Protestë paqësore në Çakorr

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh të komunave në Luginën e Epërme të Limit, Beran, Andrijevicë, Plavë e Guci, së bashku me ata të rajonit të komunës së Pejës, janë tubuar në një protestë paqësore të shtunën, më 25 prill 2026, në vendin e kalimit kufitar në zonën e Çakorrit – Kotllovë-Kuqishtë.
Protestuesit kanë kërkuar nga qeveritë e Malit të Zi dhe Kosovës që urgjentisht të hapin për komunikacion aksin rrugor Murinë-Pejë, me kalim nëpër Çakorr.
Ata kanë parashtruar pyetjen: Pse rruga nëpër Çakorr është e mbyllur prej madje 27 vitesh, që nga përfundimi i luftës (1999)?!
“Nëse aksi rrugor Rozhajë-Pejë me kalim nëpër pikën kufitare në Kullë nuk është mbyllur, madje as gjatë ngjarjeve të luftës, pse kjo rrugë edhe sot nuk është hapur? Nuk ka kurrfarë sqarimi të kuptueshëm e të arsyeshëm”, është thënë në protestë.
Qytetarët e pranishëm nga të dyja anët e kufirit janë shoqëruar, ndërsa nga ana e Malit të Zi policia e ka siguruar këtë protestë paqësore të paralajmëruar.
Pjesëmarrësit e protestës kanë përcjellë porosinë për institucionet përgjegjëse se hapja e kalimit kufitar në zonën e bjeshkës së Çakorrit duhet të jetë prioritet strategjik për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në këtë rajon.
“Për shkak të gjithë kësaj, kërkojmë hapa konkretë dhe vendim të qartë të institucioneve kompetente që kalimi kufitar në Çakorr të hapet dhe të vendoset në funksion të zhvillimit të gjithëmbarshëm të kësaj zone”, është thëne në protestë.
Njëri nga iniciatorët e protestës, Muhamet Nikqi, deklaroi se protestat dhe peticionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave, duke shtuar se qëllimi dhe esenca e kësaj proteste është që të hapet kufiri në Çakorr dhe të funksionalizohet rruga.
“Rëndësia e kësaj proteste është sot që të hapet një rrugë, një pikë kufitare dhe të bëhet rrugë e kalueshme, e cila është ndërtuar para një shekulli, në vitin 1925, dhe e mbyllur që 27 vjet, në vitin 1999, të bëhet e qarkullueshme. Është krijuar një tampon në këto piramida që janë këtu afër, sikur një mur i Berlinit”, tha ai.
Ndërkaq, imami nga Gucia, Allen Shaboviq, me prejardhje nga familja e trimit legjendar shqiptar Jakup Ferri, deklaroi se do të vazhdojnë me protesta gjithnjë deri në hapjen e pikës kufitare.
“Unë kam dëshirë t’i realizojmë protestat derisa t’i heqim këto piramida këtu dhe kurrë më të mos ekzistojnë”, ka thënë ai.
Marrëveshja midis qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Republikës së Kosovës mbi hapjen e pikës së kalimit të përbashkët kufitar Kotllovë-Kuqishtë për komunikacion rrugor ndërkombëtar, është nënshkruar qysh në vitin 2014, por zbatimi i saj në vepër zvarritet për shkaqe të panjohura.
Në këtë kontekst, protestuesit kërkuan nga institucionet relevante të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si prioritet strategjik dhe t’i zbatojnë marrëveshjet ekzistuese për hapjen e pikës kufitare, duke theksuar se funksionalizimi i saj do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale e rajonale.
Në përfundim të tubimit, organizatorët ritheksuan se angazhimi i qytetarëve do të vazhdojë deri në hapjen e plotë të kësaj rruge dhe vendosjen e një pike kufitare funksionale në Çakorr.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat