
Në kuadër të atyre personaliteteve të Ulqinit të cilët janë dalluar me veprimtarinë e tyre krijuese e botuese, bën pjesë edhe Ali Llunji, i cili ndonëse pjesën ma të madhe të jetës e ka kaluar në Kosovë, i ka mbetur besnik vendlindjes – Ulqinit të tij të dashur. Kjo është e kuptueshme, sepse vendlindja të ndjek nga pas kudo që të shkosh e jetosh.
Ai ka lindur në Ulqin, në vitin 1939, pjesëtar i familjes së nderuar të hafiz Hasan Llunjit. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore, ndërsa të mesmen – normalen dhe studimet universitare për Gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë.
Jeta dhe puna në Kosovë
Ndonëse në detyrën e arsimtarit ka filluar të punojë në Katërkollë të Anës së Malit, veprimtaria e tij kryesore është zhvilluar në Kosovë, ku ka jetuar e punuar rreth gjashtë dekada. Kështu në Kosovë fillimisht ka punuar profesor në Gjimnazin e Prishtinës dhe në Shkollën e Lartë të Komunikacionit (Prishtinë). Ndërsa më pas, puna e tij kryesore ka qenë gjatë pesë dekadave në fushën e publicistikës: si gazetar, redaktor, redaktor përgjegjës, komentator e kryeredaktor. Ka punuar në Radio Prishtinë, në Redaksinë Shqipe të TV Beogradit, në Televizionin e Prishtinës (TVP), Entin e Teksteve, ndërsa është pensionuar si drejtor i Arkivit të Radiotelevizionit të Kosovës. Është ndër themeluesit e kuadrot e para udhëheqëse e kreative të Programit Dokumentar Fejtonistik të TVP-së. Me shumë raporte, vështrime e komente informoi opinionin shqiptar për ngjarjet më të rëndësishme në kulturë, arsim, shkencë – të mjediseve tona dhe më gjerë.
Si reporter televiziv ka përgatitur dokumentarë shkencorë, si për ”500-vjetorin e Skënderbeut” (1968), ”Konsultën Gjuhësore të Prishtinës”, “Kongresin e Drejtshkrimit” (1972), shumë festivale e manifestime letrare etj. Është autor apo bashkautor i serialeve dokumentare televizive: ”Arbëreshët e Italisë”, “Arbëreshët e Zarës”, “Shqiptarët e Sirisë”, “Shqiptarët e Peshterit”, serialet “Gjeniu i kombit – Jeta dhe vepra shkencore e Prof. dr. Eqrem Çabejt” etj.
Po ashtu është marrë edhe me kritikë teatrore, filmike dhe letrare, me karakter eseistik e shkencor, që i ka botuar në mediat e shkruara të kohës në Kosovë. Si shkrimtar ka shkruar prozë, drama e skenarë për filma artistikë. Ndër librat më të rëndësishëm janë: “Në kalimere” (prozë për fëmijë, 1967), “Lugu i Xhemiles” (dramë, 1998), “Migjeni – filiz i epokës sonë” (1990), “Beqir Kastrati – legjendë e arsimit kosovar” (2001), “Harapët e Ulqinit” (2013) dhe ”Ulqini e deti” (2026).
Detarët – ambasadorët e Ulqinit
Duke lexuar këtë libër, çdo lexues do të njihet me disa të dhëna të cilat janë pjesë e kujtesës urbane të Ulqinit, që më kujdes të veçantë janë evidentuar nga autori. Ai, sa herë që ka ardhur në vendlindje, nuk ka qëndruar statik por vazhdimisht ka mbledhur material interesant, jo vetëm nga detarët e peshkatarët e Ulqinit, që ishte veprimtari jetike e tyre. Madje ky ishte një obligim moral, përkatësisht një ndjenjë e veçantë e autorit ndaj vendlindjes dhe bashkëqytetarëve të tij, të cilët kanë qenë ambasadorët më të denjë të qytetit të Ulqinit.
Krahas meditimit e komunikimit në bashkëbisedim me individë të ndryshëm, duhet thënë publikisht se ai ka qenë i privilegjuar, sepse pranë vetes ka pasur nënën e tij, e cila ka qenë një arkiv i veçantë për të kaluarën e Ulqinit.
Në këtë botim janë përfshirë një gamë e gjerë detarësh të moshave të ndryshme, të cilët kanë bërë emër në kohën e tyre. Ata në këtë botim na paraqiten si dëshmi e një jetë dinamike, në luftë me detin dhe mbijetesën në det, duke mbetur emblemë e qytetit të Ulqinit.
Shtojca – vlerë e veçantë e librit
E veçanta e këtij botimi ka të bëjë me shtojcën e realizuar nga botuesi, duke ofruar të dhëna me interes për traditën detare shqiptare, me theks të veçantë në traditën ulqinake të detarisë. Në këtë aspekt ofrohen të dhëna për barkat ulqinake me vela deri në vitin 1918, kapedanët e detarët ulqinakë. Po ashtu ofrohen të dhëna edhe për detarët ulqinakë të shpërngulur në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, pas vitit 1880. Kemi të bëjmë me një veprim të qëlluar, sepse ka kompletuar çështjen e trajtuar, duke ofruar të dhëna me interes për çështje të antropologjisë historike e asaj kulturore.
Ndërsa fotoalbumi përmbyll në mënyrë logjike një botim interesant jo vetëm për detarinë e Ulqinit, duke ofruar pamje të ndryshme me interes shumëdimensional.
Përfundim
Në saje të përmbajtjes e tematikës së trajtuar, këtë libër në vitrinën e tyre duhet ta mbajnë të gjitha familjet ulqinake që kanë qenë pjesë e veprimtarisë së detarisë, sepse ata këtu përmenden me emër e mbiemër. Ky libër paraqet të kalurën e Ulqinit, të paktën në këto tre shekujt e fundit, periudhë kur në këtë qytet lulëzoi veprimtaria e detarisë e me të edhe e kusarisë. Por në këtë aspekt nuk duhet përjashtuar as të tjerët, sepse deti është i të gjithë qytetarëve, si vendas por edhe i atyre që këtu vijnë si vizitorë. Të dhënat e ofruara në këtë botim janë dëshmi për të kuptuar rëndësinë e kësaj veprimtarie për mbijetesën në këtë qytet në të kaluarën.
Pasi Ulqini është i veçantë në historinë e detarisë shqiptare, nga ky botim kanë mundësi të njihen me të dhëna me interes të gjithë ata të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për detarinë e Ulqinit, sidomos në këto tre shekujt e fundit.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një botim të veçantë, i cili përveç kujtimeve të bartura përcjell edhe ato të përjetuara, nga e kaluara e deri në ditët tona, literatura e konsultuar avancon çështjet përkatëse. Dhe si i tillë, e them me bindje të plotë se fragmente nga ky botim në lidhje me detarinë e Ulqinit mund të prezantohen si njësi e veçantë mësimore në shkollat fillore dhe të mesme, sepse të dhënat e tilla në këtë libër janë të rralla, për të gjithë ata që detarinë e kanë hobi apo në interes të meditimit personal.
Në këtë drejtim ulqinakët kanë qenë shëmbull sakrifice e guximi në aspektin lokal e kombëtar, si asnjë qytet tjetër në të kaluarën në bregdetin shqiptar. Ndërsa prezantimi i kësaj veprimtarie në letërsinë popullore e në veçanti në folklorin shqiptar e dëshmon më së miri një konstatim të tillë.
Dhe në fund, cekim se për të gjithë ata që duan të trajtojnë detarinë e Ulqinit ky botim do të jetë referencë e domosdoshme, për hulumtimet apo studimet e ndryshme mbi detarinë e Ulqinit, e cila ka qenë sinonim i veprimtarisë së ulqinakëve dhe i mbijetesës së tyre në këtë cep të Ilirisë.
(Vështrimi është lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 6 prill 2026)
