
Mijëra njerëz këto ditë po protestojnë në Shqipëri kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz të Jared Kushnerit pranë një zone të mbrojtur ekologjike në ishullin Sazan. Kjo është e drejta e tyre. Demokracia pikërisht nënkupton mundësinë që qytetarët të kundërshtojnë vendimet e pushtetit.
Por një pyetje mbetet pezull mbi këto protesta. Shqipëria për dekada ka jetuar nën një nga regjimet më të mbyllura dhe më represive komuniste në Evropë – regjimin e Enver Hoxhës.
Gjatë kohës së këtij regjimi kriminel, në Shqipëri ekzistonin burgje politike dhe kampe pune, ku mijëra njerëz u burgosën dhe iu nënshtruan kushteve të rënda dhe torturës çnjerëzore për shkak të kundërshtimit real ose të supozuar ndaj regjimit.
Mirëpo, nuk kishte shembuj të rebelimit publik sikur në disa vende të tjera komuniste.
Shqipëria nuk pati një Jan Palach, studentin që u vetëdogj më 1969 në shenjë proteste pas shtypjes së Pranverës së Pragës; nuk pati një simbol të rezistencës si “Tank Man” anonim në Sheshin Tienamen në Pekin, 1989, fotografia e të cilit bëri jehonë në mbarë botën; nuk pati një moment që do të bëhej një imazh universal i mosbindjes qytetare.
Frika ishte reale, represioni brutal dhe heshtja pothuajse e përgjithshme.
Prandaj protestat e sotme hapin një pyetje të pakëndshme: a është guximi i njëjtë kur nuk ekziston rreziku serioz i hakmarrjes nga ana e pushtetit?
Shumë prej protestuesve tē sotëm as nuk kishin lindur gjatë regjimit të Hoxhës. Por shoqëritë mbajnë trashëgiminë e tyre historike. Prandaj nuk është e paligjshme të pyesësh se si nga dekada të tëra të pasivitetit politik sot kalohet kaq lehtë në rolin e revolucionarit.
Ndoshta protestat për mbrojtjen e një parajse ekologjike në Sazan janë shenjë e një shoqërie të pjekur qytetare. Ose ndoshta janë dëshmi se është më e lehtë të jesh rebel kur rebelimi nuk sjell rrezik serioz hakmarrjeje. E vërteta ndoshta qëndron diku në mes.
Gjithashtu, pa hyrë as në thelbin e projektit të Kushnerit dhe as në thelbin e vetë protestave, vëmendje meriton edhe pyetja se kush jashtë Shqipërisë, dhe pse, po u jep mbështetje protestave, në një moment kur ky vend po shënon përparimin më të madh në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ky mendim imi nuk është një gjykim historik, por vetëm koment personal.
