Një javë përjetimesh në Parkun e Natyrës “Kriporja e Ulqinit”

Programi i Festivalit solli një dinamikë të jashtëzakonshme: nga muzika etno xhaz dhe hapja e laboratorit të dritave, te premierat e dokumentarëve mbi mjedisin dhe panelet e “Green Agenda”. Me interes të veçantë u përcoll ekspozita dhe prezantimi i punimeve të masterit, me titull “Rivitalizimi: Tri vizione arkitektonike të Kripores së Ulqinit”

Për disa ditë me radhë, Kriporja e Ulqinit nuk ishte thjesht një hapësirë natyrore e mbrojtur, por një udhëkryq i gjallë ku arti, ekologjia dhe idetë vizionare u bënë bashkë. Përgjatë edicionit të pestë të “BirdSaltPeopleFEST”, të organizuar nga Organizata Joqeveritare OJQ “Dr. Martin Schneider – Jacoby” (MSJA), vizitorët patën mundësinë të përjetojnë një shkrirje unike mes trashëgimisë industriale dhe natyrës stërgjyshore.
Ecuria e festivalit solli një dinamikë të jashtëzakonshme: nga muzika etno xhaz dhe hapja e laboratorit të dritave, te premierat e dokumentarëve mbi mjedisin dhe panelet e “Green Agenda”. Secila ditë ndërtoi ura komunikimi mes komunitetit lokal dhe vizitorëve të huaj, duke e shndërruar Kriporen në një skenë të hapur dialogu.
Sidoqoftë, nata e fundit e hapur për publikun shënoi kulmin e këtij edicioni, duke lënë mbresat më të thella.
Dita nisi mes qetësisë së baseneve me aktivitetin e vëzhgimit të shpezëve nën udhëheqjen e “Reborn by Adventures”. Mes bisedave në gjuhën shqipe, malazeze, gjermane e angleze, atmosfera rrezatonte një energji jashtëzakonisht pozitive.
Mbrëmja kurorëzoi këtë javë me ekspozitën dhe prezantimin e punimeve të masterit, me titull “Rivitalizimi: Tri vizione arkitektonike të Kripores së Ulqinit”.
Kryetarja e OJQ MSJA, Zenepa Lika, solli në vëmendje historikun e këtyre punimeve të hartuara në periudhën 2015-2017, një kohë vendimtare betejash për të ardhmen e kësaj pasurie.
“Këto punime u krijuan në një kohë kur zhvillohej një luftë e fortë për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit, atëherë kur e ardhmja e saj ishte e pasigurt dhe kanosej nga rreziku i betonizimit. Arkitektët e rinj zgjodhën këtë temë sfiduese për të treguar se si mund t’i shtohet ‘një zë e një kokërr kripë’ kësaj hapësire, pa ia tjetërsuar thelbin dhe trashëgiminë industriale”, u shpreh ajo gjatë prezantimit.
Paneli shpalosi projekte frymëzuese: Ana Mandiq, e cila ka mbaruar studimet master në Vjenë, analizoi shpirtin dhe rifunksionalizimin e hangareve industriale, ndërsa Angjella Bubanja (Universiteti i Podgoricës) prezantoi rrugëtimin e saj interpretues mes liqenit të Shkodrës, Shasit dhe Kripores, duke zbatuar parimin konservues “mbro, por mos fshih”.
Vëmendje të veçantë mori prezantimi i arkitektit të ri nga Ulqini, Genc Hollaj (Universiteti i Prishtinës). Projekti i tij propozon një model të qëndrueshëm që e ndan Kriporen në tri zona: zonën e transformimit, zonën e prodhimit të vazhdueshëm dhe zonën e baseneve me tetë kulla vëzhgimi për shpendët. Në zonën e transformimit, ai ka parashikuar konceptin e turizmit shëndetësor përmes një qendre spa&wellness të pajisur me basene, përdorimin e baltës shëruese dhe shpellave të kripës, pranë Muzeut të Kripës të inspiruar nga kristalet e saj.
I pyetur mbi frymëzimin dhe konceptin e punës së tij, arkitekti Genc Hollaj nënvizoi se pyetja thelbësore për Kriporen e Ulqinit nuk është se si ta mbyllim apo thjesht ta ruajmë atë, por si mund ta hapim këtë hapësirë ndaj elementeve të reja në mënyrë që ajo të funksionojë dhe të jetë e qëndrueshme.
“Qëllimi im nuk ka qenë ndryshimi i identitetit të Kripores, por dhënia e një funksioni të ri që garanton të ardhmen e saj, duke ruajtur gjithmonë mundësinë për vazhdimin e prodhimit të kripës”, u shpreh ai.
Ky edicion u përmbyll me punimet e “Forumi-t Kriporja”, i cili për shkak të hapësirës së kufizuar brenda Muzeut të Kripores u zhvillua si një takim i formatit të mbyllur për ekspertët dhe përfaqësuesit institucionalë.
Festivali dëshmoi edhe një herë se Kriporja është e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm ekologjik e kulturor.

Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat