
Në gjysmën e dytë të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, pakkush ka besuar se shpërbërja e Jugosllavisë është e mundur, kurse edhe më pak se ajo do të ndodhë me luftë. Një bindje e tillë e qytetarëve ka qenë e formuar në bazë të asaj se në ish-Jugosllavi ishin të zhvilluara marrëdhëniet e shumta ndërnjerëzore të jetës dhe të punës, lidhjet farefisnore, afariste, profesionale, pronësore, politike dhe kulturore.
Është e pamohueshme se në këtë hapësirë ishin të pranishme format e ndryshme të bashkëpunimit midis kombeve, konfesioneve, kulturave dhe rajoneve. Mirëpo, megjithatë erdhi deri te shthurja e ish-Jugosllavisë. Më se gjysma e popullsisë së saj, d.m.th. më se 12 milionë njerëz formuan shtetet e reja, duke përfshirë dhe Kosovën.
Ekzistojnë shifra të mëdha të të vrarëve, persekutuarve, refugjatëve, pikëlluarve, trishtuarve dhe të dëshpëruarve si pasojë e luftës së pamëshirshme me rastin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
Shumë faktorë dhe aktorë me kohë kanë punuar dhe vepruar pikërisht në favor të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe atë me luftë. Në lidhje me këtë veçanti duhet theksuar verbimin historik të ideologëve dhe të politikanëve serbë mbi projektin e tyre në krijimin e Serbisë së Madhe me mjete jodemokratike. Ndërkaq, ambienti politik në Evropën e Mesme dhe Lindore, rënia e udhëheqësve të tyre komunistë, si dhe rrënimi i Murit të Berlinit kanë qenë në favor të ndryshimeve në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Mirëpo, nuk është tragjike që është harxhuar një sistem ideologjik dhe politik, nuk është tragjike se është shpërbërë një shtet, por është tragjike se të dy këto procese janë realizuar me konflikte, me luftëra dhe shkatërrime.
Ndër shkaqet që kanë çuar në shpërthimin e Jugo-dramës, po cekim disa prej tyre:
- Shmangia, minimizimi, mosnjohja dhe mospranimi i krimeve të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë një kërcënim real i ndarjes paqësore të ish-republikave të Jugosllavisë dhe Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Si zjarri që digjet pa flakë dhe ngadalë, ashtu ka qenë për një kohë të gjatë i pranishëm motivi hakmarrës dhe “shpagimi i borxheve” nga e kaluara historike. Ai ishte një ndër shkaqet e instalimit të kësaj lufte. Këtu mund të thuhet se frika e gjenocidit masiv i ka ushqyer dhe nxitur jo vetëm antagonizmat e aktorëve publikë dhe politikë, por edhe ata të popullsisë së thjeshtë.
- Pas Luftës së Dytë Botërore çështja e Kosovës dhe statusi i saj është rregulluar në mënyrë jodemokratike, pa pëlqimin dhe dëshirën e popullit shqiptar në Kosovë. Njohjet empirike dhe teorike-shkencore tregojnë në mënyrë të qartë se zgjidhjet jodemokratike mbi çështjet thelbësore, sikurse është statusi i Kosovës, shikuar në afat të gjatë, nuk kanë gjasa të jenë të suksesshme. Fatkeqësisht, një njohje të tillë nuk e ka pasur në dijeni, apo nuk nuk ka dashur ta respektojë udhëheqja politike e ish-Jugosllavisë. Prandaj, statusi i pavolitshëm i Kosovës dhe demonstratat studentore më 1981 në Kosovë, ishin fillimi i shthurjes me gjak të ish-Jugosllavisë.
- Mosbesimi ndërnacional dhe mbyllja e ish-republikave në feudet e veta nacionale, të artikuluara në vitet para shpërbërjes së Jugosllavisë, domosdoshmërisht e ka gjeneruar variantin e ndarjes me luftë të ish-republikave dhe të Kosovës.
- Neveria dhe urrejtja ndaj të tjerëve, ndaj bashkësive të ndryshme nacionale/etnike, të cilat monoliti i mëparshëm politik-ideologjik me dekada të tëra i ka amortizuar dhe kontrolluar, ka krijuar parakushtet për qërimin e hesapeve me luftë.
- Prapambeturia, moszhvillimi, ndarja jo e drejtë e “mjeteve të veta” në republika të tjera (bashkësi), shpeshherë ka paraqitur një arsenal për akuzime reciproke.
- Popullsia e ateizuar, pa besim në Zotin, ka qenë një ndër shkaqet e krimeve dhe të rrënimeve.
- Egoizmi i personave dhe i grupeve, si dhe stimulimi i formuar për fitim, për plaçkitje dhe pasuri, ka kontribuuar në krijimin e një ambienti luftarak në të cilin merret, grabitet dhe plaçkitet pa u dënuar.
- Në ish-Jugosllavi ka munguar krijimi i institucioneve të reja të demokracisë dhe të tregut, të cilat janë të domosdoshme për vendet në tranzicion. Institucionet e vjetra nuk kanë mundur t’i përgjigjen rregullimit të ri shoqëror.
- Matrica populiste joracionale, e cila i ka mobilizuar masat në aksion, ka çuar drejt shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
- Në ish-Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, problemi i pajtimit ndërmjet fituesve dhe humbësve, çlirimtarëve dhe tradhtarëve, të mbijetuarve dhe viktimave, gjatë gjithë kohës ka mbetur i shtangur.
- Pohimi mbi lidhjen e Jugo-dramës me përçarjen dhe konfliktin serbo-kroat, që i ka “ringjallur” atavizmat dhe antagonizmat e vjetër, nuk është i gabuar.
- Paaftësia e elitave politike, jokompetente dhe inferiore, që nuk kanë qenë të afta që me punët shtetërore të udhëheqin me dituri, urti dhe përgjegjësi në drejtim të ndërrimit të domosdoshëm të sistemit politik, ka gjeneruar shpërthimin e luftës.
- Një përgjegjësi të madhe për skenarin e luftës në këto hapësira ka patur edhe bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka qenë në pyetje vetëm pagjeturia dhe mosnjohja e marrëdhënieve subtile të ish-Jugosllavisë, por edhe histeria antikomuniste të cilën e kanë prodhuar duke i nxitur kohortat nacionale/nacionaliste si ekzekutues të punëve në shthurjen e shtetit socialist.
Argumentimi i lartpërmendur tregon se në shpërbërjen me luftë të ish-Jugosllavisë ka dominuar instrumentalizimi politik i marrëdhënieve nacionale/nacionaliste dhe pranimi që nga e kaluara historike dhe traditat të ringjallen dhe të kthehen, kryesisht, format anakrone. Në lidhje me këtë Latinka Peroviq pohon se kah fundi i viteve ‘80 proceset e modernizimit janë ndërruar me tradicionalizëm, mitologji dhe me riinkarnimin e së “kaluarës historike të lavdishme”.
Në një analizë kohore, fillimi i proceseve që më vonë do të shndërrohen në konflikte luftarake, shikuar nga një prizëm manifestues, mund të paraqitet si vijon:
“Shorti është hedhur” në demonstratat e Kosovës më 1981. Kryesia e atëhershme politike ka qenë e burokratizuar dhe e paaftë, e preokupuar sesi të mbahet në pushtet, nuk ka arritur që t‘i sanojë në mënyrë adekuate antagonizmat e ndryshme, apo të shërojë dhe të përmirësojë gjendjen e çrregulluar ekonomike, sociale, politike dhe nacionale. Në atë kohë publikisht shpërtheu dhe gufoi nacionalizmi serb.
Domethënë, nacionalizmi serb e filloi ofensivën. Gjatë pesë viteve, mbi Kosovën, shenjtëritë, manastiret, brezat apo fisin mbretëror, mbi viktimat e serbëve etj. u botua në mënyrë të pakrahasueshme më tepër se deri atëherë. Mjetet e informimit masiv i kanë paraqitur shqiptarët si armiq dhe me tiparet më të këqija, kërcënuese dhe të rrezikshme për të tjerët, në rend të parë për serbët. Një ngjarje vendimtare në përcaktimin politik të udhëheqjes shtetërore të Serbisë ka qenë Memorandumi i “pakryer“ i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986).
Vërshimi populist i luftës për unitetin e Serbisë, në verën e vitit 1988, me manipulimin politik të popullsisë serbe të Kosovës, gjithsesi ka çuar deri te gufimi dhe përshkallëzimi i konfliktit, jo vetëm në kryesinë e Federatës së ish-Jugosllavisë, por edhe midis udhëheqësive politike të ish-republikave.
Kongresi XIV i LKJ-së, i cili nuk përfundoi dhe të cilin të parët e lëshuan përfaqësuesit e LK të Sllovenisë, për shkak të presioneve të delegacioneve serbo-malazeze, si dhe acarimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ushtrimi i territorit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, kanë shtyrë edhe më tutje rrokullisjen e rrotave, tashmë të skuqura, drejt pamjes së një flake të madhe të lëkundjeve gjithnjë e më të mëdha të shtetit jugosllav.
Referendumi dhe pastaj, më 1991, ndarja e Sllovenisë nga ish-Jugosllavia, është shoqëruar me një indiferencë dhe gjakftohtësi të udhëheqësisë federale, e cila tashmë ishte e hutuar dhe e përçarë.
Transferimi i potencialeve ushtarake prej Sllovenisë në Jugosllavinë e mbetur dhe instrumentalizimi i armatosur i momentit etnik. Ndërkaq, le të përkujtojmë fillimin e luftës në Kroaci më 1992.
Përçarjet dhe mosmarrëveshjet etnike në Bosnjë e Hercegovinë më 1992 kanë rezultuar me largimin demonstrativ të delegatëve nga Parlamenti dhe shpërndarjen e tyre nëpër rrugët dhe sheshet e Sarajevës, Mostarit dhe të qyteteve tjera.
Mbrojtja e armatosur e shteteve të reja, të krijuara, në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ka zgjatur në vitet e ardhshme, deri në përfundimin e luftës, më 1995 dhe 1996, me ndërhyrjen e bashkisë ndërkombëtare.
Shpërthimi i luftës në Kosovë, më 1998, terrori masiv, vrasjet dhe masakrimet e shqiptarëve nga shteti serb.
Ndërhyrja e NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi, më 24 mars 1999, si dhe hakmarrja dhe shpagimi mbi regjimin, që nuk ka patur aftësi dhe fuqi që nëpërmjet matricës paqësore dhe demokratike të zgjidhë statusin e shqiptarëve dhe çështjen e Kosovës. Përkundrazi, shteti serb ndërmori masat më të ashpra dhe më brutale që i njeh historia e njerëzimit, të ashtuquajtura gjenocid.
Si përfundim, në ish-Jugosllavi nuk ka qenë e nevojshme të vinte deri te lufta. Edhe shtetet tjera të bllokut të Lindjes janë ndarë në këto vite, por jo me luftë. Në prapavijën e luftës, në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka qëndruar një utilitarizëm i thellë dhe një interes i madh i oligarkive politiko-ushtarake, të cilat janë fshehur prapa floskulave mbi patriotizmin, orën e fundit, shpagimin e padrejtësive historike, mbrojtjen e dinjitetit etj. Në realitet, puna më fitimprurëse, por në anën tjetër edhe më tragjike, në këto vise, ishte tregtia me luftë.
Hapësira kulturore, pa dyshim, ka qenë poligon stimulues i konflikteve në ish-Jugosllavi. Nuk është i panjohur fakti se një numër jo i vogël i intelektualëve të njohur kanë qenë të kyçur në vallen e luftës dhe të krimeve. Lufta dhe aktorët e këtyre kohëve nuk mund të amnistohen dhe as të mbesin në harresë.
Shtrohet pyetja: a kanë kuptim projektet politike, të lara me gjak dhe me jetën e njerëzve? Natyrisht që jo. Sido që të arsyetohet, lufta është krim i palejueshëm. Njeriu ka vetëm një jetë dhe pse duhet të përcaktohet me luftë? Civilizimi dhe korpusi i vlerave të tij shikohet pikërisht në ndalimin, shmangien dhe mposhtjen e asaj që është e keqe, e errët, e paarsyeshme dhe irracionale, qoftë tek individi apo në bashkësitë njerëzore. Sot katarsa është e domosdoshme, në një komponim të ri të ardhmërisë. Është i nevojshëm rishqyrtimi i vetëdijes, i ndërgjegjes dhe i së vërtetës, meqënëse prej saj varet fati i njerëzve dhe i popujve.
Ndërkaq, është i nevojshëm grumbullimi i një energjie pozitive dhe ndërmarrja e një hapi demokratik përpara, i cili do të çojë në ujëra më të qeta të jetës dhe të krijimtarisë.
Në veçanti është me rëndësi normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimi i Kosovës në NATO dhe BE.
