U zgjodh nënkryetarja eKomunës dhe u miratuannjë varg vendimesh

Plavë – Kuvendi i Komunës së Plavës, në seancën e parë të rregullt për vitin 2026, të mbajtur të hënën më 6 prill 2026, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq, ku morën pjesë 27 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh, raportesh, informatash dhe programesh që kryesisht kanë të bëjnë me punën e organeve të qeverisjes lokale, institucioneve dhe organizatave publike të kësaj komune për vitin 2025.
Para fillimit të punës së seancës, këshilltarët miratuan njëzëri procesverbalin nga seanca e pestë e rregullt, e mbajtur më 29 dhjetor 2025, pas disa vërejtjeve për përmbajtjen e tij të këshilltarit të Partisë Boshnjake, Ervin Kandiq.
Rendi i ditës me 23 pika, i propozuar nga kryetari i Kuvendit Allen Balliq, pësoi ndryshime dhe plotësime. Me propozim të kryetarit të Komunës, Nihad Canoviq, u shtuan dy pika të reja: Propozimi i vendimit mbi dhënien e pëlqimit për zgjedhjen e nënkryetares së Komunës dhe ai mbi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit mbi ndërtimin e Sahat Kullës në Plavë, kurse me kërkesë të përpunuesit, nga rendi i ditës u hoq pika 13 – Propozimi i vendimit mbi kompensimin për sanimin e çështjeve urbane.
Rendi i ditës së seancës së Kuvendit, i plotësuar dhe i ndryshuar, u miratua me 23 vota “për” dhe 2 “të përmbajtur”.
Seanca filloi me shqyrtimin e Raportit të punës së kryetarit të Komunës së Plavës, organeve të administratës lokale dhe shërbimeve për vitin 2025, i cili zgjoi interesim të madh ndër këshilltarë, sidomos tek ata të partive në opozitë.
Duke elaboruar Raportin e punës, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq theksoi se gjatë vitit paraprak janë shënuar rezultate të lakmueshme në të gjitha sferat dhe se janë realizuar një varg projektesh infrastrukturore etj.
Pas diskutimeve të dy këshilltarëve të PB-së, Ervin Kandiq e Rasim Osmançeviq, dhe këshilltarit te Partisë Socialdemokrate, Denis Nekoviq, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre kritike, raporti i punës u miratua me 23 vota “për” dhe dy “të përmbajtur”.
Me kërkesën dhe sugjerimin e Ministrisë së Administratës Publike, bazuar në parimet ligjore të punës së administratës lokale, kryetari i Komunës Nihad Canoviq propozoi që nënkryetare e Komunës së Plavës të zgjidhet specialistja e farmacisë, Dr. Bellma Sharkinoviq, e paangazhuar politikisht, e cila funksionin do ta kryejë pa pagesë.
Pas diskutimeve të shtatë këshilltarëve të subjekteve të ndryshme politike, Dr. Bellma Sharkinoviq u zgjodh nënkryetare me 17 vota “për” dhe tri “kundër”, duke u bërë femra e parë nënkryetare e Komunës së Plavës.
Në vazhdim të seancës, e cila zgjati më se pesë orë, këshilltarët me dhe pa diskutim në shqyrtim, me shumicë votash apo njëzëri, miratuan disa propozim vendime të tjera.
Ata po ashtu zgjodhën këshillin e emetuesit lokal “Radio Plav” (Radio Plava), i cili përbëhet prej pesë anëtarëve: Mirsad Markishiq, Ajlla Shahmanoviq, Igor Vukaniq, Orhan Bashiq dhe Miranda Kandiq (pa asnjë anëtar shqiptar).
Në punën e mëtejme këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan raportet e punës së institucioneve dhe organizatave të Komunës për vitin 2025, me raportet financiare të tyre, kurse në fund të seancës u njoftuan me Informatën mbi gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Plavës në vitin 2025. Ndërkaq, Raporti i punës së Shtëpisë së Shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” dhe informata mbi rrjetin distributiv nuk u prezantuan për shkak të mungesës së referuesve.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat