Ndihmesë për ndriçimine fakteve historike

Këto dy libra nga historia e fushës së mjekësisë shqiptare janë vlerësuar nga folësit për ndihmesën në ndriçimin e fakteve historike të rolit dhe kontributit të doktorëve të shkencave të mjekësisë dhe mjekëve shqiptarë në mjekësinë botërore si dhe për vendin e rëndësishëm të mjekëve shqiptarë nga Mali i Zi i sotëm në mjekësinë kombëtare

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini” kanë organizuar të shtunën (20 prill 2024) përurimin e librit “Enciklopedi e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2018) dhe e mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare” të Prof. Dr. Isuf Dedushajt dhe librit “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi” të Prim. Dr. Gani Karamanagës.
Këto dy libra nga historia e fushës së mjekësisë shqiptare janë vlerësuar nga folësit për ndihmesën në ndriçimin e fakteve historike të rolit dhe kontributit të doktorëve të shkencave të mjekësisë dhe mjekëve shqiptarë në mjekësinë botërore si dhe për vendin e rëndësishëm të mjekëve shqiptarë nga Mali i Zi i sotëm në mjekësinë kombëtare.
Në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka shprehur kënaqësi dhe krenari që Libraria “Ulqini” pas dy viteve funksionim është shndërruar në qendrën e ngjarjeve kulturore për shqiptarët në Malin e Zi, me pjesëmarrjen e figurave më eminente të botës shqiptare.
“Edhe sonte në këtë vazhdë të aktiviteteve kulturore, ne kemi nderin dhe kënaqësinë që kemi pranë nesh njeriun që ndoshta nuk mund të gjenden fjalët për të përshkruar një personalitet të tillë siç është Prof. dr. Isuf Dedushaj për kontributin e tij në shkenca mjekësore e në përgjithësi, një enciklopedi që ecën, do ta quaja ashtu, për çështjen kombëtare”, ka thënë ai.
Autori i enciklopedisë, Prof. dr. Isuf Dedushaj, mjek, epidemiologu i parë në Kosovë, doktor i shkencave të mjekësisë dhe profesor universitar, ka treguar se ajo që e ka nxitur për ta shkruar këtë enciklopedi ka qenë një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1996, me rastin e vdekjes së Prof. dr. Osman Imamit, dekanit të parë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe doktorit të parë të shkencave të mjekësisë në Kosovë. Me këtë rast i ishte kërkuar të mbajë një fjalë me rastin e orës përkujtimore për të, por në arkivin e Fakultetit të Mjekësisë dhe shërbimin e studentëve nuk kishte gjetur asnjë informacion lidhur me biografinë e tij.
Ai ka folur për kontributin e madh të mjekësisë shqiptare në mjekësinë botërore, duke filluar që nga mjeku i parë popullor që njeh njerëzimi, Mbreti Gent, në shekullin e dytë p.e.s., i cili ka zbuluar barin e zemrës “Sanza” ose Gentiana Lutea, siç njihet në terminologjinë mjekësore.
“I kemi dhënë kontribut krejt botës”, është shprehur Dedushaj, duke treguar se në kërkimet e tij ka gjetur të dhëna interesante, publikimi i të cilave në enciklopedi i ka nxjerrë nga pluhuri i harresës.
Ai ka thënë se beson që në këtë enciklopedi gjenden 98 për qind e të gjithë doktorëve shqiptarë të shkencave të mjekësisë, prej vitit 1445 deri në vitin 2018.
Dedushaj ka folur për disa emra të panjohur apo pak të njohur në botën e mjekësisë me origjinë shqiptare. Ai ka thënë se “Gjergj Spani ka qenë doktori i parë i shkencave të mjekësisë në Universitetin e Padovës”, kurse “Elena Peshkëpia, një vajzë që ka dashur të bëhet Papë,… është femra e parë në historinë e njerëzimit doktoreshë e shkencave në Padovë…” Ndërsa për Leonik Tomeun, të njohur si mësuesi i Nikolla Kopernikut, ai ka thënë se ka qenë mjek dhe ka dhënë mësim në Universitetin e Padovës.
Sipas tij, nëse një ditë do të hapen arkivat e Vatikanit, Stambollit, Hilandarit etj. do të trondisnin njohuritë tona të deritashme dhe do të nxirrnin në dritë kontributin e vërtetë të shqiptarëve.
Pa dashur që të veçojë ndonjë prej figurave të mjekësisë që janë përfshirë në enciklopedi, Dedushaj ka thënë se “Ferid Murati dhe Nëna Terezë janë dy figurat më të ndritura që keni në këtë libër, fitues të Çmimit ‘Nobel’”.
Duke folur për Prof. dr. Simë Dobrecin, me të cilin ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Dedushaj ka thënë se ai “ka qenë një ndër figurat më markante, njeri më i mirë që ka pasur Fakulteti i Mjekësisë, një atdhetar i pashoq”.
Për enciklopedinë ka folur mjekja Ganimete Hoxha, ish-studente e profesorit Dedushaj.
Ajo ka thënë se vetë profesor Dedushaj është një enciklopedi në vete, i cili si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë u ka dhënë shumë nga përvoja dhe jeta e tij.
“Profesori thoshte: vaksinimi, imunizimi, profilaksa është mbrojtja e shëndetit. Pa këto nuk ka shëndet publik. Këto janë këshillat e profesorit, të cilat edhe kur erdha këtu i vazhdova. Prandaj, jam shumë mirënjohëse ndaj çdo fjale, çdo këshille që na ka dhënë neve studentëve, sot kolegë, por kolegë shumë të vogël ndaj jush”, është shprehur ajo.
Ndërsa duke folur për enciklopedinë, dr. Ganimete Hoxha ka thënë se “ky libër i fton lexuesit që ta pasurojnë mendjen me një lëmi e cila është njëkohësisht themeli dhe logjika e zhvillimit të mendimit shkencor mjekësor në trojet shqiptare ndër shekuj”.
Për librin “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi” të Prim. Dr. Gani Karamanagës ka folur mjekja Sadije Hollaj, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Ajo ka thënë se Karamanaga nuk pushoi kurrë duke regjistruar çdo ndodhi dhe çdo veprim.
“Të them të vërtetën, edhe ne si mjekë shqiptarë që jemi, shumicën e këtyre figurave nuk i kemi pasur të njohura”, ka thënë Hollaj.
Sipas saj, “të marrësh mundin të evidentosh punën dhe kontributin e secilit mjek dhe secilës mjeke shqiptare nga Mali i Zi, jo vetëm se e pasuron historinë e punës dhe veprës sonë ndër vite, por mbi të gjitha nderon veprën dhe sakrificën e çdonjërit nga ne”.
Vetë autori i librit “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, Prim. Dr. Gani Karamanaga, ka treguar se ideja për ta shkruar këtë libër i ka ardhur pikërisht nga enciklopedia e profesorit Isuf Dedushaj.
Ai ka thënë se duke qenë se në librin “Historiku i shërbimit shëndetësor në Ulqin”, i botuar në vitin 2011, i ka pasur të përfshirë mjekët nga Ulqini, në këtë libër është përpjekur që t’i përfshijë edhe mjekët nga trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi.
“Në këtë libër janë përmbledhur rreth 90 për qind të mjekëve të cilët kanë lindur në Mal të Zi ose e kanë origjinën nga Mali i Zi”, ka thënë Karamanaga.
Gjatë përurimit prof. dr. Isuf Dedushaj është përgjigjur edhe në pyetjet e publikut të pranishëm – mjekë dhe adhurues të librit dhe kulturës.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat