Një “muzei gjallë”si strehë promovimi

Themeluesja e studios, Arjona Resulani, gjatë fjalës së saj emocionale, theksoi se ky projekt lindi nga një vizion i qartë për t’i dhënë jetë veshjeve që shpesh mbeten të mbyllura nëpër arka, larg syrit të publikut

Pazari i Suvenireve në Ulqin, ky vend që prej shekujsh merr frymë me traditën dhe historinë, u bë nikoqir i një ngjarjeje të veçantë kulturore që bashkoi të shkuarën me artin bashkëkohor të fotografisë.
Me një ceremoni solemne, që tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë, të mërkurën mbrëma (29 prill 2026) u përurua “Etnik Studio” – një projekt unik i ideuar nga Arjona Resulani, i cili synon të kthejë veshjet tona kombëtare në qendër të vëmendjes dhe t’u japë atyre shkëlqimin që meritojnë.
Atmosfera e hapjes ishte një pasqyrim i gjallë i identitetit tonë shumëngjyrësh dhe bashkëjetesës që karakterizon qytetin tonë. Nën drejtimin e dy prezantueseve të veshura me kostume autentike – njëra me veshjen tradicionale ulqinake dhe tjetra me veshjen tradicionale malazeze – mbrëmja dëshmoi se trashëgimia është gjuha më e bukur e komunikimit dhe respektit ndërmjet kulturave. Rrugicat e Pazarit morën një hije tjetër teksa modelet e veshura me kostume kombëtare parakalonin përpara të pranishmëve, duke rikthyer për disa çaste imazhin e dikurshëm të rrugëve të Ulqinit, ku veshja ishte krenari dhe status.
Themeluesja e studios, Arjona Resulani, gjatë fjalës së saj emocionale, theksoi se ky projekt lindi nga një vizion i qartë për t’i dhënë jetë veshjeve që shpesh mbeten të mbyllura nëpër arka, larg syrit të publikut.
Sipas saj, “Etnik Studio” nuk është thjesht një hapësirë profesionale fotografike, por një “muze i gjallë” ku odat e vjetra, objektet shtëpiake dhe veshjet e të gjitha trevave tona gjejnë një strehë promovimi.
Ky realizim erdhi si rezultat i një pune intensive dhe mbështetjes së Organizatës Turistike të Ulqinit përmes projektit për valorizimin e trashëgimisë kulturore, si dhe mbështetjes së Komunës së Ulqinit përmes programeve për fuqizimin e sipërmarrjes së femrës, duke treguar rëndësinë e bashkëpunimit mes ideve private dhe institucioneve.
Përfaqësuesi i Organizatës Turistike, Arbër Haxhibrahimi, e cilësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të ofertës së turizmit kulturor në Ulqin.
Ai vuri në dukje se mbështetja e ideve të tilla kreative është rruga e duhur për të treguar historinë tonë te bota dhe për të krijuar produkte turistike që nuk janë vetëm sezonale.
Gjatë mbrëmjes, mirënjohje të veçanta u shprehën edhe për shoqatën “MogUl” dhe personat e tjerë që kontribuuan me përvojën, udhëzimet dhe këshillat e tyre profesionale në arredimin e studios me elemente autentike dhe teknikat e mbrojtjes së veshjeve të vjetra.
Një nga pikat më mbresëlënëse të mbrëmjes ishte galeria e fotografive të vjetra dhe ekspozimi i një xhublete mbi 100-vjeçare, e veshur nga një nuse malësore, që magjepsi të pranishmit me detajet dhe vlerën e saj të jashtëzakonshme historike. Ky moment shërbeu si një kujtesë se vlerat tona janë të përjetshme nëse dimë t’i trashëgojmë ato.
Arjona i ftoi të gjithë qytetarët që disponojnë objekte të vjetra apo veshje që pluhurosen nëpër shtëpi, t’i bëjnë ato pjesë të studios për t’i pasuruar më tej koleksionet, duke e kthyer këtë vend në një pikë takimi për të gjithë dashamirët e traditës.
Me hapjen e “Etnik Studio”, Ulqini tashmë ka një adresë të re ku çdo vizitor mund të marrë me vete suvenirin më të çmuar: një fotografi që dokumenton lidhjen tonë të pathyeshme me rrënjët. Ky projekt mbetet një dëshmi e faktit se kur tradita trajtohet me dashuri, respekt dhe profesionalizëm, ajo bëhet një urë lidhëse mes së shkuarës që na bën krenarë dhe së ardhmes që duam të ndërtojmë.

Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat