Shënim i një jubileu të rëndësishëm shtetëror përmes artit dhe kulturës

Në këtë ekspozitë morën pjesë artistët: Allmedin Suka, Bilal Nikeziqi, Edin Kapllani, Emina Nimanbegu, Jetmira Hoxha, Mersiha Resulbegoviq - Mavriq, Naser Hasa dhe Vahida Hasanaga - Nimanbegu. Secili prej tyre u paraqit me punime që reflektojnë individualitetin krijues, përvojën artistike dhe ndikimet e ndryshme që kanë formësuar skenën lokale të artit ndër vite. Veprat e ekspozuara përfshinin stile dhe qasje të ndryshme, duke filluar nga interpretimet bashkëkohore e deri tek ato më tradicionale, çka e bëri ekspozitën një pasqyrë të gjallë të pluralizmit artistik në qytet

Ekspozita e artistëve lokalë, e organizuar nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, u hap të mërkurën mbrëma (22 prill 2026) në Galerinë e kësaj qendre në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi.
Ky aktivitet i veçantë kulturor iu kushtua krijimtarisë së piktorëve ulqinakë gjatë dy dekadave të fundit, duke sjellë para publikut një përmbledhje të pasur veprash që dëshmojnë zhvillimin dhe dinamizmin e artit pamor në Ulqin.
Në këtë ekspozitë morën pjesë artistët: Allmedin Suka, Bilal Nikeziq, Edin Kapllani, Emina Nimanbegu, Jetmira Hoxha, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Naser Hasa dhe Vahida Hasanaga – Nimanbegu. Secili prej tyre u paraqit me punime që reflektojnë individualitetin krijues, përvojën artistike dhe ndikimet e ndryshme që kanë formësuar skenën lokale të artit ndër vite. Veprat e ekspozuara përfshinin stile dhe qasje të ndryshme, duke filluar nga interpretimet bashkëkohore e deri tek ato më tradicionale, çka e bëri ekspozitën një pasqyrë të gjallë të pluralizmit artistik në qytet.
Ky aktivitet u konceptua si një dhuratë për qytetarët e Ulqinit dhe si një mundësi për të shënuar së bashku një jubile të rëndësishëm shtetëror përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë së përbashkët. Përmes kësaj ekspozite, organizatorët synuan të theksojnë rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të artistëve lokalë, si dhe të nxisin një lidhje më të fortë mes publikut dhe krijimtarisë artistike vendore.
Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë rasti Merita Subashiq – Shabanoviq, sekretare e Sekretariatit për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, e cila theksoi rolin e kulturës në ruajtjen e identitetit dhe promovimin e vlerave të qytetit.
“Jemi mbledhur sonte për të filluar shënimin e jubileut – 20-vjetorit të Pavarësisë. Si dikush që, që nga fëmijëria e hershme është rritur me idenë e një shteti të pavarur dhe sovran, sot qëndroj para jush me krenari, e bindur se më 21 maj 2006 kemi marrë vendimin e vetëm të drejtë. Ne, si komunitet pakicë, kemi dhënë një kontribut të fuqishëm në këtë proces historik. Duke falënderuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen tonë, sot festojmë dhe jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur”, ka thënë ajo.
Ndërsa duke folur për ekspozitën figurative, sekretarja për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore e Komunës së Ulqinit ka theksuar se ajo paraqet krijimtarinë e artistëve të Ulqinit gjatë njëzet viteve të fundit.
“Veprat e tyre dëshmojnë për pasurinë, forcën dhe bukurinë e shprehjes bashkëkohore kulturore. Ideja jonë, por edhe obligimi ynë është që në bashkëpunim me artistët ta shënojmë me dinjitet këtë jubile të rëndësishëm. Falënderoj të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës dhe e pasurojnë këtë manifestim me pjesëmarrjen e tyre”, ka thënë Subashiq – Shabanoviq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu vlerësoi kontributin e artistëve në pasurimin e jetës kulturore dhe në përfaqësimin e denjë të Ulqinit.
“Sot është muaji prill dhe nuk jemi më 21 maj, por kjo nuk do të thotë që festa e 21 Majit nuk duhet të zgjasë disa muaj, madje edhe gjatë gjithë vitit. 20-vjetori i pavarësisë së një shteti nuk është gjë e vogël. Unë nuk mund të them se isha pjesëmarrës aktiv në pavarësimin e Malit të Zi, por disa muaj më herët kemi themeluar subjektin tonë politik, Forcën e Re Demokratike, në tetor të vitit 2005. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi marrë pjesë me zemër dhe me shpirt në formimin e një shteti të pavarur, i cili do të na mundësojë të drejtat tona ekonomike, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit dhe lirinë e artit”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka theksuar në vijim se me këtë aktivitet fillon programi i aktiviteteve të Komunës së Ulqinit për shënimin e 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi.
Ai ka falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin sekretaren për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore të Komunës së Ulqinit, Merita Subashiq – Shabanoviq.
“Sonte fillojmë me artistët, ndërsa gjatë muajve në vijim do të ketë aktivitete të shumta: koncerte dhe ngjarje të tjera kulturore. Besoj dhe shpresoj që do të ketë sa më shumë pjesëmarrës, sidomos në momentet kur do të reflektojmë së bashku për atë se çfarë është arritur në këto 20 vite pas pavarësisë. A janë arritur të gjitha qëllimet që kemi pasur? Sigurisht që jo, por janë arritur shumë. Komuniteti i Ulqinit, i cili është multikonfesional dhe multinacional, është një komunitet i hapur, por edhe një komunitet që di ta mbrojë veten në çdo sfidë. Prandaj, dua t’i falënderoj artistët që kanë ekspozuar këtu, sepse ndoshta do të vijë një kohë kur nuk do të përmenden politikanët që kanë jetuar në një epokë, por arti dhe bukuria e tij do të qëndrojnë shumë më gjatë”, ka thënë kryetari i Komunës së Ulqinit, duke e shpallur të hapur ekspozitën dhe duke bërë ftesë që ta shijojnë së bashku bukurinë e artit.
Atmosfera e mbrëmjes u bë edhe më e veçantë falë interpretimeve në instrumente nga disa nxënës të Shkollës për Arsimim Fillor të Muzikës dhe Baletit në Ulqin. Performancat e tyre plotësuan përjetimin artistik të ngjarjes.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat