Dr. Athanas Gegaj pohon se Kastriotët ishin një racë e pastër arbërore

Gjekë Gjonaj

Për Dr. Athanas Gegajn, shkruan Moikom Zeqo, Kastriotët ishin një racë e pastër arbërore, sepse kemi dëshminë e qartë të vetë Skënderbeut. Emri i tyre më i vjetër është Mazreku, i panjohur nga kronikanët e kohës, më pas u zëvendësua nga mbiemri Kastrioti. Për Gegajn familja e Kastriotëve mbiemrin e parë e ka marrë nga fshati Mazreku që ndodhet midis Shkodrës dhe Drivastit, në bregun e djathtë të Drinit, kurse mbiemri Kastrioti që mbijetoi në histori lidhet padyshim me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, i cili ndodhet midis fshatrave të Dibrës, Minellës, Kashnjetit dhe Vigut. Kastriotët kanë zotëruar një pjesë të madhe të territoreve në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës dhe deri në Prizren. Në perëndim takoheshin me pronat e Dukagjinasve që përfshinin fushën e Zadrimës dhe lokalitetin e Fandit. Por nuk mund të përcaktohen me saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve. Në kohën e fuqizimit të shtetit të Balshajve, Dukagjinasit dhe Kastriotët u shpronësuan nga pasuritë e tyre, por pas rrëzimit të Balshajve, Kastriotët i fituan sërish pronat.

Gjon Kastrioti konsiderohej si “Zot i Matit”
Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriotit njihet si “Zot i Matit”. Ai zotëronte prona në rrethinat e Shkodrës dhe të Lezhës. Por, qyteti i famshëm i Krujës nuk bënte pjesë në pronat e tij. Gjon Muzaka pohon se Kastriotët zotëronin Matin, por nuk pranon që qenë dhe zotër të dy Dibrave. Gjoni kishte disa kështjella si Petrelën, Stelushin dhe Zvedigradin në Dibrën e Sipërme. Gjon Kastrioti qe i lidhur me Republikën e Venedikut, në 1413 atij iu dha titulli ” i Qytetarit të Nderit”. Për të shpëtuar jetën dhe pasuritë e tij nga sulmet turke në 1417 Gjoni shpallet Vasal i Venedikut. Më pas Gjon Kastrioti i sprapsur nga forcat turke i dërgon djemtë e tij si peng në Adrianopojë. E njeh autoritetin e Sulltanit dhe e quan “miosignor”. Megjithëse i ka humbur shumicën e pronave Gjoni është akoma zot i një pjese të territorit të dikurshëm. Nga fundi i jetës Gjoni afrohet me Republikën e Raguzës. Vdiq më 1443. Pronat e tij u morën nga turqit dhe në Krujë u vendos Hasan Beu, ishte djali i Ajdin Beut dhe Elena Muzakës.

Për Athanas Gegajn gruaja e Gjon Katriotit, Vojsava qe “nga një familje me origjinë shqiptare”
Ata lindën 4 djem, Reposhin, Stanishën, Konstandinin dhe Gjergjin dhe pesë vajza të cilat u martuan të gjitha me zotër arbërorë, Marina me Stefanin Princin e Malit të Zi, Vllaica me Gjin Muzakën, Angjelina me Vlash Aranitin, vëllain e Gjergj Aranitit, Angjela ose (Jella) me Pal Balshën dhe Mamica me Muzak Topinë. Gjergj Kastrioti ka lindur rreth viteve 1404-1405. Në vitin 1410 gjatë pushtimeve të Muratit II, Gjoni ka lënë peng njërin prej djemve të tij, ndoshta Reposhin. Gjoni midis viteve 1421-1422, në emër të djemve i dhuroi Manastirit të Hilandarit në Athos dy fshatra. Athanas Gegaj e analizon kështu këtë fakt: “Ky veprim ka shtuar kureshtjen e historianëve, nëse Gjoni ishte katolik, ndërsa djemtë ishin kthyer në myslimanë, pse babai i tyre i dhuronte këto fshatra një manastiri ortodoks. Si mund të shpjegohet kjo? Së pari, bëhet fjalë për një akt të kryer para dhënies peng të djemve të Gjon Kastriotit. Pastaj, në qoftë se dihet me siguri që Reposhi dhe Gjergji janë kthyer në myslimanë, mund të dyshohet për të tjerët. Duke pasur parasysh fanatizmin e fesë në atë kohë, besohej se kthimi i tyre në fenë islame ka qenë i detyruar, sipas pikëpamjes së tyre, ai ishte një veprim oportunist, që i jepte Sulltanit siguri për besnikërinë e tyre. Për sa i përket dhuratës që iu bë Manastirit Ortodoks bëhet fjalë në fakt për këmbim pronash midis Gjonit dhe murgjve. Por, edhe mund të supozohet se ai ua ka bërë murgjve këtë dhuratë, për të cilën nuk është për t’u çuditur shumë, sepse kishte ortodoks midis njerëzve të tij”.

Si e mori Gjergj Kastrioti emrin Skënderbeg?
Historinë e rinisë së Skënderbeut Athanas Gegaj e përshkruan sipas traditës, që ai ka shkuar si peng, arriti të bëhej i preferuari i Sulltanit, ka hyrë në trupën e Jeniçerëve dhe ka marrë pjesë në disa beteja në Azinë e Vogël. Që kur u kthye turk atë e quajtën Iskender dhe meqë ishte me origjinë të lartë i shtuan titullin bej ose beg dhe prej këtej vjen emri Skënderbej ose Skënderbeg. Pas vdekjes së Gjonit më 1443 Sulltani vendos guvernator të Krujës Hasan Beun dhe i dha urdhër atij të pushtoheshin të gjitha fortesat e Kastriotëve që u morën pa rezistencë. Nëna e Skënderbeut me vajzën e vogël Mamicën u fshehën në një vend të panjohur të Matit. Atje Vojsava vdiq para kthimit të të birit. Në vitin 1443 në betejën e Kunovicës pranë Nishit ushtrinë turke e drejtonin Karabegu, pashai i Rumelisë por dhe Skënderbeu. Skënderbeu i la pozicionet e tij dhe mbas shpartallimit të turqve, së bashku me të nipin dhe me 300 kalorës, mbasi i morën dhe kancelarit të sulltanit Urdhrin e falsifikuar që e emëronte zot të Krujës, u kthye në Krujë. Sapo u kthye botërisht Skënderbeu e quajti veten të krishterë, pastaj mori fortesën e Petrelës dhe të Spellushit dhe pak më vonë të Stefigradit. Ky moment historik është quajtur në mënyrë dyfishtë si “Çlirimi i Skënderbeut dhe çlirimi i Arbërisë”. Pikërisht tani fillon epoka e madhe dhe e pashembullt Skënderbejane.

Lidhjet mes familjeve të mëdha të Aranitëve dhe Kastriotëve
Dy familjet e mëdha Aranitët dhe Kastriotët i kanë pasur lidhjet shumë më të hershme. Ka gjasa që Gjergj Araniti edhe Gjon Kastrioti edhe më pas Gjergji ishin njohur në rrethanat kur sundimi otoman përdorte institucionin e pengut, si një garanci besnikërie. Kështu Gjergj Araniti dihet se ka qenë në oborrin e sulltanit për ca kohë. Rreth viti 1427 u largua dhe erdhi në Arbëri. Në vitin 1432 Andrea Topia bëri një sulm duke i shkaktuar humbje të mëdha turqve. Është pikërisht Andrea Topia ai, të cilit i takon merita e parë e shkatërrimit të një ushtrie turke. Sipas Gegajt Topiajt patën dhe një degë të familjes në jug, të vetëquajtur Aranit. Në të vërtet familja Aranitase është shumë e vjetër. Ajo përmendet që në kohën e Perandorit të Bizantit Bazilit II, kur një strateg i shquar David Araniti spikati në një betejë në perandorinë bullgare në 1016. Në shekullin XIII familja e Aranitëve u lidh në një martesë me Komnenët dhe kështu familja mbiquhej Aranit Komneni. Por vetëm në shekullin XIV mund të përcaktohet më me siguri historia e kësaj familjeje.

Fitoret e lavdishme të Skënderbeut
Athanas Gegaj i kushton kujdes luftërave që bën Skënderbeu, sidomos ndaj një kundërshtari të rrezikshëm dhe një ushtaraku të aftë në krye të forcave turke siç është Ballaban Pasha. Sulltan Mehmeti II duke dashur të hakmerrej dhe i etur që ta shtrinte pushtetin perandorak të tij në Evropë deri në kufijtë e Adriatikut, vendosi që të vijë vetë dhe të drejtojë luftimet kundër Skënderbeut. Në Pranverën e vitit 1466 Sulltan Mehmeti II me një ushtri shumë të madhe erdhi në trojet arbërore, duke pasur si synim pushtimin e Krujës. Ai ndërtoi Kështjellën e Valmit, ose të Skampas duke e mbigjuajtur Elbasan për ta pasur si një qendër kryesore strategjike të përparimit dhe të vendosjes së kohëzgjatjes të sundimit osman edhe në Ballkan. Por, ekspedita e Sulltan Mehmetit II nuk e mori Krujën. Edhe këtë herë Skënderbeu doli fitimtar. Në muajin dhjetor 1466 Skënderbeu erdhi në Romë ku i bënë një pritje të jashtëzakonshme dhe te shkëlqyer. Skënderbeu e ndërmori ketë udhëtim në Itali në Romë për shkak se ndihmat që ishin dhënë nuk mjaftonin, duke shpresuar që nëpërmjet famës dhe prestigjit qe kishte të kërkonte ndihma shumë herë më të mëdha. Gegaj nënvizon “Skënderbeu i veshur si ushtar i thjeshtë,, i shoqëruar nga një numër vogël kuajsh dhe nga një shpurë të pakët, i çuditi të gjithë me thjeshtësinë e madhe të tij . Ai u prit nga Papa, por mori prej Papës pak ndihma në të holla me pretekstin se ishte në gjendje të keqe financiare”. Nga Roma Skënderbeu shkoi në Napoli ku u prit nga Mbreti Ferdinand me mirënjohje dhe dashuri të veçantë. Pastaj Skënderbeu u rikthye në atdhe në muajin prill 1467 e mundi serish një ushtri turke, siç thotë Gegaj “Korri dafinat e fundit të karrierës së tij të lavdishme.”Sulltan Mehmeti i dytë zbriti për herë të dytë në trojet Arbërore në pranverën e vitit 1467. Ai e rrethoi sërish Krujën. Por dhe këtë herë nuk mundi ta merrte. Në 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti vdiq dhe u varros në katedralen e Shën Nikollës”, përfundon Zeqo.

Të fundit

më të lexuarat