
Në këto ditë shtatori, si çdo vit, në Nju-Jork u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, një ngjarje ndërkombëtare e mbushur me fjalime, premtime solemne dhe deklarata të zjarrta për një botë më të mirë. Por jashtë atyre mureve, realiteti mbetet po ai: bota sëmuret përditë nga e njëjta plagë – padrejtësia, shkatërrimi.
Fjalët që tingëllojnë bukur brenda sallës së OKB-së, nga disa folës që duan të na bindin se flasin me sinqeritet për të mirën e njerëzimit, në të vërtetë nuk arrijnë të depërtojnë përtej asaj foltoreje. Ato bllokohen nga mure të padukshme por të forta – mure të ngritura në mbrojtje të interesave të errëta, konspiracioneve të organizuara, demagogjive të sofistikuara dhe politikave elitare që nuk janë ndërtuar mbi idealin e paqes, por mbi ambicien e sëmurë për pushtet ekonomik dhe kontroll global.
Kështu, dëshira për një botë më të drejtë mbetet e ngujuar. Ajo nuk mund të shndërrohet në realitet, sepse përballë saj qëndrojnë forca të pamëshirshme. Ndërkohë, disa nga liderët botërorë, të mbështetur në fuqinë ekonomike dhe ushtarake të vendeve të tyre, po marrin gjithnjë e më shumë modelet e mendjeve autoritare: egoiste, të pashpirt, të verbuara nga etja për dominim dhe shkelje te popujve të pafuqishëm.
Ata flasin për drejtësi, për të drejta, për luftën kundër dhunës. Por ndërkohë, hipokrizia e tyre zbulohet pa turp: fëmijët e pafajshëm vriten, gratë dhunohen, popuj të tërë mbeten pa strehë, pa vendbanime, pa jetë. Ata që nuk kanë armë për të mbrojtur veten, shndërrohen në objektiva të dhunës, urrejtjes dhe urisë së organizuar. Bëhen spastrime etnike, ndërsa të mbijetuarit mësyjnë drejt vendeve perëndimore, ku shpeshherë priten me urrejtje dhe dëbime, pikërisht nga ato vende që, në mënyrë hipokrite, thonë se mbrojnë të drejtat e njeriut, por që kanë kontribuuar në shkatërrimin e vendlindjes së tyre, duke i detyruar ata të largohen nga vendet e tyre vetëm për të mbijetuar.
Kjo nuk është gjë tjetër veçse një ironi e hidhur në një botë që na shet moral për përparim shpirtëror, ndërsa vepron në kundërshtim me çdo vlerë njerëzore.
Po ku kemi arritur si njerëzim? Kur njeriu, i krijuar nga një natyrë e vetme, kthehet në një përbindësh më të egër se çdo kafshë, çfarë mund të presim nga e ardhmja?! Kjo nuk është më thjesht një krizë politike apo ekonomike, por një krizë morale shpirtërore globale. Po humbasim shpresën, po zhduken ëndrrat, po shuhet dëshira për të jetuar me dinjitet. Po zbresim në një nivel ekzistence ku jeta nuk ka më kuptim dhe e ardhmja ofron vetëm frikë e dëshpërim.
Të rinjve po u vriten ëndrrat, po u ndërpriten shpresat. Ata nuk duan të kontribuojnë në rritjen natyrore të një bote mizore. Nuk duan të sjellin fëmijë në një realitet që shpërndan vetëm dhimbje. Ata i shohin tragjeditë që përjetojnë gratë dhe fëmijët e pafajshëm dhe e ndiejnë thellë në shpirt se një ditë ato plagë mund të prekin edhe jetën e tyre. Frika po bëhet trashëgimi brezash, një barrë e rëndë që po na robëron dhe po na mban larg çdo ideali humanitar.
Duhet të ndalemi. Duhet të reflektojmë thellë. Ku po shkojmë kështu? Duhet t’i bashkojmë zërat tanë, të ngrejmë fuqinë e popujve dhe të thërrasim me zë të lartë: MJAFT!
Sepse pas çdo vendimi politik, pas çdo lufte të sponsorizuar, pas çdo krize të inskenuar, vuajnë vetëm ata që nuk kanë faj: të pambrojturit, të varfrit, gratë, fëmijët. Politikanët e sotëm, të zhytur në etje për pasuri dhe pushtet, nuk i shohin më këta njerëz si qenie me dinjitet, por thjesht si numra në llogaritjet e tyre të ftohta.
Ndërkohë që krizat njerëzore po thellohen, një tjetër krizë po kërcënon tokën që na mban gjallë: shkatërrimi i natyrës. Në vend që të zhvillojnë teknologji për të pastruar planetin, liderët tanë po e kthejnë jetesën drejt mënyrave primitive, duke përshpejtuar ngrohjen globale, ndotjen dhe kolapsin ekologjik, pa menduar fare për këto shkatërrime.
Dhe kur gjithçka shkon drejt katastrofës, hipokrizia e tyre del sërish në skenë, me një “zgjidhje” të re: të ikim në një planet tjetër, si Marsi. Sikur mund të braktisim Tokën pa braktisur edhe vetveten. Po a mund të shpëtojmë diku tjetër, kur papërgjegjshmëria jonë ndaj këtij planeti na ndjek kudo?
Jo. Nuk ka më kohë për heshtje. Nuk ka më kohë për mashtrime. Bota nuk ka nevojë për liderë që e ndajnë njerëzimin dhe kërkojnë privilegje personale apo agjenda që nuk i shërbejnë njerëzimit. Ka nevojë për zëra të ndërgjegjes, që kërkojnë drejtësi, që thërrasin për mëshirë, që ia kujtojnë njerëzimit se jemi një racë e vetme, me një shpirt të përbashkët, me një përbërje biologjike, dhe jo thjesht një formë pa ndjeshmëri.
Fjalët e bukura që thuhen brenda atyre mureve duhet të shpërthejnë. Të dalin nga retorika boshe dhe të shndërrohen në veprim të vërtetë. Bota duhet të ngrihet, e bashkuar, pa dallime race, feje apo kombësie. Duhet të ngrihet në emër të jetës, të dinjitetit dhe të shpirtit njerëzor.
Sa nuk është vonë, duhet të shpëtojmë qenien tonë. T’u rikthejmë shpresën brezave që do të vijnë. Sepse nëse vazhdojmë kështu, çfarë po u lëmë fëmijëve tanë? A do të jemi gjenerata historike që do të shkruajë historia për ne si një gjeneratë e shkatërrimit?! Sepse, në fund të fundit, nëse humbim njeriun, kemi humbur gjithçka.
