Oazë e dijes dhe e shpresës

Luljeta Avdiu – Cura

Në historikun e pedagogjisë kombëtare, shkolla tetëvjeçare e Katërkollës duhet të gjejë vendin meritor të saj. Kjo shkollë shqipe me pak ndërprerje gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ka luajtur rolin e shumëfishtë të saj në mësimin e gjuhës amtare, në arsimimin e shtresave të gjera, në shkollimin e mëtutjeshëm të kuadrove, në ngritjen e vetëdijes kombëtare e shumë lëmi të tjera. Të gjitha këto janë arritur me punën e palodhshme dhe me përkushtimin e kuadrit arsimor, nën drejtimin e njeriut të urtë, pedagogjikisht shumë të ngritur, drejtorit shumëvjeçar z. Jonuz Divanoviqit (ose Divanit).
Në këtë shkollë, për mendimin tim, ndër shkollat më të mira shqipe në hapësirat e Malit të Zi, që edhe ndoshta do të mund të radhitet si shkollë eksperimentale, një pjesë e mirë e mjeteve të konkretizimit është punuar nga dora e nxënësve. Aty ka funksionuar një sistem i papërshkruar pune. Paradite zhvillohej procesi i rregullt mësimor, ndërsa në orët e pasdites fillonte puna e aktiviteteve të lira.
Paradite kuadri arsimor dhe drejtori i tyre ishin me gardërobë në shkallë të lakmueshme, pasdite drejtori, duke marrë pjesë në punë fizike i ngjasonte një fermeri. Këtu nxënësit janë brumosur me shumë shkathtësi dhe kanë krijuar shprehi të rralla për punë.
Në ato rrethana të ndërlikuara dhe mjaft të vështira në të cilat gjallëronte popullata shqiptare e Anamalit, kjo shkollë shërbente si një oazë e dijes dhe shpresë për ditë më të mira. Ajo ka gëzuar, në mos tjetër, edhe një përkrahje të fortë morale nga shtresa të shquara të Kosovës si shkrimtarë, artistë, gazetarë dhe krijues nga sfera të ndryshme, gjatë vizitave që i bënin. Këtë e dokumentonin në librin e përshtypjeve duke thënë fjalë miradije për shkollën, nxënësit dhe kuadrin mësimor në përgjithësi dhe për punën vetëmohuese të drejtorisë në veçanti.
Kuadri arsimor i shkollës tetëvjeçare të Katërkollës ka qenë specifik-kryesisht i specifikuar dhe i diplomuar në Shkollën Normale Shqipe të Gjakovës dhe të Prishtinës në shkolla të larta pedagogjike dhe në fakultete të kohës. Në mesin e këtij kuadri të vyer kemi shërbyer tre anëtarë të familjes Llunji nga Ulqini dhe Tirana .Ishte motra ime, e ndjera Limone Llunji, bashkëshortja ime e lindur në Tiranë e rritur dhe e shkolluar në Gjakovë dhe në Prishtinë, Lumnije Kastrati-Llunji dhe unë.
Do të them disa fjalë, me pak nostalgji, për mësuesen e parë me diplomë, motrën time Limone Llunjin, që në martesë mbante mbiemrin Tarani. Ajo ka lindur në Ulqin më 28 Nëntor 1937 dhe ka vdekur në Gjakovë më 27 Prill 2010, ku shërbeu me nder deri në pensionim.
Pas kryerjes së shtatëvjeçares në Ulqin në gjuhën shqipe, ajo vazhdon shkollimin e mesëm në Shkollën Normale Shqipe të Prishtinës në vitin shkollor 1953/57. Rrjedh nga një familje përparimtare, arsimdashëse dhe kombëtarisht shumë e përcaktuar. Nga gjiri i kësaj familjeje, dikur detarë, tregtarë e hoxhallarë, dolën kuadro të shkolluar, mësues, profesorë e doktorë medicinalë, inxhinierë të elektros dhe të ndërtimtarisë, gazetarë, publicistë etj.
Me të kryer Normalen Shqipe të Prishtinës, në vitin shkollor 1957/58, Limone Llunji emërohet mësuese në shkollën tetëvjeçare të Katërkollës. Ishte mësuesja e parë shqiptare e kësaj shkolle. Në moshë të re shërbeu shembull për sjellje korrekte dhe punë vetëmohuese, përbrenda një mjedisi rural që vuante nga prapambeturia dhe gjendja e rëndë sociale.
U angazhua me tërë qenien në ngritjen e vetëdijes së filloristëve të saj, se vetëm libri dhe dituria do të jenë drita e jetës së tyre. Punoi me të gjitha klasat, dhe veç mësimit organizoi aktivitete të lira. Për punën arsimore, nga inspektorët arsimorë u vlerësua me notën më të lartë “Dallohet posaçërisht”.
Punën pedagogjike pas pesë vjetëve shërbimi në Katërkollë, e vazhdoi në Kosovë. U martua në Gjakovë dhe për disa dekada e vazhdoi punën arsimore-pedagogjike në një shkollë fillore të këtij qyteti.
Kam pasur fatin të jem mësimdhënës i disa lëndëve: Kimi, Biologji, Dituri Natyre e sipas nevojës edhe Edukatë Fizike, pranë shkollës tetëvjeçare në Katërkollë. Këtu e kam filluar karrierën e shkurtër në fushën e arsimit dhe të edukimit të nxënësve të cilën do ta vazhdoja në shkollën tetëvjeçare (tani ) ”Gjergj Fishta” dhe në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës.
Sa isha mësimdhënës në Katërkollë, qëllim parësor kisha që te nxënësit të kultivoja dashurinë ndaj dijes dhe ngritjes së botëkuptimeve të shëndosha. Shkolla nuk kishte kabinete përkatëse, por me ato pak mjete arrinim ta bënim mësimin sa më interesant dhe kuptimplotë. Ka ekzistuar “Këndi i gjallë”, angazhoja nxënësit të sillnin bimë dhe shtazë që i zinin në mjediset e fshatrave të tyre. Bashkëpunimi me kolegë-mësimdhënës ka qenë në nivel; përpiqeshim, aq sa lejonin rrethanat e kohës ta ndihmonim njëri tjetrin. Nxënësit ishin shumë të dëgjueshëm dhe të disiplinuar. Rrallë ndonjëri për arsye madhore vinte i papërgatitur. Gjatë mësimit ishin të qetë dhe kërkonin sqarime për ndonjë çështje të pakuptueshme. Prindërit e nxënësve, edhe pse rrallë vinin, meqë ishin të angazhuar në punë të rënda, interesoheshin për suksesin dhe mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre. Kur ndaheshin nga unë thoshin-“Juve jua kemi falë këta fëmijë. Ju t’i mësoni që nesër të bëhen të mirë për ne dhe për këtë vend”. Dhe vërtet, shumë nxënës të asaj gjenerate që unë i mësova u bënë kuadro të dalluar në profesionet që kishin zgjedhur. Për mua puna e mësimdhënësit në këtë shkollë mbetet një kujtim nga dita kur i shtronim detyrë dhe obligim vetes ta ngrinim më lart cilësinë në shkollim dhe edukimin e shëndoshë të filizave të rinj.

Të fundit

më të lexuarat