Një hap i rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të fermerëve

Me këtë agrobuxhet, Komuna e Ulqinit synon të modernizojë sektorin bujqësor, të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimeve vendore dhe të krijojë kushte më të favorshme për jetesë në zonat rurale. Autoritetet lokale vlerësojnë se këto masa do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e migrimit nga fshatrat dhe në krijimin e një baze më të fortë për zhvillim ekonomik afatgjatë

Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit ka prezantuar agrobuxhetin për vitin 2026, duke paraparë një fond prej 320 mijë eurosh për mbështetjen dhe avancimin e prodhimit bujqësor lokal. Ky buxhet konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të sektorit rural dhe përmirësimit të kushteve për fermerët.
Në hapje të prezantimit, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu theksoi se qëllimi kryesor i këtij buxheti është që të realizohet në mënyrë të plotë dhe efektive në dobi të qytetarëve.
“Qëllimi ynë është realizimi maksimal i buxhetit. Bujqësia është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit tonë ekonomik dhe ne mbetemi të përkushtuar që çdo euro e ndarë të shkojë aty ku është më e nevojshme”, deklaroi Nimanbegu.
Ai shtoi se rritja e këtij buxheti nuk duhet parë vetëm si një rritje numerike, por si një tregues i stabilitetit financiar dhe seriozitetit të Komunës në mbështetjen e sektorëve strategjikë.
“Jemi të gatshëm që, nëse paraqitet nevoja, të bëjmë edhe ribalancim të buxhetit për të siguruar masa shtesë për fermerët dhe prodhuesit tanë”, theksoi ai.
Sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi, Arta Muçaj, prezantoi në detaje programin e masave për vitin 2026, duke nënvizuar se agrobuxheti është rritur për rreth 30 për qind krahasuar me vitet e kaluara.
“Kjo rritje na jep mundësi që të zgjerojmë mbështetjen dhe të përfshijmë një numër më të madh përfituesish, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë”, u shpreh Muçaj.
Sipas saj, masat janë konceptuar për t’i mbështetur të gjitha segmentet kryesore të prodhimit bujqësor.
“Do të ofrojmë subvencione për prodhimin primar, për blerjen e pajisjeve bujqësore dhe për modernizimin e fermave. Një rëndësi e veçantë i kushtohet sektorëve që kanë potencial zhvillimi në Ulqin, si dhe nxitjes së iniciativave të reja në bujqësi”, tha ajo.
Muçaj theksoi gjithashtu se një nga prioritetet kryesore është fuqizimi i të rinjve dhe grave në bujqësi.
“Përmes këtyre masave synojmë t’i inkurajojmë të rinjtë që të qëndrojnë dhe të investojnë në vendin e tyre, si dhe t’i mbështesim gratë që të jenë më aktive në zhvillimin ekonomik rural”, deklaroi ajo, duke shtuar se përkrahja e prodhimit vendor mbetet kyçe për një ekonomi të qëndrueshme.
Me këtë agrobuxhet, Komuna e Ulqinit synon të modernizojë sektorin bujqësor, të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimeve vendore dhe të krijojë kushte më të favorshme për jetesë në zonat rurale. Autoritetet lokale vlerësojnë se këto masa do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e migrimit nga fshatrat dhe në krijimin e një baze më të fortë për zhvillim ekonomik afatgjatë.
“Mbështetja e bujqësisë nuk është vetëm investim në ekonomi, por edhe në ruajtjen e traditës dhe identitetit tonë lokal”, përfundoi Muçaj.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat