Bashkoi sportin, kulturën dhe miqësinë

Të shtunën, më 6 qershor 2026, në ambientin e bukur të Shasit u zhvillua me sukses Turneu Tradicional i Volejbollit për Femra “Shasi 2026”, i treti me radhë, i cili edhe këtë vit u organizua në bashkëorganizim të KV “Barbana” dhe Shoqatës “Ora”.
Aktiviteti mblodhi sportiste, trajnerë, dashamirës të sportit dhe mysafirë nga rajoni.
Në turne morën pjesë katër ekipe: KV “Peja” nga Peja, KV “Barbana” nga Ulqini, KV “Flaka 95” nga Presheva dhe KV “Rias” nga Struga. Gjatë gjithë aktivitetit u përcoll mesazhi se rrjeta e volejbollit nuk ndan, por bashkon, duke krijuar ura miqësie dhe bashkëpunimi mes të rinjve nga treva të ndryshme.
Para fillimit të garave sportive, pjesëmarrëset patën mundësinë të shijojnë bukuritë natyrore të Shasit përmes një shëtitjeje me target në liqen, duke e njohur nga afër këtë zonë me vlera të veçanta natyrore dhe historike.
Hapja solemne e turneut u shoqërua me një program artistik, ku Ansambli “Trojet Tona” prezantoi një valle tradicionale të trevës së Anës së Malit, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë kulturor.
Pjesa sportive e turneut u karakterizua nga rivaliteti, cilësia e lojës dhe ndeshjet e ekuilibruara, të cilat u ndoqën me interes të madh nga publiku i pranishëm.
Gjatë gjithë turneut ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Ismet Kurti, i cili në përfundim të aktivitetit ndau çmimet për ekipet dhe sportistet fituese.
“Jam shumë i emocionuar që ndodhem në vendlindje, por edhe më tepër nga ky turne që ka bashkuar vajza nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare. Ky është një aktivitet me shumë vlerë dhe duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ju siguroj se do ta keni përkrahjen e fondacionit tonë për nisma të tilla domethënëse”, u shpreh ai.
Kurti gjithashtu vlerësoi punën e palodhshme të udhëheqësisë së Klubit “Barbana” për përkushtimin ndaj zhvillimit të sportit te vajzat e kësaj treve.
Pas zhvillimit të ndeshjeve, renditja përfundimtare ishte: vendi i parë KV “Peja” nga Peja, vendi i dytë – KV “Barbana” nga Ulqini, vendi i tretë KV “Flaka 95” nga Presheva dhe vendi i katërt KV “Rias” nga Struga
Përveç çmimeve ekipore, u ndanë edhe vlerësime individuale për sportistet më të spikatura. Kështu, lojtarja më e re Donika Polisi (KV “Rias”, Strugë), Lojtarja më me perspektivë – Sadete Shaba (KV “Barbana”) dhe Lojtarja më e mirë e turneut Agnesa Ukaj (KV “Peja”).
Ekipet dhe sportistet fituese u nderuan me kupa, medalje dhe diploma në shenjë vlerësimi për paraqitjet e tyre.
Mbyllja e aktivitetit u shndërrua në një festë miqësie, ku pjesëmarrëset festuan së bashku, duke dëshmuar se sporti mbetet një ndër mënyrat më të mira për t’i afruar njerëzit dhe për të forcuar lidhjet mes të rinjve.
Organizimi i këtij aktiviteti u bë i mundur falë mbështetjes së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” dhe Organizatës Turistike të Ulqinit, si dhe me kontributin e Komunës së Ulqinit dhe Familjes Hajdari.
Turneu “Shasi 2026” konfirmoi edhe një herë rëndësinë e sportit si mjet bashkimi dhe promovimi të vlerave pozitive në shoqëri.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat