Dëshmi e vlerave etnokulturore të çdo mjedisi

Toponimet, përkatësisht emërvendet, nuk janë krijuar rastësisht, sepse ato kanë kaluar një rrugë të gjatë dhe të ndërlikuar të zhvillimit të tyre historik. Çdo toponim mban në vete informata të llojllojshme, ku dominojnë ato gjeografike, historike, gjuhësore etj.

Nail Draga

Toponimet, përkatësisht emërvendet apo emërtimet gjeografike, paraqesin çështje me interes për hulumtime shumëdimensionale. Kontribut në këtë aspekt mund të japin studiues të profileve të ndryshme, ku veçohen gjuhëtarët, gjeografët, historianët e etnografët. Secili nga qasja e vet mund të ofrojë të dhëna me interes që janë në favor të paraqitjes dhe anën semantike të tyre në mjedisin përkatës.
Ato po ashtu janë dëshmitare të zhvillimeve shoqërore, nga kohët më të hershme deri në ditët tona. Në këtë aspekt, roli i hartave gjeografike është burim i pazëvëndësueshëm për të përcjellë paraqitjen dhe shënimin e tyre në rrjedha të kohës.

Toponimet – monumente etnokulturore
Regjistri më besnik i toponimeve është harta, e cila paraqet një impresion pamor të përmbajtjes së hapësirave gjeografike në një vend e kohë të caktuar. Toponimet, përkatësisht emërvendet, nuk janë krijuar rastësisht, sepse ato kanë kaluar një rrugë të gjatë dhe të ndërlikuar të zhvillimit të tyre historik. Çdo toponim mban në vete informata të llojllojshme, ku dominojnë ato gjeografike, historike, gjuhësore etj.
Çdo toponim ka një përbërje konkrete, sepse toponime të pakuptimta nuk ka, ndërsa është çështje tjetër se sa është arritur të zbërthehen nga aspekti etimologjik. Procesi i emërtimit është krijimtari popullore, e cila ka vlera kombëtare dhe veçoritë gjuhësore të saj. Në saje të vlerave të tyre që kanë, me të drejtë toponimet janë cilësuar si monumente të kujtesës njerëzore. Madje shpjegimi i drejtë i toponimeve ka vlerë të barabartë me një deshifrim të një epigrafi të lashtë, me rëndësi për zhvillimin e kulturës së një populli në mjedisin përkatës. Toponimet qëndrojnë në relacion me migrimin e popujve, pushtimet, kolonizimet, si dëshmi e ruajtjes së gjuhës së popujve në ato mjedise.

Ndikimi i gjuhëve të huaja në toponimi
Në këtë aspekt, hapësira etnogjeografike shqiptare paraqet mundësi të mëdha hulumtimi, sepse nga koha antike e më pas, në saje të pushtimeve të popujve të ndryshëm, në toponimi është i pranishëm ndikimi i gjuhës latine, greke, sllave e turke, si dëshmi e kohëve të pushtimeve. Raste të tilla ka kudo, por me këtë rast po ceki qytetin e Shkodrës, përkatësisht hapësirën rreth Kalasë së Rozafës. Kështu këtu kemi emërtimin – mikrotoponimin Kodra në shqip, ndërsa në jug i njëjti në sllavisht është Bërdica, ndërsa më pas nga veriu është Tepe në turqisht, ndërsa pranë kështjellës së Rozafës në lindje është lagjja Ajasëm, që është në gjuhën greke dhe ka kuptimin uji i mirë.
Në saje të profesionit si gjeograf, kam pasur mundësi të konsultoj një numër të konsiderueshëm të hartave të ndryshme: emri i lumit Buna nga koha antike me emrin Barbana e më pas në Buna e me forma të tjera (Bojanim, Buianum, flumen Scutari, flumen Boyane, Boiana Scutari, La Boggiana etj.), të cilat i kam mbledhur dhe arrijnë në 21 variante, që është një rekord i llojit të vet duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një lumë të shkurtër për nga gjatësia (44 km), por me kontakte të shumta tregtare në rrjedhën e shekujve, që kanë lënë gjurmë në emërtimin e lumit.
Një rast i tillë dëshmon në mënyrë të dukshme ndikimin e pushtimeve, përkatësisht të kontakteve me gjuhët e popujve të tjerë që kanë lënë gjurmë në fushën e toponimisë, të cilat si të tilla vijnë deri në ditët tona.

Ndryshimi i toponimeve
Nga formimi i tyre e deri në ditët tona toponimet kanë pësuar ndryshime në formën e prezantimit, përkatësisht të shënimit të tyre. Në këtë dukuri rolin parësor e kanë pasur rrethanat shoqërore në atë mjedis, nga kohët më të hershme e deri në ditët tona, andaj në këtë aspekt ato studiohen në diakroni. Në saje të të dhënave të ndryshme ka ndodhur që disa toponime të humbin formën e tyre burimore, duke pësuar ndryshime rrënjësore.
Po ashtu, në saje të pushtimeve dhe luftërave në të kaluarën toponimet kanë pësuar ndryshime apo përdhunime, përkatësisht u janë përshtatur formës së gjuhës dhe administratës së pushtuesit. Ekzistenca e tillë e toponimeve e sidomos e mikrotoponimeve nuk do të thotë se ato ishin aty të pranishme përherë, por në një kohë të caktuar, kur ata kishin pushtetin, ku në saje të administratës së tyre bënin riemërtimin sipas gjuhës së tyre. Rast tipik është pushtimi i territoreve shqiptare në mesjetë nga bullgarët (shek. X-XI), që ndikuan në sllavizimin e emërtimeve shqiptare, të cilat janë të pranishme edhe në ditët tona.

Hartografia dhe toponimet
Toponimet e një vendi janë me interes për shumë degë të shkencës, si për gjuhësinë, gjeografinë, historinë, etnografinë etj. Nga disiplinat gjeografike me toponimet lidhje të ngushtë ka hartografia. Kjo është e logjikshme, sepse harta është një regjistër i toponimeve, përktësisht i situatës dhe i ngjarjeve komplekse në një vend e kohë të caktuar.
Toponimia hartografike ka një përmbajtje të gjerë, pasuria e së cilës mund të shfrytëzohet si burim për ndriçimin e shumë dukurive natyrore dhe shoqërore me të cilat ballafaqohet një vend gjatë shekujve. Për nga sasia e tyre më të numërt janë mikrotoponimet, ku emrat e këtij grupi janë me qindra e mijëra njësi, të cilat krijohen, ndryshohen e zhduken në varësi të rrethanave historiko-shoqërore gjatë gjithë kohëve, nga vetë populli i atyre anëve. Për këtë arsye emrat e këtij grupi cilësohen si ”emërtime të gjeografisë popullore“.

Mbledhja e toponimeve – thesar kombëtar
Mbledhja dhe studimi i toponimeve, sidomos i mikrotoponimeve, është në favor të njohurive të ndryshme duke hedhur dritë në ngjarjet dhe dukuritë e ndryshme të së kaluarës, për të cilat burimet shkrimore ose heshtin ose mungojnë fare.
Përfundimisht, është detyrë e brezave të sotëm që këtë thesar të kulturës dhe krijimtarisë mijëravjeçare të popullit tonë, me rëndësi shumëdimensionale si për gjuhësinë, gjeografinë, historinë, etnografinë etj., ta gjurmojnë dhe ta vënë në shërbim të shkencës shqiptare.

Shënimi i toponimeve
Shënimi, përkatësisht drejtshkrimi i emërtimeve gjeografike në harta apo në publikime të ndryshme paraqet çështje të rëndësishme nga aspekti gjeografik, gjuhësor, kulturor e shoqëror. Në këtë aspekt jemi dëshmitarë se gjatë shënimit të emërtimeve gjeografike ekzistojnë mjaft parregullsi, të cilat janë trashëguar më parë e për çudi vazhdojnë edhe në ditët tona, duke mos i respektuar normat e verifikuara që janë pranuar nga shtetet dhe institucionet e tyre përkatëse.
Në saje të analizës së shënimit të toponimeve në harta të ndryshme përdoruesi, përkatësisht shfrytëzuesi i tyre vëren gabime të ndryshme. Një çështje e tillë mund të analizohet në veçanti te hartat topografike, të cilat ofrojnë sasi të konsiderueshme të toponimeve, sidomos ato me shkallë të vogël.
Në përgjithësi toponimet shënohen:
a) Në trajtën burimore ose ortografike, që ka të bëjë me shënimin e shkrimit dhe drejtshkrimit origjinal të emërtimit në gjuhët e vendit.
b) Mënyra e transkriptimit bëhet kur shënimi i emërtimit nga një gjuhë në tjetrën përcillet nëpërmes shenjave të një shkrimi në tjetrin (IOS-1967).
c) Në mënyrën përkthyese emërtimet gjeografike shënohen në gjuhën e komunikimit; dhe
ç) Në mënyrën tradicionale ose eksonomia përdor trajtën e ngulitur në vetëdijen e popullit shekuj me radhë. (Dr. Muharrem Cërabregu, Standardizimi i emërtimeve gjeografike, Kërkime gjeografike, nr. 5, Prishtinë, 1984, f. 98).

Toponimet të shënohen sipas popullatës vendase
Pasi harta është dokumenti më burimor sa i përket shënimit të emërtimeve gjeografike, shënimi i tyre në harta, jo mundësisht por duhet të jetë në mënyrë sa më të saktë. Një veprim i tillë duhet të jetë obligim moral dhe profesional i përpiluesit dhe i botuesit të hartës, sepse misioni i saj është për informim të drejtë për përdoruesit e saj, sepse në të kundërtën nuk e kryen misionin përkatës.
Në lidhje me çështjen e toponimeve, edhe OKB-ja ka formuar komisione të ndryshme, në nivele kombëtare e ndërkombëtare. Kështu në Gjenevë në vitin 1967 është mbajtur një konferencë e cila ka trajtuar çështjen e standardizimit të toponimeve, ku janë aprovuar 20 rezoluta.
Kështu, në Rezolutën nr. 4, pika nr. 1, nën a shkruan: “për çdo emërtim është e nevojshme forma e folur dhe forma e shkruar e emërtimit si dhe kuptimi i tij në gjuhën e popullatës vendase“.
Është çështje tjetër se sa janë realizuar në praktikë këto obligime nga nënshkruesit e kësaj rezolute, sepse jemi dëshmitarë se deformimet e toponimeve janë të pranishme edhe në ditët tona, që për botën e qytetëruar janë dukuri të tejkaluara.

Politizimi i toponimeve
Në mjediset multinacionale, çështja e shënimit të toponimeve nuk paraqet çështje formale të administratës së vendit përkatës, por më shumë ka të bëjë me barazinë e gjuhëve të cilat janë në përdorim në ato vende. Pikërisht në këtë aspekt, rast tipik për hulumtim paraqet ish-Jugosllavia, si bashkësi e shumë popujve. Në këtë shtet shqiptarët, ndonëse për nga numri ishin të tretët, ishin të pabarabartë me të tjerët, sepse ndaj tyre vazhdimisht ekzistonte sindromi antishqiptar. Te shqiptarët, si popullsi autoktone dhe josllave, gjuha shqipe ishte elementi kryesor i identitetit kombëtar si parakusht i barazisë kombëtare.

Fushata antishqiptare në toponimi
Por, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, në ish-Jugosllavi filloi fushata antishqiptare gjoja për të luftuar nacionalizmin shqiptar. Qëllimi i pushtetit ishte të eliminojnë edhe ato të arritura të pakta të shqiptarëve, sepse sipas tyre shqiptarët paraqitnin rrezik për shtetin. Në këtë aspekt, të dirigjuar nga politika serbe nën maskën e asaj shtetërore (jugosllave) pushteti filloi të eksperimentojë në Maqedoni duke sulmuar toponimet në gjuhën shqipe, duke eliminuar formën shqipe të tyre.
Një diskriminim i tillë ndaj gjuhës shqipe, duke mos lejuar shkrimin e toponimeve në formën shqipe, ishte zyrtarizimi i diskriminimit kundër shqiptarëve, që pati pasoja ndaj shqiptarëve deri në rënien e sistemit monist (1990). Një eksperiment i tillë u aplikua edhe te shqiptarët në Malin e Zi (Ulqin), që ishte nën ndikimin e politikës serbomadhe.
Për çështje të tilla, të diskutohet sot duket absurd por në atë kohë shqiptarët janë ballafaquar për të mbijetuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar, që ishte i kërcënuar nga politika hegjemoniste serbe, e cila në Maqedoni kishte vazalët e vet besnikë, sepse albanofobia ishte mision i tyre shtetëror. (Shih: Gjuha shqipe, nr. 3/1983; si dhe Gjuha shqipe, nr.1/1987).

Ideologjia dhe toponimet
Se toponimet janë nën ndikimin e politikës së pushtetit përkatës, si dëshmi autentike janë vendet nga ish-kampi socialist, ku kulti i individit kishte përmasa të veçanta. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ata kursin ideologjik e kanë vlerësuar si çështje parësore të udhëheqjes së pushtetit. Dhe nga një qasje e tillë kemi emërtimet nga Lenini në Leningrad, Stalini – Stalingrad, Titoja – Titograd (tetë qytete në ish-Jugosllavi).
Në këtë aspekt, për çudi, pas vdekjes së Enver Hoxhës, në prill 1985, ndonëse emri i tij u vendos në shumë institucione në nivele të ndryshme, por nuk iu vendos ndonjë qyteti, edhe pse ka ekzistuar propozimi që t’i vendoset Tiranës, por ai propozim për çudi nuk ka kaluar në Byronë Politike të KQ të PPSH-së (?!).
Se ideologjitë janë të përkohshme dhe të imponuara u dëshmua pas rënies së sistemit socialist dhe të komunizmit si ideologji (1990), ku me rënien e tij u hoqën emërtimet ideologjike, duke i eliminuar toponimet e imponuara ideologjike dhe duke i kthyer emrat e mëhershëm tradicionalë.

Përfundim
Nga të dhënat e prezantuara del qartë se toponimet mbesin çështje inspiruese për studiues të fushave të ndryshme. Varësisht prej rrethanave shoqërore, toponimet janë dëshmi autentike e një periudhe kohore të caktuar. Si të tilla, ato janë monumente etnokulturore të çdo mjedisi, duke qenë vlera kombëtare të mjedisit përkatës.
Duke qenë dëshmitarë të rrethanave shoqërore, ato janë dëshmi e ndikimeve të kulturave të popujve të ndryshëm, të cilët janë paraqitur si kolonistë apo pushtues. Në kohën më të re, toponimet nuk u kanë shpëtuar as ndikimve ideologjike, ku koha e rendit shoqëror të socializmit është e veçantë, sepse në këtë drejtim kulti i individit u bë pjesë e emërtimeve të qyteteve të ndryshme. Por, pas dështimit të socializmit, nga viti 1990 emërtimet e tilla u hoqën me referendume apo dekrete, duke rikthyer emrat tradicionalë.
Mbetet detyrë e studiuesve të fushave të ndryshme që të japin kontributin e tyre në mbledhjen e publikimin e toponimeve si thesar me vlera kombëtare. Ndërsa çështje të veçantë paraqet shënimi i toponimeve në mjediset shumëgjuhësore, përkatësisht shumëkombëshe, dhe publikimi i tyre, përmes tabelave apo mbishkrimeve të ndryshme. Pikërisht në këtë aspekt duhet të miratohet standardizimi i toponimeve në hapësirën e çdo mjedisi, sepse eliminon keqkuptimet deri në politizimin e tyre.
Në këtë aspekt shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë pasur përvojë të hidhur (1981-1990), ku një diskriminim i tillë ka qenë i pranishëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke dhunuar të drejtën legjitime për formën e folur dhe të shkruar të toponimeve në gjuhën shqipe. Por, pas vitit 1990, në rrethana të reja shoqërore, këto çështje i takojnë së kaluarës, ndërsa mbetet të punohet në standardizimin e toponimeve sipas standardeve ndërkombëtare, proces që është në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis, si kudo në botën demokratike.

Të fundit

më të lexuarat