Krisma e topit si lajmëtare e iftarit

Si një nga qytetet më të vjetra në bregdetin e Malit të Zi, Ulqini ka ruajtur ndër shekuj një identitet të fortë kulturor dhe fetar, ku muaji i Ramazanit luan rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve të Ulqinit. Ramazani është muaji i cili njerëzit i bashkon në të gjithë botën dhe është një shenjë e afrimitetit ndër njerëz

Samir ef. Gjoni

Ramazani është një muaj më ndryshe nga të tjerët në çdo aspekt të mundshëm, muaji i cili sjell te besimtari sistemin më të mirë të jetës së tij dhe programin më të nevojshëm për jetën e njeriut. Si në çdo cep të botës ku agjërohet ky muaj dhe ku begatia e Zotit është e madhe, edhe në Ulqinin tonë të vogël dhe të bukur mbizotëron mirësia e këtij muaji madhështor.
Po shkruaj si një i ri, i cili me kalimin e viteve e kupton se kudo që të shkosh prapëseprapë guri i rëndë peshon në vendin e vet. Kësisoj edhe Ramazani më së shumti shijohet në sofrën e shtëpisë, të mbushur me dashurinë e njerëzve të zemrës dhe begatitë e Krijuesit të zemrës.
Si një nga qytetet më të vjetra në bregdetin e Malit të Zi, Ulqini ka ruajtur ndër shekuj një identitet të fortë kulturor dhe fetar, ku muaji i Ramazanit luan rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve të Ulqinit. Ramazani është muaji i cili njerëzit i bashkon në të gjithë botën dhe është një shenjë e afrimitetit ndër njerëz.
Nëse do të veçoja diçka që e simbolizon Ulqinin gjatë këtij muaji, është momenti i gjuajtjes së topit në kohën e iftarit, një traditë që ndiqet ndër shekuj deri në ditët e sotme, si lajmëtare që iftari është gati, duke pasuar me iftaret e përbashkëta, namazin e teravisë, ligjëratat dhe këshillat e ndryshme të dobishme çdo natë, sikurse dhe namazin e natës që bashkon çdo njeri i cili për qëllim ka ndryshimin e vetes dhe arritjen në një nivel tjetër të besimit.
Ulqini mori një shije më të ëmbël me zbukurimet e Ramazanit, të cilat Komuna e Ulqinit i realizoi si shenjë mbështetjeje ndaj Mexhlisit të Bashkësisë Islame Ulqin. Të gjitha këto shijohen në një qytet të bukur dhe të vogël, por me zemër të madhe, siç është Ulqini.
Ramazani simbolizon edhe kujtimin e njëri-tjetrit me ftesa të ndryshme, gjithashtu kujtimin e njëri-tjetrit me lutje, sepse Pejgamberi, Muhammedi s.a.v.s na mëson dhe thotë: “Ndër tre njerëzit të cilëve nuk iu refuzohet duaja është agjëruesi në kohën e iftarit. (transmetohet nga Ebu Hurejra – Sunen el-Tirmidhi (nr. 2526))
Islami është fe e cila thërret në paqe dhe marrëdhënie të mira ndërfetare, sikurse dhe muaji i Ramazanit i cili është paqe. Kjo marrëdhënie ndërfetare është prezente në Ulqinin tonë, e cila nuk ka munguar asnjëherë, ku shumë pjesëtarë të feve të tjera i urojnë myslimanët për Ramazanin dhe festën e Bajramit. Kjo gjë pa dyshim është e dyanshme, sepse të njëjtit gëzojnë respekt të veçantë dhe harmoni të ndërsjellë nga pjesëtarët e fesë islame. Marrëdhëniet e mira ndërfetare çdoherë do t’i ndihmojnë qytetarët e Ulqinit që ky vend të arrijë suksese më të mëdha.

Të fundit

më të lexuarat