Një bashkëpunim që fuqizoi zërin shqiptar në SHBA

Bashkëpunimi mes Eliot Engelit dhe veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e angazhimit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në një periudhë kur çështja e Kosovës kërkonte mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ky bashkëpunim u shndërrua në një urë lidhëse mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe vendimmarrësve politikë amerikanë të niveleve më të larta të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Ndarja nga kjo jetë e kongresistit Eliot Engel ka rikthyer në vëmendje jo vetëm figurën e një miku të madh të shqiptarëve, por edhe bashkëpunimin e tij të vyer me përfaqësues të shquar të diasporës, mes tyre edhe aktivisti dhe biznesmeni i dalluar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari. Ky bashkëpunim, i ndërtuar mbi përkushtim dhe vizion të përbashkët, ishte një shtyllë e rëndësishme në promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishte një kohë kur politika amerikane dhe veprimtaria e diasporës shqiptaro-amerikane u bashkuan në një aleancë të fortë për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. Bashkëpunimi mes Eliot Engelit dhe veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e angazhimit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në një periudhë kur çështja e Kosovës kërkonte mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ky bashkëpunim u shndërrua në një urë lidhëse mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe vendimmarrësve politikë amerikanë të niveleve më të larta të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara.
Harry Bajraktari, si një nga zërat më aktivë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe botues i gazetës “Illyria”, luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mobilizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan. Përmes aktiviteteve të shumta, lobimit dhe informimit të vazhdueshëm, me shumë aktivistë të tjerë, ai ndihmoi që çështja shqiptare e sidomos çështja e Kosovës, të fitonte vëmendjen e duhur në qarqet politike amerikane. Në këtë kontekst, Eliot Engeli u bë një aleat i palëkundur. Ai dëgjonte dhe i merrte seriozisht shqetësimet e komunitetit, duke i reflektuar ato në qëndrimet dhe iniciativat e tij prej ligjvënësi në Kongres. Bashkëpunimi i tij me Bajraktarin dhe figura të tjera të diasporës ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e mbështetjes amerikane për ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit terrorist sllavo-komunist të Sllobodan Millosheviqit.
Ky partneritet nuk ishte vetëm politik, por edhe strategjik. Bajraktari dhe komuniteti që ai përfaqësonte ndihmonin në artikulimin e qartë të kërkesave dhe prioriteteve të shqiptarëve, ndërsa kongresisti Engel i shndërronte ato në veprim konkret në arenën politike amerikane dhe më gjerë. Përmes takimeve, aktiviteteve dhe komunikimit të vazhdueshëm, të dy kontribuuan në krijimin e një fryme bashkëpunimi që ndikoi në mënyrë të qëndrueshme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si asnjëherë më parë në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Ata dëshmuan se kur diaspora është e organizuar dhe e lidhur me përfaqësues të fuqishëm politikë, ajo mund të luajë një rol vendimtar në çështjet ndërkombëtare.
Sot, bashkëpunimi i ngushtë gjatë dekadave të kaluara mes Eliot Engelit dhe Harry Bajraktarit mbetet një shembull i qartë i fuqisë së unitetit dhe i ndikimit që mund të ketë një komunitet i angazhuar në mbrojtjen e interesave kombëtare. Shpresojmë që trashëgimia e tyre të vazhdojë të frymëzojë breza të rinj në diasporë për të ndjekur të njëjtin rrugëtim të përkushtimit dhe veprimit.
Ky bashkëpunim është një dëshmi e qartë se kur përfaqësues të politikës amerikane dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen për një ideal të drejtë, ndikimi i tyre mund të jetë i jashtëzakonshëm. Trashëgimia e Engelit dhe kontributi i Harry Bajraktarit mbeten një frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm edhe në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Të fundit

më të lexuarat