish, arritjesh dhe lehtësish që dikur do të na dukeshin të paarritshme.
Mirëpo, krahas gjithë këtij zhvillimi, vlerat themelore njerëzore duket se jo vetëm që nuk po çmohen në masën e duhur, por ndoshta edhe po zbehen, po varfërohen dhe po humbin gjithnjë e më shumë peshë.
Për shembull, po të reflektojmë pak se sa të pranishme janë sot në marrëdhëniet ndërpersonale vlera të tilla si respekti, mirënjohja, falënderimi dhe vlerësimi i sinqertë për tjetrin? Edhe mirënjohja për atë që dikush është dhe për atë që meriton, pa pritur apo pasur asnjë interes në këmbim, duket se po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Po kështu edhe vlerësimi për kontributin, mirësinë apo mbështetjen që dikush ka dhënë.
Në jo pak raste, këto ndjenja shfaqen më fort atëherë kur njeriu ka nevojë për diçka prej tjetrit, ndërkohë që, sapo interesi mbaron, bashkë me të mund të zbehet edhe respekti, mirënjohja apo vlerësimi që deri atëherë dukej sikur ekzistonte vërtet.
Një nga shenjat e zbehjes së këtyre vlerave mund të gjendet në marrëdhëniet shoqërore e miqësore. Ato mund të ndryshojnë, sidomos kur përballë njëri-tjetrit gjenden njerëz me botëkuptime, interesa dhe këndvështrime të ndryshme.
Megjithatë, ndryshimi i një marrëdhënieje nuk do të duhej të nënkuptonte domosdoshmërisht edhe humbjen e respektit për tjetrin, pasi, pavarësisht arsyes, kur dikush mendon se tjetri nuk e meriton më respektin e tij, nuk do të ishte e drejtë ta përçmonte, të fliste për të pas shpine apo t’ua përcillte të tjerëve atë që mendon ose atë që di për të. Mospëlqimi dhe zhgënjimi ndaj dikujt mund të ekzistojnë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai duhet të kthehet në objekt bisedash, thashethemesh e përgojimesh.
Shpeshherë ndodh që ata që mund të jenë konsideruar miq të vërtetë të jenë thjesht të shtirur, jotransparentë dhe ndonjëherë edhe të bëhen të rrezikshëm. Në rastin më të parë që u jepet, mund të të zhgënjejnë, shpesh ashpër dhe pabesisht, duke të të përkëdhelur me fjalë të buta e duke të afruar me buzëqeshje të rreme. Por mjafton që tjetri të mos jetë më përballë tyre dhe, pa kaluar shumë kohë, emri i tij mund të njolloset, jo siç i kanë folur ndër sy, por me një qëndrim përçmues, me shpifje, insinuata dhe trillime.
Në këtë prizëm, mund të theksohet se ndoshta ajo që i mban disa marrëdhënie në këmbë, përveç “respektit” të ndërsjellë, mund të jetë edhe interesi që palët kanë për njëra-tjetrën. Për sa kohë ekziston diçka që mund të merret, të përfitohet apo të pritet nga tjetri, afërsia mund të duket më e madhe dhe fjalët më të ngrohta. Mirëpo, kur ky interes zhduket, mund të ndryshojë edhe mënyra se si shihet kjo marrëdhënie, bashkë me miqësinë, mirënjohjen apo respektin që deri atëherë dukej sikur ekzistonte vërtet. Në raste të tilla, edhe një marrëdhënie që dikur dukej e qëndrueshme mund të rishikohet dhe të mos ketë më të njëjtin kuptim.
Ndërkaq, mund të vijë pastaj edhe te prishja e këtij raporti miqësor, profesional apo çfarëdo qoftë tjetër, ku më pas, si rezultat i pakënaqësisë, mllefit apo urrejtjes, mund të fillojnë edhe përgojimet. Në vend që një marrëdhënie të përfundojë me civilizim e qetësi, kur prishet besimi apo humb afërsia, ne shohim që njeriu diskreditohet, i rrëfehen të metat e tij, i përcillen biseda që janë zhvilluar mes dy njerëzve dhe bëhet e ditur gjithçka që mund ta dëmtojë figurën e tij. Pra, personit që dikur konsiderohej mik, i bëhet një zhvlerësim total.
Unë mendoj se një marrëdhënie e përfunduar nuk ka pse të shndërrohet në “armë” kundër njëri-tjetrit dhe një zhgënjim nuk ka pse të kthehet në përbuzje, tallje e diskriminim, edhe kur dy njerëz nuk mendojnë më njësoj apo njëri prej tyre është zhgënjyer nga tjetri.
Sepse mbase pikërisht kjo është një nga sprovat e marrëdhënieve njerëzore: të dish ta respektosh tjetrin edhe atëherë kur nuk ke më nevojë për të, të jesh mirënjohës edhe kur nuk pret asgjë në këmbim, të dish të thuash një falënderim pa llogaritur se çfarë mund të marrësh prej tij dhe, përveç kësaj, të jesh në gjendje ta vlerësosh një njeri për atë që është dhe për atë që meriton, jo vetëm për atë që mund të përfitosh prej tij, qoftë materialisht apo intelektualisht.
Po të veprohej në këtë mënyrë, vlerat njerëzore do të merrnin kuptimin e tyre të plotë, sepse nuk do të kushtëzoheshin vetëm nga interesi, por respekti ndaj të tjerëve do të ishte i përhershëm dhe i sinqertë.
Në fund të fundit, mënyra se si sillemi me dikë, përafrimi që do të tregojmë pasi nuk do të kemi më asnjë interes prej tij, mund të tregojë shumë për personalitetin e gjithsecilit prej nesh.
Ndoshta kuptimi i vërtetë i respektit, mirënjohjes dhe vlerave njerëzore gjendet tek ajo që jemi të gatshëm t’i japim tjetrit pa pritur asgjë si shpërblim.
