Përfituan 26 studentë

“Ju jeni e ardhmja e vendit dhe shpresoj se të gjithë ju, me profesionalizmin tuaj do të vazhdoni ta ushtroni profesionin në vendin tonë të përbashkët që ta çojmë përpara në prosperitet”, u shpreh kryetari i shoqatës “Malësia” në Kaliforni, Sheki Krniq

26 studentë nga Malësia përfituan bursë studentore nga shoqata “Malësia” në Kaliforni, të cilat u ndanë të shtunën, më 2 maj 2026, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Fillimisht, sekretari i Zyrës së Marrëdhënieve me Diasporën në Komunën e Tuzit, Fatmir Beqiraj, u shpreh se diaspora dhe shoqatat kanë qenë përherë shtylla të fuqishme për vendlindjen.
“Me përkushtimin, punën dhe dashurinë tuaj të pashtershme për Malësinë, ju keni kontribuuar jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në ruajtjen e identitetit, vlerave dhe traditave tona ndër breza”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Malësia” në Kaliforni, Sheki Krniq, falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontributin e tyre nëpërmjet donacioneve, për të qenë, siç tha, një shoqatë që të kontribuojë për vendlindjen “e ku më mirë se në të ardhmen e vendit tonë – të studentëve”.
“Ju jeni e ardhmja e vendit dhe shpresoj se të gjithë ju, me profesionalizmin tuaj do të vazhdoni ta ushtroni profesionin në vendin tonë të përbashkët që ta çojmë përpara në prosperitet”, u shpreh ai.
Kjo është hera e parë që shoqata “Malësia” në Kaliforni ndan bursa për studentë nga Malësia të cilët studiojnë brenda dhe jashtë vendit.
Shoqata “Malësia” në Kaliforni është themeluar në vitin 2021 nga një grup mërgimtarësh malësorë me banim në këtë shtet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat