Skena e Qendrës për Kulturë në Ulqin u shndërrua mbrëmjen e së shtunës (25 prill 2026) në një arenë festive të elegancës dhe bashkëpunimit vëllazëror.
Nën organizimin e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi (CEKUM), në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës dhe Shkollën për Arsimin Fillor të Muzikës dhe Baletit – Ulqin, u mbajt mbrëmja artistike kulturore “Valët e Ulqinit, jehona e Pejës – një shpirt i përbashkët”, e cila bashkoi protagonistët e Shkollës Profesionale të Baletit “Tasim Dajçi” nga Peja dhe nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit të Ulqinit.
Mbrëmja, e cila nisi me tingujt koralë të nxënësve vendas, shërbeu si një platformë për të kremtuar talentin e ri dhe urat lidhëse që arti ndërton mes dy qyteteve.
Hapja solemne u shoqërua me gjeste simbolike mirënjohjeje, ku përfaqësuesja e CEKUM-it, Izedina Axhoviq – Shkijel, ndau dhurata për drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport të Pejës, Xhenet Syka – Kelmendi, dhe drejtoreshën e shkollës nikoqire në Ulqin, Fatime Katana – Buzyku.
Në fjalën e saj, drejtoresha Syka – Kelmendi e vuri theksin tek uniteti dhe reflektimi mbi rrënjët e përbashkëta.
Ajo nënvizoi se ky bashkëpunim bashkon emocionet e dy qyteteve, duke e cilësuar popullin e Ulqinit si pasurinë më të madhe.
Sipas saj, performancat e artistëve nga Peja dëshmojnë dashurinë dhe lidhjet e forta që ekzistojnë mes këtyre dy qendrave kulturore.
Një moment i veçantë gjatë mbrëmjes ishte edhe ndarja e mirënjohjes për koreografin e njohur, Tasim Dajçi, i cili ishte i pranishëm në sallë për të ndjekur performancat e nxënësve të tij.
Drejtori i CEKUM-it, Gzim Hajdinaga, ia dorëzoi këtë vlerësim në shenjë respekti për punën e tij shumëvjeçare në fushën e vlerave koreografike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm vëllazëror mes institucioneve.
Hajdinaga theksoi se lidhja mes Ulqinit dhe Pejës është organike, duke u shtrirë nga turizmi e deri te shkëmbimet familjare e kulturore.
Programi artistik vijoi me një maratonë koreografish që sfiduan skenën. Për t’u dhënë kohë valltarëve për ndërrimin e kostumeve, programi u gërshetua mjeshtërisht mes dy shkollave. Publiku shijoi “Vallen e Tiranës”, “Vallen kosovare”, “Vallen e zyleve” dhe atë të “Librazhdit” nga grupi i Pejës. Këto pika u pasuan nga lëvizjet elegante të baletit klasik prej nxënëseve të Ulqinit, të cilat e përmbyllën mbrëmjen me një koreografi madhështore.
Kjo mbrëmje ishte vetëm fillimi i një jave të ngjeshur me aktivitete kulturore në organizim të CEKUM-it. Pas suksesit të mbrëmjes artistike të fëmijëve në Ulqin, energjia e “Sofrës Pejane” udhëtoi drejt Rozhajës më 28 prill 2026, për t’u kthyer në qytetin bregdetar më 29 prill 2026, në ambientet e Pazarit të Suvenirëve. Këto aktivitete kulturore lanë gjurmë të bukura në kujtesën e publikut dhe dëshmuan se arti mbetet mjeti më i fuqishëm i afrimit rajonal.
Eliana Peku
