Panteoni kombëtar i një intelektuali

“Historia gjithmonë është më zemërgjerë se bashkëkohësia.”

Korab Kraja

Pak me ndrojtje, por më shumë me dëshirë e vullnet do të marr shkas që ta përmbledhi në disa fjali ndikimin e veprave të profesor Rexhep Qosjes, më konkretisht, ndikimin e kompletit të tij në mendjen time. Me pak ndrojtje, por më shumë me obligim moral të një lexuesi të ri, më shtyn që disa nga përjetimet, mësimet dhe reflektimet që m’i dhanë njëzet e nëntë veprat e profesor Rexhep Qosjes, të mundohem t’i shpreh me pak fjalë si kontribut ndaj leximit dhe ndaj sugjerimit të leximit të shkrimeve të tij, nga të vjetrit, e sidomos nga ne të rinjtë. Që të kuptohet filozofia e tij, prandaj, duhet të lexohet vepra e tij.
Duke mos synuar që të bëj studim mbi jetën dhe veprën e profesor Rexhep Qosjes, sepse studimet rreth jetës dhe veprës së tij i kanë bërë ata të cilët janë të thirrur profesionalisht ta bëjnë, që besoj se do vazhdojnë ta bëjnë dhe ta plotësojnë edhe në të ardhmen, mund të paraqes në pika të shkurtra, nga këndveshtrimi im, disa të dhëna, ndjenja dhe mësime nga shkrimet e tij.
Kompleti i veprave të profesor Rexhep Qosjes, siç kuptohet nga titulli i këtij shkrimi dhe siç mund ta dinë edhe shumë të tjerë, përbëhet nga 29 vëllime – nga këto 36 libra të ndarë në kategori të ndryshme: 1. Vepra historiko-letrare; 2. Vepra letrare; 3. Vepra historike dhe historiko-dokumentare; 4. Vepra publicistike, si dhe 5. Vepra polemike. Të gjitha këto përbëjnë një laramani shkencore dhe artistike të përmbledhura në rreth 13257 faqe.

  1. Vepra historiko-letrare
    Mund të lexohet rreth kritikës letrare dhe zhvillimin kritik ndaj veprave letrare të shkrimtarëve të ndryshëm. Jepen elemente dhe hollësi shkencore mbi studimet letrare, albanologjike dhe fjalorit të krijuesve letrarë. Stili dhe mënyra e shkrimit e përdorur në kritikën, me të cilën i shkruan këto vepra, bën të mundur që të lexohet edhe prej atyre që profesionalisht nuk janë të përgatitur të lexojnë diçka të tillë, sepse përshkrimi, ndërtimi i fjalisë dhe mesazhi që përçon, e bën të qartë, të kapshëm dhe të bukur për çdo lexues. Arritja më kulminante në këtë pjesë mund të thuhet se është studimi trevëllimësh i Historisë së Letërsisë Shqipe, periudha e Romantizmit, në të cilën bën studimin e vetjeve që themeluan Rilindjen Kombëtare Shqiptare, të cilët me veprat e tyre formuan programin kombëtar, me ndërgjegje se “s’mjafton të bëhet Shqipëria”, po “duhen bërë dhe shqiptarët”. Formimi intelektual dhe emancipimi i përgjithshëm moral, etik dhe kulturor në bashkëkohësinë e ngjarjeve dhe mendësive, pa dyshim që kulmon me veprën “Anatomia e kulturës”.
  2. Vepra letrare
    Mund të lexohen veprat letrare, që sipas studiuesve, ka bërë revolucionin letrar dhe themelimin e disa zhanreve të reja letrare. Romanet e tij, nga i pari tek i fundit, prekin jetën shoqërore të shqiptarëve në kohë jo shumë të largëta. Gjithmonë, si atëherë, por edhe sot, më i sulmuari ishte, është, prandaj ndoshta dhe do të jetë intelektuali: intelektuali shqiptar në një botë të rrethuar nga dyfytyrësh, trefytyrësh, shumëfytyrësh dhe të pafytyrësh. Qendra e vëmendjes në temat e trajtuara do të kapë hapësirën kulturore shqiptare të ndarë në dy pjesë: në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi dhe në hapësirën shqiptare në ish-Shqipërinë komuniste. Përndjekjet dhe vuajtjet që shqiptari do t’i përjetojë nga regjimet e atëhershme, qoftë nga serbët e malazezët, po ashtu edhe nga vetë shqiptarët, janë të përshkruara me mjeshtëri, me përkushtim, me shije të hollë, që tregon se kurrizin mund ta kenë pasur të përkulur, por disa personalitete shqiptare kokën e kanë mbajtur gjithmonë lart. Pikënisje e kësaj veprimtarie do të mbetet gjithmonë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
  3. Vepra historike dhe historiko-dokumentare
    Mund të lexohet historia dhe politika e shqiptarëve ndër vite, të treguara përmes fjalorit të pasur, të tregimit të drejtë dhe dëshmive dokumentare, shkencore dhe personale. Ashtu siç thuhet, derisa politikat e atëhershme që bënin disa shqiptarë i gjenin dyert e mbyllura në disa vende botërore, vepra “Çështja shqiptare – historia dhe politika” gjendej dhe kishte vend të veçantë brenda institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare. Aty ku nuk mund të depërtonte politika, depërtonte vepra shkencore e profesor Rexhep Qosjes. Kjo mund të dëshmohet përmes ditarëve të mbajtur në kohët vendimmarrëse ndaj shqiptarëve dhe përmes sesioneve shkencore e përkujtimoreve. Por, kjo më së miri mund të dëshmohet me veprën publicistike të tij.
  4. Vepra publicistike
    Mund të lexohet, kur gjeneratat e vjetra kohën e ish-Jugosllavisë dhe persekutimet e saj ndaj shqiptarëve i jetuan dhe mund të lexohet kur këto gjenerata të vjetra, ato kohë të pështjellimeve të mëdha i harruan; mund të lexohet për kohën kur inteligjencitë kundërshqiptare u rreshtuan nën orkestrën e propagandës, nënçmimit dhe fyerjeve ndaj shqiptarëve, së cilës i bënë ballë disa intelektualë shqiptarë me kundërpërgjigjet dhe ballafaqimet e tyre argumentuese për shqiptarizmin; mund të lexohet dhe mund të mësohet që intelektualët tanë shqiptarë, herë të vetëm e herë së bashku, herë vetëm profesor Rexhep Qosja, e herë edhe disa të tjerë, bënë betejën mendore kundër atyre intelektualëve të tjerë serbë, malazezë, maqedonë a shqiptarë, të cilët historia do t’i ndëshkojë me kohë, e disa të tjerë do të sillen ende kryelartë e me moral përtokë. Idetë e tij për çështjen shqiptare, siç mund të lexohen nëpër intervista, sikur të ishin marrë më seriozisht dhe të mos kishin luajtur me “politikën që nuk të çon askund”, me të vërtetë se do kishim një politikë vepruese shqiptare, e jo një “lëvizje, e cila në të vërtetë nuk lëvizte”. Thjesht, ata nuk ishin në anën e duhur të historisë. Brezat e rinj, të cilët nuk e kanë përjetuar terrorin e regjimit të ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, për ta pasur më të qartë atë kohë, duhet ta lexojnë veprën “Populli i ndaluar”.
  5. Vepra polemike
    Mund të lexohet, se përpos polemikave që kanë pasur intelektualët tanë me intelektualët kundërshqiptarë, profesor Rexhep Qosja ka pasur polemika edhe me intelektualët shqiptarë, të cilët në një mënyrë apo tjetrën, rolin e formimit të identitetit të shqiptarëve, e shpjeguan me argumentet e tyre. Gjuha polemike e përdorur ndaj tij dhe shtjellimi i temave me metodologjitë krahasuese-dokumentuese, bën që polemikat të marrin edhe një kuptim tjetër: ato do të luajnë edhe rolin shkencor dhe artistik njëkohësisht, dhe do të marrin rolin e nxitjeve të debateve formuese kulturore e intelektuale ndër shqiptarët, sidomos trajtesa mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare “Ideologjia e shpërbërjes”.
    Më pengojnë shumë joprofesionistët të cilët flasin e shkruajnë në lidhje me profesione që s’u takojnë. Megjithatë, nëse më lejohet që të mbështetem në disa studiues të cilët e kanë analizuar dhe studiuar veprën e tij, do shprehesha i sigurt se profesor Rexhep Qosja për shkencën albanologjike e letrare ka bërë shumë më shumë se disa të tjerë dhe ka vend të merituar në ndërtimin letrar, kulturor e historik në kombin tonë. Pa të, po ashtu mund të them, se letërsia dhe shkenca letrare do kishte një boshllëk të madh. Prandaj, përsëri, nuk do kërkoj leje për të thënë, duke u mbështetur edhe në vlerësimet e të tjerëve, se profesor Rexhep Qosja është personalitet me ndikim të madh në intelektualizmin e historisë bashkëkohore shqiptare, si në shkencën e letërsisë, ashtu edhe në çështjen kombëtare. Më lejohet të citoj, se “historia gjithmonë është më zemërgjerë se bashkëkohësia”.
    Dhe, më lejohet që përsëri të citoj e të përshtas, se profesor Rexhep Qosja “me dijen dhe me kulturën e tij të gjerë e ka shpjeguar ardhmërinë e popullit të vet dhe e ka shpjeguar qartë historinë e tij. Prandaj, edhe në të ardhmen, ne, përmes tij, do të mësojmë mësimin e shtrenjtë se si duhet dashuruar, se si duhet duruar, se si duhet kundërshtuar, se si duhet vazhduar dhe se si duhet ndryshuar historia: historia e krijimtarisë mendore dhe historia e të qenmes shoqërore”.
    Fjalia e parë e romanit të tij të parë: “Ndër shumë kallëzime, që kishte dëgjuar në fëmijëri, më shumë i ishte ngulitur në kujtesë një si legjendë, që flet për një ngjarje, që moti, ndoshta, kur janë vënë gurët e parë në themele, kishte ndodhur në qytetin tonë, Vajazan. Sa herë ia tregonte babai i tij, ndjesë pastë, i thoshte: Xhezair, tani hapi veshët! Dhe ai e dëgjonte me veshë e me mend.” (“Vdekja më vjen prej syve të tillë”, 1974)
    Fjalia e parë e romanit të tij të fundit: “Posa ulem në karrige, afër tryezës së punës, në të cilën i kam shkruar pothuaj të gjithë ata libra që kam shkruar deri sot, e, mjerisht, janë më shumë se ç’do të ishte mirë për mua, m’u bë se tryeza disi e mpakur nisi të largohet prej meje.” (“Të fshehtat e treguara”, 2020)
    Kritika letrare e studiuesit e letërsisë shqipe, veprat e tij historiko-letrare, letrare, historike dhe historiko-dokumentare, publicistike, polemizuese e ditarët e fundit si komplet më vete, e konsiderojnë si prurës i guximshëm i stilit, zhanrit dhe identitetit letrar. Si studiues i madh i periudhës së Rilindjes Kombëtare, prandaj i frymëzuar nga ajo, i fillpaskohës së saj, u identifikua si një mishërim i tyre në mesin tonë, prandaj edhe si i fundit i tyre.
    Ngushëllimet për të mbeten fjalë që mbase do të ishin të shënuara në ndonjë nga veprat e tij letrare, kritike, publicistike, historike, polemike e ditare. Ngushëllimet për të do të bëhen pjesë, sot, por edhe në të gjithmonshmen si kujtesë që shumë fjalë, fjali e mendime të lexuara prej tij, të dëgjuara nga ai, të shqiptuara ballëpërballshëm me të, e një krijimtarie të përshpirtshme në një mbamendje të përjetshme. Ngushëllimet e sotme për të janë vetëm shprehje e shkruarje, të shumë rreshtave të lexuar të tij, madje çdo gjë që ka shkruar e më pas e ka botuar, të çdo paraqitjeje në intervista dhe të çdo takimi me të në promovime të librave të tij, në panaire librash, në tubime, por edhe në takime të rastësishme.
    Shkrimet e tij do të mbeten udhëzime mësimore për leximin e shkrimin e fjalës së pastër shqipe; gojëtaria e tij do të mbetet udhëzim në drejtshqiptimin e fjalës shqipe dhe në ndërtimin, e përbërë, me përmbajtje cilësore, mendore, estetike të fjalisë shqipe; takimi me të do të lërë në kujtesë një përndritshmëri fizike dhe një shikim depërtueshëm të thellë.
    Jetën tonë e pasuruam me një vetje me rëndësi të madhe, peshë të rëndë e vlerë të veçantë. Mësimet e rilindasve i mishëroi në vete, prandaj përditshmërinë tonë e ndamë me të fundin prej tyre. Ata jetuan në të njëjtën kohë me Kantin, Goethen, Rusonë, Bodlerin, e tanët jetuan në të njëjtën kohë me Naimin e Asdrenin, e ne me Kadarenë, e sidomos me Qosjen.
    Jeta e tij, vepra e tij dhe guximi i tij intelektual do të mbeten të përhershëm, ashtu si përhershëm ka mbetur krijimtaria e tij e gjithmonshme me emrin Rexhep Qosja!

Të fundit

më të lexuarat