Një platformë e përbashkët për produktet e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Italisë

Qëllimi kryesor i ITC FOOD është të kontribuojë në rritjen e kompetencave dhe aftësive profesionale, duke nxitur inovacionin dhe ndihmuar aktorët e sektorit agroushqimor që t’u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut dhe sfidave të ekonomisë moderne

Agjencia Rajonale e Zhvillimit – Ulqin Biznes Asociacioni (RDA-UBA) është partner në projektin evropian ITC FOOD, i cili po zbatohet në kuadër të programit Interreg IPA South Adriatic, me synim forcimin e sektorit agroushqimor dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në vendet e Adriatikut Jugor.
Projekti bashkon partnerë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Italia, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të aftësive të reja në sektorin agroushqimor.
Qëllimi kryesor i ITC FOOD është të kontribuojë në rritjen e kompetencave dhe aftësive profesionale, duke nxitur inovacionin dhe ndihmuar aktorët e sektorit agroushqimor që t’u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut dhe sfidave të ekonomisë moderne.
Kryetari i UBA-s, Ibrahim Milla, vlerëson se “përfitimet nga ky projekt janë të mëdha, sepse sjellim përvojën tonë në mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe në zhvillimin ekonomik rajonal, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për bashkëpunim”.
Sipas tij, projekti ka për qëllim të mbledhë dhe të lidhë prodhuesit bujqësorë, produktet e të cilëve shpesh nuk kanë mundësi të plasohen në tregun evropian apo në tregje të tjera, për shkak se janë prodhues të vegjël dhe sasitë që prodhojnë nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e tregjeve të mëdha.
“Përmes bashkimit në një platformë të përbashkët, ata do të kenë mundësi të konkurrojnë së bashku, të rrisin kapacitetet e tyre dhe, mbi të gjitha, të ruajnë vlerën dhe çmimin e produkteve të tyre. Ideja është që kjo nismë të mos përfshijë vetëm Ulqinin, por të gjithë zonën e Adriatikut Jugor, duke bashkuar prodhues nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Italia e Jugut. Synimi është krijimi i një identiteti të përbashkët, që mund të emërtohet si ‘Distrikti i Produkteve të Adriatikut Jugor’, ku produktet e këtyre vendeve do të prezantohen dhe do të plasohen në tregun evropian nën një emër dhe një brend të përbashkët”, shprehet Milla.
Në fokus të veçantë të projektit është trajnimi dhe fuqizimi i burimeve njerëzore në sektorin agroushqimor. Përmes aktiviteteve të parashikuara synohet që bizneset dhe profesionistët e këtij sektori të pajisen me njohuri dhe aftësi që do t’i ndihmojnë të përshtaten me ndryshimet në treg dhe me kërkesat gjithnjë në rritje të ekonomisë.
Projekti ITC FOOD synon gjithashtu të krijojë ura të reja bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave dhe komunitetit të biznesit në të tri vendet pjesëmarrëse. Në këtë mënyrë, iniciativa pritet të kontribuojë në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërkufitare dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e sektorit agroushqimor.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat