Ditën e premte (18 prill 2026) u bënë bashkë banorë nga Mali i Zi dhe Kosova, në 27-vjetorin e dhjetëra masakrave ndaj qindra fëmijëve, nënave, motrave, të rinjve, burrave, pleqve nga Kosova, të vrarë nga forcat ushtarake-paramilitare e policore serbe. Kjo e keqe i gjeti edhe shumë prej atyre që ia kishin mësyrë Malit të Zi.
Në momentin e përgjakshëm, në pranverën e dhembjes e të lavdisë, kur forcat e NATO-s kishin filluar maratonën e kur popullata kishte mbetur në mëshirën e qiellit e të Zotit, pikërisht në prillin e thyer dhe në majin e përgjakshëm, një numër i madh i qytetarëve të pambrojtur të Rrafshit të Dukagjinit u dëbuan me dhunë nga bandat paramilitare serbe.
Të dëbuarit, me duar mbi kokë, me qefin në gji e me sy të trishtë, ia mësynë Bjeshkëve të Thata, Ishtedimit, Hajlës, nëpër rrugë të cilat edhe për dhitë ishin të pakalueshme, duke arritur të futen në Mal të Zi.
Të mbijetuarit edhe sot flasin me zemrat copë-copë se sa të zorshme ishin ato shtigje, kurse për borën e bardhë thonin se kishte marrë ngjyrën e kuqe prej viktimave të pafajshme që ishin larë gjak.
Mali, bjeshka dhe vrrini po gjëmonin, kurse orët e bardha, ato që me shekuj na kanë ruajtur nga zezona, nga trishtimi e nga ploja që po përjetonin gjithë ajo popullatë që kishte ra në duart e xhelatëve, të cilët Kosovën e kishin kthyer të gjithën në thertore, tani ishin bërë bashkë me qyqet, sepse ishin të pafuqishme të përballen me bajlozat e me korbat e Serbisë vrastare.
Në ditën e 18 prillit, në Husaj u vranë gjashtë civilë, ndër të cilët Labinoti 13-vjeçar, i cili banonte te vëllai im në Husaj si refugjat.
Aty u vra Nemka (Demiq) Brahimaj, bijë e Rozhajës, 72-vjeçare, me tre djemtë e saj – Sherif, Rexhep e Mursel Brahimaj, si dhe Milazim Pelaj. Po në Husaj u plagosën rëndë edhe shumë të tjerë, ndër të cilët më rëndë ishte Haxhi Ahmetaj. Ai e ruan orën e dorës të ndalur saktësisht në orën 16 e 20 minuta nga goditja e plumbit të pushkës.
Pas Hajle u vranë Sokol Lajçi, Ramë Lajçi, Tone Husaj, Ramiz Brahimaj. Në fshatin Bukel i Epërm u vranë Afrim Xhuraj e Selim Kelmendi. Në Fushë të Gilit (Gilevo Pole) u vranë Musa Rexhaj, Ajet Rexhaj, Mehmet Rexhaj, Hetem Rexhaj, Faruk Murati, Arif Hysenaj, Arif Arifaj, Muhamed Blakaj dhe Sadik Ramçaj. Ky i fundit, në moshën 72-vjeçare, lidhur për ahu (trupi i tij i pajetë është zhdukur). Këtë e kishte përjetuar edhe i riu Ali Beqiraj, i cili fatmirësisht arriti të shpëtojë nga kthetrat e çetnikëve. Edhe ai kishte përjetuar katrahurën më çnjerëzore, i lidhur bashkë me Sadikun.
Edhe shumë të tjerë të plagosur, të rrahur, jo vetëm gjatë udhëtimit, rrëmbimit dhe dërgimit të tyre në Qendrën e keqtrajtimit në Andrijevicë. Gjithë këta shpirtra të pafajshëm e gjithë ky gjak i derdhur, u bëftë dritë për Kosovën!
Gjatë viteve të kaluara, të gjitha përpjekjet për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit janë palosur në mure heshtjeje, paaftësi institucionale dhe harresë të qëllimshme.
Derisa kujtimi për ta mbetet i paharrueshëm, i pathyeshëm mbetet edhe momenti për drejtësi nga ana e çdo nëne, çdo babai, motre e vëllai që për 27 vite me radhë presin për të marrë përgjigjen që u takon, të cilët deri sot kanë mbetur pa shpresë, sepse fajtorët nuk janë dënuar nga ana e organeve gjyqësore të Malit të Zi. Ata që ishin denoncuar nga avokati Velija Muriq si fajtorë, u liruan dhe sot shëtisin pa kurrfarë droje.
Çështja e të vrarëve nuk duhet të mbetet plagë e heshtur, por të trajtohet si obligim historik, politik dhe njerëzor. Nuk mund të këtë paqe pa e ditur të vërtetën e më të dashurve! Prandaj ne si shqiptarë nuk do të heshtim asnjëherë. Edhe ky përvjetor nuk është vetëm përkujtim i të vrarëve, por është edhe thirrje për drejtësi nga ana e familjarëve.
Jo larg nga Husajt, në kryqëzimin e rrugëve ku me shpresë për të arritur në Rozhajë janë ndërthurur rrugët e të dëbuarve me dhunë nga Kosova, së shpejti do të ngritet një memorial, jo vetëm si shenjë nderimi për viktimat por si paralajmërim që një krim i tillë të mos përsëritet më kurrë dhe askund.
“Secili njeri ka lindur të jetojë vetëm një herë, turpi dhe poshtërimi jetojnë përgjithmonë”, ka thënë Njegoshi.
Drejtësia nuk është çështje kohe, ajo është çështje e vullnetit të shtetit, vendit ku para 26 viteve ndodhi masakra. Ky është shteti i Malit të Zi, i cili pretendon t’i bashkohet Evropës së lirë dhe demokratike.
Pas kërkesave dhe takimeve shumëvjeçare nga ana ime dhe e Velija Muriqit drejtuar organeve të pushtetit lokal dhe atij qendror, para pak kohësh kemi marrë vendim pozitiv për realizimin e projektit të ngritjes së pllakës përkujtimore kushtuar këtyre viktimave, monument që do të ngritet në një të ardhme të afërt.
Lavdi dëshmorëve dhe drejtësi për viktimat, nderim dhe përulje për familjet të cilat nuk u ndalën së kërkuari të vërtetën për më të dashurit e tyre!
Haxhi Lajçi
(Fjala në shënimin e 27-vjetorit të Masakrës në Husaj)
