Të enjten (9 prill 2026), në Ulqin kanë nisur punimet për ndërtimin e një kopshti publik për fëmijë, investim me vlerë rreth 3 milionë euro. Projekti parashikohet të realizohet brenda 18 muajve.
Pas 47 vitesh nga ndërtimi i kopshtit “Solidariteti”, është vendosur gurthemeli për një objekt të ri modern të institucionit publik parashkollor, i cili do të ketë kapacitet për 125 fëmijë, përfshirë çerdhen dhe grupet parashkollore.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit u bë e ditur se ky projekt është pjesë e një planifikimi më të gjerë për zgjerimin e kapaciteteve për edukimin e hershëm në disa qytete të Malit të Zi.
“Pas fillimit të ndërtimit të kopshteve në Tivar dhe Nikshiq, radha i erdhi edhe Ulqinit. Sot po vendosim gurthemelin për një objekt bashkëkohor dhe funksional me vlerë 2.911.105,95 euro me TVSH, ndërsa projekti realizohet në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës. Në periudhën e ardhshme do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës arsimore në fushën e edukimit parashkollor, përmes ndërtimit të objekteve të reja dhe rikonstruksionit të atyre ekzistuese, me qëllim që të sigurojmë kushtet më të mira për qëndrimin e më të vegjëlve tanë në të gjitha pjesët e Malit të Zi”, është shprehur ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq – Stojanoviq.
Ajo ka paralajmëruar se së shpejti do të fillojnë punimet edhe për rikonstruksionin e sallës së fizkulturës së shkollës fillore “Boshko Strugar”.
“Po përpiqemi gjithmonë që me këto raste të shënojmë dhe të festojmë këto momente të rëndësishme, sepse janë me të vërtetë me shumë rëndësi. Falënderoj edhe drejtorët dhe drejtoreshat e institucioneve arsimore nga Ulqini, të cilët janë sot këtu dhe që japin mbështetjen e tyre. Në ditët në vijim shpresojmë se do të kemi lajme të mira për shkollën ‘Boshko Strugar’ në Ulqin dhe që më në fund do të fillojmë rikonstruksionin e sallës së edukatës fizike, për të cilën është folur shumë. Dua të shpreh mirënjohje për kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Nimanbegu, për bashkëpunimin e shkëlqyer në periudhën e kaluar dhe jam e sigurt se edhe në periudhën e ardhshme do të kemi një bashkëpunim edhe më të mirë, në të mirë të të gjithëve”, theksoi ministrja Jakshiq – Stojanoviq.
Ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, e cilësoi këtë moment si një investim në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku fëmijët rriten, mësojnë dhe zhvillojnë vlerat themelore të jetës.
“Sot nuk vendosim vetëm gurthemelin e një objekti. Sot vendosim themelet e së ardhmes, të shpresës dhe të përgjegjësisë ndaj atyre për të cilët punojmë – fëmijëve tanë. Objekti do të ndërtohet në një hapësirë prej rreth 1300 metrash katrorë. Kopshti që po ndërtojmë në Ulqin do të jetë vendi i hapave të parë, i miqësive të para dhe i ëndrrave të para. Një vend ku do të fillojë rrugëtimi i tyre drejt dijes dhe zhvillimit. Çdo investim në më të vegjlit, nuk është vetëm investim në të tashmen por edhe në të ardhmen që e ndërtojmë së bashku, sepse duke ndërtuar projekte të tilla, ne ndërtojmë edhe Malin e Zi”, theksoi ajo.
Ndërkaq ministri i Financave, Novica Vukoviq, tha se me ndërtimin e kopshtit në Ulqin konfirmojmë përkushtimin ndaj projekteve që sjellin përfitime afatgjata dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Ministria e Financave do të vazhdojë të sigurojë fonde për iniciativa që krijojnë baza të qëndrueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Malit të Zi. Ne mbështesim plotësisht investimet në arsim dhe për këtë arsye më gëzon shumë kur jemi dëshmitarë të fillimit të ndërtimit të këtij objekti”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu tha se ndërtimi i kopshtit përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në fushën e arsimit parashkollor në Ulqin gjatë viteve të fundit dhe ka për qëllim të sigurojë kushte cilësore, të sigurta dhe moderne për qëndrimin, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, si dhe të lehtësojë kapacitetet ekzistuese.
“Komuna e Ulqinit tregon stabilitet të koalicionit, stabilitet financiar dhe një vizion të qartë për hapat që i duhen komunitetit tonë. Kemi thënë në fillim të mandatit se do të punojmë për të rinjtë. Kemi siguruar mjete dhe shumë shpejt ky qytet do të marrë formën e një qyteti modern. Me këto fjalë, ju uroj këtë ditë të veçantë, këtë ditë të bukur prilli, dhe le të fillojmë festat edhe për fëmijët tanë”, u shpreh Nimanbegu.
Kopshti ekzistues “Solidariteti”, i ndërtuar pas tërmetit të vitit 1979, ka pësuar përkeqësim të vazhdueshëm të kushteve ndër vite. Drejtoresha e institucionit parashkollor “Solidariteti”, Elmadije Maraj, theksoi nevojën urgjente për zgjerimin e hapësirave për shkak të numrit të lartë të fëmijëve të regjistruar.
“Ky është një projekt që është pritur prej kohësh dhe paraqet një rëndësi të veçantë për tërë komunitetin tonë, sidomos për më të vegjlit e qytetit të Ulqinit. Ndërtimi i këtij kopshti nuk do të thotë vetëm ndërtimi i një objekti të ri, por është një investim në të ardhmen e këtij qyteti dhe në fëmijët tanë. Çdo fëmijë meriton një hapësirë të sigurt, të ngrohtë dhe stimuluese, në të cilën ata do të luajnë, do të mësojnë dhe do t’i zhvillojnë të gjitha potencialet e veta”, tha ajo.
Maraj shtoi se shpreson që ky kopsht do të jetë një vend ku fëmijët do të hedhin hapat e tyre të parë të sigurt drejt një të ardhmeje më të mirë.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar që ky projekt të bëhet realitet. Në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm, sepse fëmijët tanë meritojnë më të mirën. Aktualisht janë të regjistruar 540 fëmijë dhe institucioni funksionon në katër objekte të shpërndara, gjë që e vështirëson organizimin dhe realizimin e procesit edukativo-arsimor, si dhe shpërndarjen e ushqimit dhe aktiviteteve të tjera sipas planit dhe programit”, u shpreh ajo.
Nisja e ndërtimit të kopshtit të ri në Ulqin shënon një investim të rëndësishëm në infrastrukturën parashkollore dhe përmirësimin e kushteve për fëmijët. Se a do të vazhdojnë këto investime në mënyrë të qëndrueshme dhe a do të sjellin realisht standardet e kërkuara për edukimin e hershëm, pritet të shihet.
D. Teliqi
