
Gjatë javëve të fundit, në hijen e përplasjes në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hezbollahut, u veçuan dy ngjarje: konflikti politiko-fetar mes Papa Leonit XIV dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe përdhosja e një statuje të Jezu Krishtit në jug të Libanit, që i atribuohet ushtarit izraelit. Do të ndalem te ngjarja e dytë, e cila shkaktoi reagime të forta në media dhe rrjete sociale.
Simbolet fetare, pavarësisht se cilës fe i përkasin, shpesh bëhen objekt sulmi, pikërisht sepse besohet gabimisht se përmes simbolit mund të goditet vetë thelbi i besimit.
Shembulli më i parë i talljes me fenë e krishterë është dokumentuar pothuajse para 2000 vjetësh. Bëhet fjalë për një grafit në një mur të Romës së lashtë, i njohur si “Alexamenos graffito“ (Muzeu i Palatinit). Në shekullin e dytë, dikush e kishte vizatuar Krishtin si një gomar në kryq. Kjo nuk ishte shaka, por një mesazh: “Kjo është një fe për t’u përqeshur”.
Sot, në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm mjetet janë të tjera: në vend të mureve për vizatimin e grafiteve – janë kamerat. Në vend të rrugës, lajmet përhapen përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Por, shtysa mbetet e njëjtë: të goditet simboli dhe të besohet se kështu do të rrëzohet edhe ajo ide të cilën simboli e përfaqëson.
Por, historia përsërit vazhdimishr të njëjtin mësim.
Krishterimi nuk u bë i fuqishëm sepse ishte i mbrojtur nga institucionet, por pikërisht sepse nuk ishte. Në shekujt e parë u përhap me fuqinë e një ideje që ishte radikale dhe e paimagjinueshme për atë kohë – ideja e empatisë, pendimit dhe faljes së gabimeve edhe mëkatarëve më të rëndë. Kështu ishte deri në shekullin IV kur perandori Konstantin e nënshkroi Ediktin e Milanos me të cilin ndalohej persekutimi i të krishterëve.
Prandaj ky nuk është rrëfim për një fe të vetme. Është një rrëfim për iluzionin e përhershëm se një ide mund të shkatërrohet duke sulmuar simbolin që e përfaqëson atë. Simboli mund të përdhoset, por ideja jo.
