Ditët e tmerrit për inteligjencën e arsimit shqip në Ulqin

Është paradoks i llojit të vet fakti që “elita” në krye të Lidhjes Komuniste të kohës i dha të drejtë vetes që sipas qejfit të saj të vlerësojë situatën politike, të parashikojë gjendjen dhe të marrë vendime arbitrare. Kësisoj vepruan me ne mësimdhënësit në Ulqin, duke na dënuar politikisht si të padevotshëm për arsim dhe të padenjë për të dhënë mësim. Ishte e kotë të ankohesh, të kërkosh të argumentosh se je i pafajshëm, se nuk ke bërë kurrfarë gabimi. Na vunë në shënjestër dhe na etiketuan si nacionalistë, irredentistë, shovinistë, armiq të shtetit etj..

Qazim Rexha

(vijon nga numri i kaluar)
Situata politike në vitet ‘80 të shekullit të kaluar dhe më pas bëri që të mos e gëzoj të drejtën e ushtrimit të profesionit tim si mësimdhënës, sepse dënimi politik nënkuptonte edhe përjashtimin nga puna. Kjo ndodhi pas ngjarjeve politike në Kosovë, ku shqiptarët u ngritën në demonstrata për të kërkuar të drejtat e mohuara politike dhe njerëzore. Si pasojë e kësaj situate, mosbesimi ndaj shqiptarëve do të bartet edhe në Ulqin dhe në trevat tjera shqiptare në Malin e Zi.
Është paradoks i llojit të vet fakti që “elita” në krye të Lidhjes Komuniste të kohës i dha të drejtë vetes që sipas qejfit të saj të vlerësojë situatën politike, të parashikojë gjendjen dhe të marrë vendime arbitrare. Kësisoj vepruan me ne mësimdhënësit në Ulqin, duke na dënuar politikisht si të padevotshëm për arsim dhe të padenjë për të dhënë mësim. Ishte e kotë të ankohesh, të kërkosh të argumentosh se je i pafajshëm, se nuk ke bërë kurrfarë gabimi. Na vunë në shënjestër dhe na etiketuan si nacionalistë, irredentistë, shovinistë, armiq të shtetit etj. Në përpjekjet e tyre për të bindur popullin se kishin të drejtë për dënimin tonë politik, inskenuan ngjarje të ndryshme kundrejt nesh. Për më tepër, nuk ishin të kënaqur vetëm me largimin tonë nga puna, por me veprime të sajuara gjenin kinse “fakte” edhe për burgosjen e disave prej nesh (Bajram Rexha, Mehmet Bardhi, Ibrahim Ceka). Me këto veprime donin t’i frikësonin shqiptarët, sidomos pjesën më përparimtare – inteligjencën shqiptare, që të largohen nga vendlindja dhe të shpërngulen nga trojet e veta kudoqoftë, vetëm jashtë Ulqinit. Në këtë qëllim të tyre ogurzi ia arritën deri diku qëllimit, sepse shumë të rinj nga Ulqini me rrethinë dhe trevat tjera shqiptare në Malin e Zi të sotëm emigruan rrugë pa rrugë, me shumë vuajtje e sakrifica, duke lëshuar vatrat e tyre të trashëguara brez pas brezi nga baballarët e tyre.
Mua dhe shokëve të mi të dënuar politikisht, të cilët na larguan nga puna, apo ata që fituan vërejtje për parapërjashtim nga puna, na vinte keq për synimet ogurzeza të armiqve tanë. Punonjësit e sigurimit i thërrisnin në biseda shumë shqiptarë të paburra, por më shumë na lodhnin të tjerët të cilët i shërbenin si lakenj UDB-së me fraza të thata, kurse për malazezët nuk çuditeshim sepse e dinim çfarë mendonin për ne! Kuptohet, jo të gjithë.
E kemi ditur se Lidhja Komuniste, si organizatë politike që ka shënuar historinë e zhvillimit shoqëror të kohës, ishte nxitësja kryesore e këtyre ngjarjeve. Por nuk kemi mundur ta marrim me mend se vetëm me një shpallje se “Je armik i popullit!”, domethënë të paargumentuar dhe pa kurrfarë faji të shpallesh armik i popullit dhe i shtetit. Pas shpalljes sonë si armiq, e pësonin edhe familjarët dhe të afërmit tanë. Për të na diskredituar publikisht si armiq të popullit, kudo në trevat shqiptare dhe në mediat e ndryshme trajtoheshim si armiq të shtetit, irredentistë etj.
Denoncimet politike kundër kuadrit arsimor shqiptar në Ulqin filluan me fjalimet ogurzeza te varrezat në Dushkakuq – fshati Pistull i Komunës së Ulqinit, të mbajtura para luftëtarëve në vitin 1981, në ditën e përkujtimit të të rënëve dhe të mbijetuarve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fjalimet kërcënuese të luftëtarëve Andrija Vojvodiq dhe Bllazho Vukoviq ishin sinjali i parë për atë që do të ndodhte më vonë – përndjekjen e mësimdhënësve shqiptarë nga Ulqini dhe shqiptarëve të tjerë në Mal të Zi.
Pretekst për këtë u përdorën fjalimet e mbajtura nga mësimdhënësit shqiptarë në seminarin për arsimin shqip, të organizuar nga funksionarët republikanë për arsim dhe kulturë, në rend dite të të cilit ishte shkurtimi i orëve në klasat me mësim në gjuhën shqipe. Kërkonin që të zvogëlohej fondi i orëve në gjuhën shqipe të lëndëve të identitetit kombëtar, si Gjuhë Shqipe, Histori, Gjeografi, Art Muzikor etj. dhe në vend të tyre të vendosen orë nga lëndët që propagandonin patriotizmin socialist-komunist jugosllav. Me një fjalë, kërkonin të rritej fondi i orëve në gjuhën serbe të historisë dhe kulturës serbo-malazeze në dëm të asaj shqiptare. Kundrejt kësaj padrejtësie nuk mund të heshtnin në radhë të parë mësimdhënësit e këtyre lëndëve. Për pasojë, të gjithë ata që guxuan të flisnin dhe kundërshtuan këtë, u denoncuan dhe u dënuan me dënime të ndryshme politike. Kjo çështje u bë temë diskutimi në organin më të lartë politik komunal e pastaj kërkuan që për të, të diskutohet nëpër të gjitha institucionet politiko-shoqërore, arsimore etj. deri te bashkësitë vendore në nivel të komunës.
Atmosfera e acaruar politike, duke filluar në Kosovë dhe veprimet e sajuara në Ulqin frikësuan masën duke bërë në tubime denoncime politike në tërësi. Pra, elementet negative në shoqërinë e atëhershme na shpallën fajtorë, armiq të shtetit, nacionalistë, irredentistë, na fyen dhe akuzuan me shpifje dhe fjalë të rënda. Në një atmosferë të tillë, na përjashtuan nga puna pa të drejtë që të punojmë në arsim.
Duke mos qenë fajtorë, dilnim dhe shëtisnim lirisht në qytet. Mirëpo edhe kjo u pengonte! Shumë udhëheqës politikë të kohës në Ulqin e kthenin kokën në anën tjetër kur takoheshim në rrugë, vetëm për të mos na parë. Të revoltuar nga fakti pse ne shëtisnim lirisht, në një rast kryetari i Komunës së Ulqinit, M. M., iu drejtua të deleguarit republikan M. Sh. që t’u ndihmonin organeve të pushtetit në Ulqin. Ai iu përgjigj që të mos frikohen sepse tërë populli i vet në Ulqin i ka denoncuar si armiq nëpër të gjitha poret e veta politike, shoqërore etj..
Kur na dënuan, na braktisën pothuajse të gjithë të afërmit dhe të njohurit. Mbeta me familjen time të ngushtë. Çdokush kishte frikë të na vizitonte apo të na ndihmonte. Në këtë situatë, pa punë dhe pa të ardhura për jetë, vështirë të merrte kush në punë edhe për të bërë punë krahu.
Por në tërë këtë çmenduri, ka pasur edhe shembuj pozitivë. Sekretar i Komitetit të LK-së në Ulqin ishte Aleksandar – Aco Janinoviqi, i cili ka treguar mençuri në vlerësimin e situatës politike në Ulqin. Duhet t’i jemi mirënjohës që ka ndaluar trazirat politike në përmasa masive kundër shqiptarëve dhe e ka ruajtur Ulqinin me shumë pjekuri e mençuri që të mos çohet në protesta apo demonstrata, me ç’gjë ka ruajtur traditat shumëvjeçare të marrëdhënieve të mira ndërnacionale dhe ndërfetare në Ulqin.
Për fund, iu lumtë të gjithë atyre që kundërshtuan diktaturën komuniste deri në vitin 1990.
Atë çka kam përjetuar unë, dikujt nuk do t’i përgjigjet ta them…! Mbetet punë e madhe, por e lavdishme, që gjeneratat e ardhshme – sot, nesër, pasnesër e në vijim të ndriçojnë atë që e kaluara dëshironte ta heshtë ose edhe më shumë! (Fund)

Të fundit

më të lexuarat